E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga mekanik në aktor, Reshat Arbana rrëfen “shpërthimin” që i ndryshoi jetën
Uncategorized

Nga mekanik në aktor, Reshat Arbana rrëfen “shpërthimin” që i ndryshoi jetën

“Emrin nuk e blen dot me para. Emrin ta jep ai njeriu i thjeshtë që të përshëndet në rrugë”, thotë aktori i mirënjohur Reshat Arbana, i cili ua kthen të gjithëve përshëndetjen me dorë në zemër.

Ka realizuar 45 role. Jo të gjithë i ka të zemrës, por për të gjithë ka punuar fort dhe kur dëgjon debate për ndalime filmash apo “zbardhje të vërtetash”, e pamundur ta fshehë indinjatën.

“Kemi dhënë kaq shumë nga vetja, jemi emocionuar për t’u dhënë njerëzve emocion, saqë nuk e kuptoj se si mund të dalë dikush e të thotë, të ndalohet!”, -thotë aktori.

Sipas tij, të mendosh sot se filmat e para ’90-s nxisin ideologjinë komuniste ndër të rinj, është tërë- sisht absurde. Edhe pse nuk i ndjek fort mediat, se jo rrallëherë, sipas tij thonë të pavërteta e të shtrembërojnë fjalët, i përgjigjet ftesës për të rrëfyer diçka nga eksperienca e tij, në kastin e aktorëve të filmit “Duel i heshtur”.

Reshat Arbana, “Nderi i kombit”, në një intervistë për “Panoramën” tregon si u realizuan xhirimet e filmit në det të hapur mes dallgësh, si e njohu Spiro Koten dhe takimi me Vlashin nga Rrogozhina, që pretendonte se ishte pikërisht ai personazhi që Arbana luante në film. Veç të tjerash, ai kujton si u bë aktor dhe sa i ka dhënë ky profesion… Jo para, por dashurinë e njerëzve.

https://m.youtube.com/watch?v=-hMJrZphXTU

Si u bëtë pjesë e kastit të filmit “Duel i heshtur?”

Sapo kisha mbaruar shkollën dhe kisha bërë një rol në filmin “Komisari i dritës” me skenar të Llazar Siliqit dhe regji të Dhimitër Anagnostit dhe Viktor Gjikës. Aty kisha rolin e sejmenit të një kapobande që ishte kundër hapjes së shkollave, që i thoshin këlyshi i Dodës, Nikollë Mustaqeziu.

Ishte një film që më ka pëlqyer e që u prit mirë nga publiku, me një realizim artistik që, të them të drejtën, sot nuk e ndeshim më. Ky rol më çoi te filmi “Dueli i heshtur”, në rolin e Islam Kallullit. Nuk e mendoja se mund ta merrja atë rol, sepse isha shumë i ri. Mbaj mend që regjisori me skenaristin kishin pasur fërkime, për shkak të disa prerjeve në skenar.

Në fund filmi ishte menduar që marinari, kur kthehet, pasi ka triumfuar mbi armiqtë, takohet me komisarin dhe marinarët dhe thotë shprehjen e njohur në ushtri “I shërbej Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Po ashtu, me sa kam dëgjuar, skenaristi nuk ishte që atë rol ta merrja unë, pasi në idenë e tij Islami ishte një armik i thekur, në moshë më të madhe se unë… Megjithatë, regjisori e kishte vendosur.

Si mendoni, cila është arsyeja e kësaj “fushate” kundër filmave të realizuar përpara viteve ’90?

Po justifikohem me idenë se mund të ndizen ndjenjat e ideologjisë komuniste ndër të rinjtë, se krijojnë nostalgji me temat e tyre plot partishmëri… Po kush ka më dëshirë që të kthehet komunizmi?! Frika nga kthimi i komunizmit është përrallë me mbret.
Thjesht duan t’u bien ca të vërtetave.

Duan të na mbushin mendjen që me demokracinë filloi edhe arti, por kjo nuk është e vërtetë. Arti nuk filloi në vitin 1992. Artistët e mëdhenj u bënë në atë kohë, me ato vlera, me ato pjesë dhe mbeten figura që populli nuk i harron, i ka në mendje dhe shpirt. Unë kam bërë 45 filma dhe nuk mora asnjë lek.

Nëse e bëj sot një film, marr një shpërblim të mirë. Por a e shihni sa njerëz vijnë e më takojnë?! Këto janë vlera që nuk blihen me para. Emri nuk blihet me para. Emrin ta jep ai njeriu i thjeshtë, që të përshëndet teksa ecën.

Te E megjithatë, s’mund të thuash që të gjithë filmat ishin të qëlluar apo se mungonte partishmëria…

Sigurisht që nuk kanë qenë të goditur të 300 filmat që janë prodhuar. Madje, ka raste që them që ca filma as duhen numëruar si të tillë. Nuk janë të qëndisur të gjithë artistikisht, por nëse prej tyre spektatori mund të shohë 150, është fitore e madhe.

Ne bënim 14 filma në vit, sepse ashtu ishte plani. Prej tyre nuk ishin të gjithë të mirë. Nëse ishin 3-4 të mirë, të realizuar në ato kushte aq të vështira, ishte gjë e madhe. Unë isha një mekanik i thjeshtë në parkun e kamionëve, dhe këta filma më bënë të njohur. Unë isha anonim, filmi, arti dramatik, më bëri të njohur.

Nga mekanik, në aktor, si ndodhi ky kapërcim?

Sebep u bë një shoku im nga Përmeti. Ishte koha për të shkuar ushtarë. Ne ishim të gjatë të dy dhe do na çonin në Marinë plot 48 muaj. Dhe, sa të shkonim ushtarë, më mirë të shkonim në shkollë. Qe ai që më shtyu për në shkollën e aktorëve, edhe pse unë nuk e kisha me dëshirë, sepse isha i ndrojtur. E megjithatë shkova.

Përgatitëm ato materiale që kërkoheshin. Nuk punuam me asnjë aktor. Shkuam me mendjen tonë. Në krye të jurisë ishte Nina Çefranova, udhëheqëse artistike e teatrit dhe regjisore shumë e mirë. Ajo i kërkoi përkthyesit të më thoshte që të improvizoja një moment sikur unë isha drejtor i parkut. Ishim në fund të vitit, plani nuk ishte realizuar dhe duhet të bëja mbledhje me kolektivin dhe duhet t’i mobilizoja…

Unë nuk pranova. Siç duket, mënyra se si unë reagova i pëlqeu. Pas dy ditësh dolën listat e fituesve. Sigurisht unë nuk kisha shpresë, megjithatë e kisha emrin në listë, ndërsa shoku im, jo. Kreva 4 vjet shkollë me pedagogë të shkëlqyer. Si përgjegjës pedagog kisha Kadri Roshin, me të cilin zhvilloja edhe fjalën artistike, edhe mjeshtërinë e aktorit.

Për çudi nuk më çuan në teatër, por në Radio Televizion. Pas 8 vitesh bëra stazhin e partisë në Uzinën Gjeologjike dhe u ktheva sërish në radio. Thanas Nano më komunikoi se do të kaloja në televizion me grupin e regjisorëve. Nuk pranova dhe këmbëngula që të largohesha.

Më në fund shkova në teatër. Po të isha sot, nuk do kisha pranuar, pasi kam përballuar një ngarkesë shumë të madhe. Nga njëra anë role në teatër, role në film, dublime, mbledhje… Një punë e lodhshme, por që më dha një kënaqësi të jashtëzakonshme, që e shoh se nuk u bleka me para.

Janë shumë 45 role, a ka mes tyre role të zemrës, që mund t’i luanit në çdo kohë?

Edhe sot çuditem se si i kam bërë. Dhe nuk ka qenë e thjeshtë. Por mes 45 roleve, vetëm 6 a 7 i kam të zemrës. Do kisha pasur dëshirë t’u kthehesha sërish ca roleve, por mosha bën të veten. Do të kisha dashur t’i rikthehesha rolit të Selim Brukës te “Familja e peshkatarit”, apo Sami Amenit te “Fijet që priten”. Unë isha 34 vjeç dhe kemi punuar shumë për të arritur në atë figurë.

Por besoj se roli i Isa Boletinit ju ka shënjuar, aq shumë sa edhe sot e ngatërrojë figurën që ju keni realizuar me figurën e vërtetë…

Po, është e vërtetë. Zhvilloheshin fotoprova dhe regjisori i ndjerë Viktor Gjika kishte vënë pranë e pranë një fotografi timen dhe një të Isa Boletinit. Ishin të dyja bardhë e zi. Dhe, në vështrimin e parë, as unë nuk e dallova. Dikur Aleks Buda, figurë e madhe, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave, pasi kishte parë filmin, më takon dhe më thotë se duhej që të realizonim një tjetër film, mirëfilli për Isa Boletinin, sa ende isha i fuqishëm.

Me sa di, Vath Koreshi e ndërtoi një skenar, por mbeti në mes. Ne u jemi borxhlinj këtyre figurave, që kanë kontribuar kaq shumë për Shqipërinë. Por filmi do para shumë… /albeu.com/

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.