Sot protesta e shtatë e opozitës, mesazhi për ish-deputetët dhe detaje të tjera
Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar do të zhvillojnë sot protestën e shtatë kombëtare për largimin e Edi Ramës. Pas ndryshimeve të datave, opozitarët janë ftuar sot në orën 19:00 përpara Kryeministrisë për të ndalur fushatën zgjedhore të PS-së, që për opozitën është i gjithi një proces fars.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas turit të takimeve që zhvilloi në disa qytete të vendit, dje u bëri thirrje përmes rrjeteve sociale demokratëve dhe çdo shqiptari që të protestojë sot përpara godinës së Kryeministrisë. Përballë socialistëve dhe kreut të qeverisë që nisnin fushatën elektorale në Tiranë, Basha garantoi se nuk do të ketë asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja.
“Asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja! Në ora 19:00 të gjithë në shesh! #2qershor #ShqipëriaSiEuropa”, deklaroi Basha. Qëndrimi i prerë i kreut të PDsë erdhi menjëherë pas letrës së shtatë që Kryeministri Rama publikoi në “Facebook”, ku i tregonte demokratëve se liderët e partisë së tyre kanë frikë nga zgjedhjet.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, demokratët kanë kërkuar leje për mbajtjen e protestës deri në orën 00:00.
PROTESTA
Organizimi i sotëm i opozitës përpara Kryeministrisë do të jetë i shtati brenda katër muajve. Njësoj si në protestat e mëparshme, opozita është treguar e kujdesshme të mos japë detaje të organizimit, por edhe këtë herë shifrat e pjesëmarrjes do të jenë synimi përballë fushatës së nisur nga PS. Strukturave të PD-së në Tiranë dhe rrethe u është kërkuar të jenë të angazhuara maksimalisht për të bindur sa më shumë qytetarë për të qenë në protestë.
Përmes një mbledhjeje të zhvilluar pak ditë më parë me deputetët e Tiranës, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka kërkuar një fushatë të gjerë me të gjithë ishdeputetët e PD-së me përfaqësues të biznesit të vogël. Programi i PD-së parashikon një ulje taksash për biznesin e vogël dhe për këtë arsye Basha ka kërkuar që të gjithë përfaqësuesit e këtij sektori të jenë në dijeni dhe të mbështesin protestat e opozitës.
Në protestën e fundit të zhvilluar në 25 maj, opozita qëndroi paqësisht në sheshin përpara Kryeministrisë, ku fokusi kryesor ishin simbolikat e përdorura në drejtim të Kryeministrit. Mbi 5000 balona u ngritën në qiell me mbishkrimin “Rama ik”, ndërkohë që në murin e Kryeministrisë u publikuan zyrtarë të së majtës të faktuar për lidhje me krimin në vitet e fundit.
Policia e Shtetit edhe sot pritet të angazhojë rreth 1500 efektivë policie, të cilët do të jenë të vendosur në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë dhe Parlamentit. Të dyja godinat edhe sot do të jenë të rrethuara me kordonin e hekurt, ndërkohë që në sheshin rreth Parlamentit do të ketë edhe tela me gjemba. Në gatishmëri do të jenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe mjetet ujëhedhëse që së fundmi kanë shpërndarë disa protesta të opozitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



