E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mblidhen 55 firma për shkarkimin e Presidentit
Politikë

Mblidhen 55 firma për shkarkimin e Presidentit

PS arrin 100 vota kundër Metës. Ja emrat e deputetëve të opozitës së re që u bashkuan me socialistët. 

Parlamenti votoi dje me 100 vota pro, 7 kundër dhe dy abstenime rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste për mundësinë e fillimit të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

 

Seanca e djeshme ishte e fokusuar vetëm te kjo pikë e rendit të ditës dhe të gjitha çështjet e tjera ishin shtyrë për t’u zhvilluar në një seancë jashtë radhe, që parashikohet të bëhet ditën e hënë. Menjëherë pas votimit të rezolutës, socialistët mblodhën votat për t’i pasur gati nëse do të vendoset inicimi i shkarkimit të Presidentit Meta.

Burimet bënë me dije për gazetën “Panorama” se 55 deputetë kanë dhënë firmat e tyre. Po të njëjtat burime bënë me dije se kjo nismë nuk do të thotë nisjen e menjëhershme të shkarkimit të Presidentit Meta, por do të shihet vendimmarrja e kreut të shtetit dhe nëse do t’i qëndrojë strikt rezolutës së miratuar nga Parlamenti. Vetë Partia Socialiste bëri dje një hap pas duke miratuar një rezolutë, ku nuk theksohej në asnjë pikë shprehimisht shkarkimi i Ilir Metës, por vetëm tërheqja e vëmendjes. E gjithë kjo u bë për shkak të dekretit të nxjerrë nga Meta ditën e hënë, i cili anuloi datën e zgjedhjeve, vendim ky që nuk u njoh nga Parlamenti.

Gjithsesi, në rezolutë u la e hapur mundësia për të iniciuar këtë shkarkim, pasi në një pikë të saj theksohej se: “Kuvendi konstaton mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar, parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës”. Ky paragraf në Kushtetutë parashikon edhe procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Ajo që ra më shumë në sy në rezolutën e miratuar nga Parlamenti ishte pika e fundit e saj, ku u duk edhe tërheqja e bërë nga socialistët, lidhur me shkarkimin e kreut të shtetit. “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë, duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, theksohet në rezolutën e miratuar.

VOTAT

Votimi i djeshëm në seancë plenare tregoi se Partia Socialiste i ka votat për të shkarkuar Ilir Metën si President ose të paktën të bëjë pjesën e parë të procedurës së shkarkimit. Kushtetuta parashikon se Presidenti shkarkohet me 2/3 e votave të Pparlamentit, pra, minimalisht 94 dhe më pas ky vendim duhet të miratohet në Gjykatë Kushtetuese. Por në mungesë të kësaj të fundit, Parlamenti bën vetëm pjesë e parë të aktit të shkarkimit. Por si i arriti PS 100 vota në Parlament? Pas djegies së mandateve, Kuvendi kishte 79 deputetë, të cilët ishin të gjithë të majtë. Nga këto vota, 2 munguan dje në seancë. Konkretisht, Tom Doshi dhe Gjetan Gjetani.

Ky i fundit doli hapur kundër kësaj nisme. Socialistët morën në këtë mënyrë edhe 23 vota të tjera nga deputetët, që pranuan mandatet pas largimit të PD-së dhe të LSI-së nga Parlamenti.

Votimet

Deputetët e opozitës që votuan pro
Eugen Bojaxhiu
Ediola Braha
Arlind Çaçani
Arben Elezi
Kujtim Gjuzi
Majlinda Halilaj
Halil Jakimi
Selami Jenisheri
Ligoraq Karamelo
Korab Lita
Aurora Mara
Ervis Meco
Myslim Murrizi
Nimet Musaj
Kostaq Papa
Andi Permeti
Enver Roshi
Krenar Rryci
Ylli Shehu
Zef Shtjefni
Nikolin Staka
Edmond Stoku
Halit Valteri
Elena Xhina
Alban Zeneli
Deputetët e opozitës
që votuan kundër
Lefter Maliqi
Fatjona Dhimitri
Elda Hoti
Klajdi Qama
Artur Roshi
Vasil Sterjovski
Besnik Troplini
Deputetët që abstenuan
Ramazan Gjuzi
Eneda Kapllani
Deputetët që munguan
Adriatik Alimadhi
Amra Borava
Tom Doshi
Ralf Gjoni
Rudina Hajdari
Edlira Hyseni
Erion Piciri
Suzana Topi
Fatmir Velaj

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.