Lajmi u njoftua nga Policia më 23 korrik, ndërkohë që pak orë pas ndalimit, në mediat online u mësua se emri i Fiqiri Xhanit, në ndryshim nga efektivët e tjerë ishte “censuruar”.
Dyshimi se Xhani ishte një polic i ‘veçantë’, u provua pas konfirmimit se ai ishte babai i Këshilltarit të Kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Eraldo Xhani.
Dosja.al e ndoqi rastin e Fiqiri Xhanit…dhe zbuloi se ditën e djeshme ai është liruar nga burgu, pa një vendim gjykate. Polici i arrestuar për korrupsion, tanimë ndodhet në banesën e tij.
Institucionet janë hermetike për rastin në fjalë, dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar.
Ne kontaktuam edhe me këshilltarin e zotit Taulant Balla. Eraldo Xhani, tha për Dosja.al se i gjithë informacioni i nevojshëm është botuar zyrtarisht, dhe nuk ka asnjë koment për lirimin e të atit. “Nuk kam asnjë koment. I gjithë informacioni i nevojshëm është publikuar nga institucionet”.
Polici 58-vjeçar, që do të duhet të ishte sot në burg, është liruar në një mënyrë të çuditshme, për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës duhet të japin shpjegime.





