KPK shkarkon kryeprokurorin e Lushnjës
Është shkarkuar nga detyra drejtuesi i prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini. Shkarkimi i tij erdhi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi rezultoi me probleme në të tre shtyllat e vlerësimit nga Vettingu.
Këtë të enjte, KPK zhvilloi seancën dëgjimore me kryeprokurorin e Lushnjës, ndërsa hetimi për të ishte kryer vetëm për dy kritere, atë të pasurisë dhe figurës.

Ndërkohë që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit kishte dorëzuar një raport pozitiv për Shahinin, nga hetimi i kryer nga Komisioni rezultoi se prokurori kishte mosdeklarim, deklarim të rremë dhe mosjustifikim të pasurisë.
Hetimi i Komisionit për pasurinë, ishte përqendruar në një banesë 2-katëshe me papafingo në Sarandë, për të cilën u konstatua mungesë burimesh si dhe mospërputhje në deklarimin e bërë për ndërtesën dhe përdorimin. Sipas prokurorit, banesa përdorej nga familja dhe se pjesa e papafingos nuk ishte mbyllur ende, ndërsa nga hetimi i kryer nga KPK rezultoi se banesa jepej me qira si shtëpi pushimi në bregdet. Një fakt të tillë, sipas KPK-së, përpos hetimeve të tjera, e vërtetonin edhe njoftimet në internet ku kërkoheshin qiramarrës.
Sipas relatores Xhensila Pine, nga hetimi ka rezultuar se që prej pesë vitesh ambientet e kësaj banese jepeshin me qira. Ndërkohë, në kriterin e pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori ishte i papërshtatshëm. Sipas këtij raporti, Shahini ka pasur kontakte me një person të dënuar për trafik narkotikësh dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



