E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
ANALIZA/ Artur Zheji: A është më i mirë Basha se sa Rama? E Mira nuk ekziston, kërkoni të keni të Keqen më të vogël!
OP-ED

ANALIZA/ Artur Zheji: A është më i mirë Basha se sa Rama? E Mira nuk ekziston, kërkoni të keni të Keqen më të vogël!

ARTUR ZHEJI Artur-Zheji

Shpesh, nëpër studio TV apo nëpër portale, më shkruajnë apo më dërgojnë  mesazhe shumë njerëz, që besojnë dhe nuk besojnë në fjalën time. Shumë shqiptarë bëjnë sot pyetjen: A është më i mirë Lulzim Basha sesa Edi Rama? Shumë të tjerë shtojnë: Po mirë, ja iku Rama, po kush do të vijë pas tij? Çfarë do të bëjë ai për ne?

 

Apo gënjeshtra e radhës dhe vijueshmëria e premtimeve pa thelb në brendësi?

Një luftë për pushtet e veshur me petka të tjera, të modës së vjetër apo të modës së re?

Të gjitha këto janë pyetje 1001 herë të ligjshme dhe po kaq herë, ndoshta pa një përgjigje bindëse.

Askush nuk e ka një përgjigje bindëse për këto pyetje. Kush ju thotë ndryshe, vetëm ju gënjen, me ose pa dashje.

Dhe e dini përse? Sepse e “Mira” nuk ekziston në politikë dhe sepse kushdo qoftë, herët a vonë do të binte në mëkate, të vogla ose të mëdha, kjo duhet të dihet dhe të vlerësohet.

Porse në këtë rast, largimi i Ramës është një kërkesë që ai e përsërit vetë shumë herë, por ju nuk e kuptoni sepse flet me fjalë të përmbysura, na thotë “unë nuk iki!” që ju të protestoni edhe më fort, derisa ta largoni. Edhe me dëshirën e tij.

Nuk është dhe aq i keq Rama, por është e keqe e Keqja që e ka kapur dhe nuk do ta lëshojë. E di që duket e vështirë kjo për t’u kuptuar, por kështu është.

Duhet forcuar Kuvendi dhe protesta e përhershme popullore, derisa Shqipëria të fitojë stabilitet.

Shumë mirë që keni dyshime, shumë Vepra të Mëdha janë bërë e shkruar falë Dyshimeve të Mëdha!

Porse radhën e ka e Keqja më e madhe, ajo duhet të largohet nga ky vend dhe të mos rrijë në krye të saj. Duhet të largohen banditët nga Kuvendi dhe politika, duhet të largohen rrugaçët nga kryesimi i bashkive dhe i reparteve të ndryshme të shtetit.

Dhe kjo nuk kryhet me një Kryeministër të fortë, por me një Parlament të fortë, një sistem gjyqësor sa më të drejtë dhe nën kërcënimin e protestave të përhershme!

Mos harroni asnjëherë se e Mira, e Drejta absolute dhe Baraspeshimi i përsosur nuk ekzistojnë. Kush jua premton këtë, ju gënjen. Dhe ju gënjen hapur fare.

Na duhet pra, ta shpëtojmë këtë Kryeministër nga vetvetja dhe nga ata që e kanë kapur, duke i premtuar se kjo është rruga për të mbijetuar në pushtet.

Natyra njerëzore është e mbrapshtë, secilit nga ne mund t’i gënjejë mendja se është më i miri, më i dituri dhe më i sakti se të tjerët…

Se “Ai” është edhe Rruga, edhe Dielli, edhe Zgjidhja!

Por e vërteta qëndron te Dyshimi Juaj! Dhe te trimëria për të protestuar në emër të dyshimit tuaj të arsyeshëm.

Kush ju thotë ndryshe, ju gënjen me qëllim!

Për fat të keq, të tij apo të tyre, ka mjaft që e mendojnë ndryshe, mendojnë se po ia hedhin, se po hakmerren dhe se po ia fusin!

Kjo është dhe përplasja, nga e cila s’duhet të kemi frikë dhe s’duhet të rrimë mënjanë! Duhet të luftojmë që të na drejtojë e Keqja më e vogël, sepse e Mira absolute nuk ekziston dhe kush ju thotë ndryshe, vetëm ju gënjen!/360grade.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.