Ish-Presidenti Bamir Topi prezanton librin “Nocturn”, rrëfim nga ’90 e deri te “Gërdeci” e “21 Janari”
Ish-Presidenti Bamir Topi ka prezantuar dje librin e tij “Nocturn Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, në prani të miqve, kolegëve, diplomatëve dhe politikanëve.

I pranishëm ishte edhe Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por ka munguar Kryeministri Rama. “Kënaqësi të merrja pjesë në promovimin e librit ‘Nocturn – Kur arsyeja errësohet nga pushteti’, të mikut dhe kolegut tim, ishPresidentit, Bamir Topi”, shkruan Presidenti Meta në llogarinë e tij në “Facebook”.
Gjatë fjalës së tij, ish-Presidenti Topi tregoi se libri ishte një rrëfim personal dhe politik lidhur me kohën kur ka qenë në pushtet, ndërsa theksoi se “kishte bërë shumë mirë që ishte larguar nga posti i kreut të shtetit, sepse njeriu, sipas tij, ka nevojë të detoksifikohet nga marrëdhëniet, ndonjëherë edhe të ndera”
. Sipas tij, libri ka sjellë të vërtetat që ai ka jetuar në këtë rrugëtim, por pa përdorur cinizmin.
“Kam tentuar të shkruaj jo për të qenë cinik, por aq sa për të demonstruar para lexuesit të vërtetat për ngjare të mëdha që më kanë shoqëruar. Bëhet viti i 75-së dhe ekspozohet në prag të festave të nëntorit i njëjti debat pa vlerë, nëse gjermani i fundit ka ikur në 28 apo 29, ende pa ia gjetur fundin. Atëherë, të lind si domosdoshmëri të shkruash të vërtetat e tua. Aq më tepër kur këto të vërteta kanë hyrë në labirintet e një beteje që shpesh deformohet ose merr një karakter tjetër dhe historia shkruhet nga sundimtarët e radhës”, u shpreh ish-Presidenti.
Ai ka cilësuar si dy ngjarjet kulmore gjatë viteve në Presidencë, anëtarësimin në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës.
“Vendosa që këtë histori ta shkruaj pas 6 vitesh kur u largova në mënyrë ceremoniale nga institucioni i kreut të shtetit dhe bëra shumë mirë, sepse njeriu ka nevojë të detoksifikohet nga marrëdhëniet, ndonjëherë edhe të ndera, por ishte fati im i mirë apo i keq që pata një presidencë të trazuar. Ngjarje që më shoqëronin njëra pas tjetrës në një frekuencë të lartë, kështu që nga një anë njeriu trazohet nga këto ngjarje, por nga ana tjetër kam qenë me fat që kam shoqëruar dy ngjarje të jashtëzakonshme, rrugëtimi në NATO dhe Pavarësia e Kosovës”, tha ish-Presidenti Topi.
Libri është botuar nga “UET press”. Ish-Kryeministri Ale ksandër Meksi tha në fjalën e tij se “në libër përshkruhet edhe diktatura në Shqipëri, si erdhi demokracia dhe si rrodhën ngjarjet më tej”.
“Sido që të jetë, situata ka ndryshuar, por mungojnë analiza për të evidentuar për atë që ka ndodhur. Në libër përshkruhet sesi kundërshtarët konsiderohen armiq. Ky libër sjell me detaje ngjarje, pasi autori ka qenë edhe President i Republikës së Shqipërisë”, tha Meksi. Ndërsa gazetari Bashkim Hoxha, i cili ka punuar me librin, tha se në “të përshkruhet mjaft bukur realiteti shqiptar për çështjet më të rëndësishme të kombit tonë. Në libër janë përshkruar me hollësi ngjarje si Gërdeci, 21 janari, për pushtetin dhe sesi luhet për pushtet”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



