INTERVISTA/Albina Deda: Djegia e mandateve do ta detyrojë Ramën të shpallë zgjedhjet e reja
Plani i demokratëve për të djegur mandatet e deputetëve, shihet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, si një zhvillim i ri i cili do të detyrojë kryeministrin Edi Rama të japë dorëheqjen, të krijohet një qeveri kalimtare si dhe të shpallen. zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Intervistoi: Albert Zholi
Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?
Edhe në kushtet e trukeve të njohura propagandistike të laboratorit mediatik të Edi Ramës kjo protestë ishte e përmasave të jashtëzakonshme. Opozita nuk sponsorizoi mitingun siç bëri Edi Rama me rrogëtarët e shtetit në Vlorë. Thjesht opozita u unifikua me kërkesën e gjerë mbarëshqiptare për largimin e Edi Ramës, jo vetëm si e keqe qeverisëse, por si e keqe njerëzore me pasoja të rënda.
Çfarë tregoi kjo protestë?
Protesta proklamoi zemërimin dhe largimin total të shqiptareve nga realiteti i kësaj qeverisje klepto-oligarkike. Nuk mund të ketë kurrë më as retushime dhe nuk besohet në korrigjime. Edi Rama është tërësisht pas kohe për këtë vend dhe duhet larguar. Këtë vullnet e konfirmoi mitingu i 16 shkurtit.
Kush ishin të metat e protestës?
Protesta ndonëse nuk u konceptua thjesht partiake ishte e mirëorganizuar. Filloi me lule nga protestuesit, por u mbyll me gaz luftarak nga regjimi i klikës së trafikut dhe korrupsionit. Analiza është e thjeshtë dhe nuk meriton koment.
Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u prit?
Vetë VOA dhe stacione prestigjioze ndërkombëtare kanë transmetuar live protestën.
Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës? Pas saj a u lëkundën më shumë pozitat e Ramës?
Protesta do të këtë përshkallëzim dhe Edi Rama edhe sikur të pretendojë të kthehet në Maduro do të largohet me çdo çmim. Tani jo vetëm shqiptarët, por dhe ndërkombëtarët e kanë të qartë se ky njeri psikopat po instalon me hapa galopantë regjimin sulltanor të oligarkisë së korruptuar politiko-ekonomike dhe po pengon jo vetëm integrimin, por po bëhet dhe shembull i keq për mbarë rajonin.
Opozita thotë se policia provokoi disa protestues, kurse qeveria thotë se dhuna u përdor nga protestuesit, mendimi juaj?
Edi Rama dhe falangat e sigurimit të Shtetit që drejtojnë vendin janë botërisht të njohur për të tilla truke si ai i hapjes së gardhit policor me qëllim që të nxisin zemërimin e ta shndërrojnë në dhune… falë Zotit ka kamera që e dëshmojnë lojën e pistë të tyre. Kështu që ky marifet karikaturor dështoi dhe në ditët që do të vijnë do të kthehet në bumerang për Edi Ramën.
Kreu i PD, Lulzim Basha propozoi djegien e mandateve të deputetëve të kësaj partie. Si e shikoni këtë nismë?
Opozita dhe konkretisht kryetari Basha kanë konsumuar gjithë energjitë dhe mundësitë. Mirëpo kjo mazhorancë është totalisht e zhveshur nga ç’do lloj përgjegjësie politike e njerëzore dhe nuk premton as reflektimin më të vogël. Në këtë kontekst përgjegjës përpara shqiptareve, nuk ngeli rruge tjetër , veçse largimi nga Parlamenti i cili nga tempull i përçimit të fjalës e vullnetit të Sovranit është kthyer në çerdhe ku krimi dhe korrupsioni janë veshur me imunitet. E jo vetëm kaq por janë rikthyer pinjollët më të spikatur të diktaturës komuniste. Vetë qenia e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit flet vetë…
A e dëmton mazhorancën djegia e mandateve të opozitës?
Djegia e mandateve dhe hapja e diapazonit politik e human drejt popullit jo vetëm e dëmton por do ta detyrojë me doemos të shpallë zgjedhjet e reja dhe krijimin e qeverisë provizore e cila do garantojë lirinë e shenjtërinë e votës.
Nëse ndodh kjo, çfarë pasojash dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend?
Pas këtij akti të guximshëm politik opozita di të përfshihet në një aksion politik pa kthim i cili do përfundojë as më shumë e as më pak me largimin e mortajës politike e sociale me emrin Edi Rama. Opozita e sotme dhe kryesisht PD-ja ka lindur si misionare e lirisë e demokracisë dhe akti i sotëm e tregoi. Përpara interesave të shqiptarëve që rrezikohen pa kthim nga ky kryeministër që po bën sulltanin nuk ka gjë më të rëndësishme. Jam e sigurt se shqiptaret masivisht do ta lexojnë këtë veprim kurajoz e të vendosur të z.Basha dhe do të na bashkohen në betejën për demokraci dhe integrim./Albanian Free Press
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



