Korruptoi gjyqtarin Shkëlqim Miri, arrestohet në Angli Gentian Doda
Katër muaj më parë, gjatë një operacioni që u realizua në sekret të plotë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, u arrestua i shumëkërkuari Gentian Doda.
VRASJA DHE DËNIMI NË MUNGESË
Sipas dosjes hetimore, më 27.10.1997, viktima Gazmir Dedja është qëlluar me armë zjarri në qendër të qytetit të Burrelit, nga një automjet, në të cilin udhëtonte Gentian Doda. Dedja kishte takuar më parë vëllain e tij, i cili e kishte paralajmëruar për një automjet që sillej rreth shëtitores së qytetit. Në dosje thuhet se makina i është afruar rreth orës 11:30 viktimës në një distancë prej 10 metrash dhe i dyshuari, Gentian Doda, ka thirrur viktimën. Dedja sapo është kthyer në drejtim të makinës, është qëlluar me armë automatike nga Gentian Doda. Po kështu, në këtë ngjarje është plagosur dhe më pas ka ndërruar jetë edhe kalimtari Asllan Gjoka. Pasi është qëlluar me automatik, viktima ka thirrur vëllanë, i cili i ka dhënë ndihmën e parë duke e dërguar në spital dhe ka ndërruar jetë pas dy ditësh. Ai, gjatë kësaj kohe, sipas Prokurorisë, ka qenë në gjendje të fliste dhe ua ka treguar ngjarjen të afërmeve të tij. Për këtë vepër penale, Gentian Doda u dënua me 20 vjet burg në vitin 2001 në mungesë nga Gjykata e Matit. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli një vit më pas.
ARRATIA DHE EKSTRADIMI NGA SHBA
Që nga dita e vrasjes, në vitin 1997, Gentian Doda ka jetuar në arrati. Ai ka mundur të marrë një identitet të rremë si refugjat lufte nga Kosova dhe ka jetuar i pashqetësuar në Britaninë e Madhe me emrin e ri Azem Shaqiri. Po kështu, dyshohet se edhe i vëllai i tij ka jetuar në Britani me identitet tjetër. Ndërkohë, emri i tij u ngjit në toplistën e shqiptarëve më të kërkuar nga drejtësia. Ka qenë një udhëtim i tij, nga Britania drejt SHBA-ve që ka bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjeve. Në maj të vitit 2011, autoritetet e Aeroportit të Los Anxhelosit ndaluan shtetasin Azem Shaqiri nga Mitrovica. Rezultoi se ky shtetas ishte nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Një vit më pas, pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë, Gentian Doda u ekstradua në Shqipëri me kushtin që çështja e tij të rishqyrtohej.
BETEJA ME GJYKATAT DHE DYSHIMET
Pas ekstradimit në Shqipëri, Gentian Doda nisi menjëherë kërkesat për rishqyrtim të dosjes së tij. Ai ka dërguar fillimisht rekurs në Gjykatën e Lartë, i cili është rrëzuar nga ajo. Më pas, ka dërguar ankimim në Gjykatën Kushtetuese, e cila në vendimin e saj, ka rrëzuar pjesërisht vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo bëri që çështja e tij të dërgohej për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Matit. Përpara rigjykimit në Gjykatën e Burrelit, çështja e tij në Gjykatën e Lartë monitorohej në çdo hap dhe sërish dy gjyqtarë të kësaj gjykate u dyshuan se mund të ishin angazhuar për të lehtësuar pozitën e të pandehurit.
NDRYSHIMI I AKUZËS DHE APELI
Pas rikthimit të çështjes për rishqyrtim, Gjykata e Matit vendosi që të ndërrojë veprën penale, duke e akuzuar Getnian Dodën për “Plagosje të rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Po kështu, Gjykata e Matit rrëzoi akuzën e “Armëmbajtjes pa leje” për shkak të amnistisë. Duke pranuar edhe gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Matit e dënoi atë me 8 vjet burg në përfundim. Në këtë mënyrë, ai u lirua më 7 qershor të këtij viti, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e la në fuqi vendimin e 20 tetorit të vitit 2016 të Gjykatës së Matit. Në këtë vendim, që disponohet nga “Panorama”, argumentohet kështu ndryshimi i veprës penale: “…viktima dhe i pandehuri nuk kanë pasur konflikt të mëparshëm dhe nuk rezulton ndonjë fakt që vrasja të jetë kryer me paramendim, por provohet që autori i ngjarjes ku ka mbetur i plagosur rëndë Gazmir Dedja, ku më vonë ka vdekur, është i pandehuri Gentian Doda. Vepra penale e kryer nga i pandehuri duhet t’i jepet një kualifikim i ri ligjor nga ai që i ka dhënë prokurori. Në rastin konkret, Gjykata çmon se ndodhemi përpara veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” me pasojë vdekjen”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




