Rama tha do ta kap, Policia e shpalli të arratisur, shfaqet bosi i ‘Gega Oil’: Jam për qejf tim me pushime!
Ka marrë përmasat e një skandali, sulmi i fundit i qeverisë ndaj pronarit të “Gega Oil”, Paulin Gegës.
Policia e Shtetit e shpalli sot person në kërkim pasi, në një kohë kur sipas saj rezultonte në shkelje të ligjit për evazion fiskal, dje ishte larguar nga Shqipëria. Nga ana tjetër, vetë Kryeministri më 7 gusht, sapo kishte përfunduar kontrolli në pikën e karburanteve të Gegës, deklaroi në rrjetet sociale se “çdo trim do të kapet”.
Mirëpo, sot, Paulin Gega është shfaqur në media duke deklaruar se kishte ngelur i habitur nga lajmi që po publikohej në të gjtiha mediat, pasi kompania e tij nuk kishte bërë asnjë shkelje dhe se ai kishte shkuar në Greqi me pushime, nuk ishte arratisur nga vendi.
Gega u shpreh:
“Jemi nisur për pushime verore në Greqi, më datë 09.08,2019, pushime të cilat janë rezervuar rreth dy muaj më parë të një agjenci turistike në rrugën Fortuzi, Tiranë, ku dhe mund ta verifikoni fare lehtësisht.
Sot ndërkohë jemi njoftuar në mënyrë indirekte pas lajmeve që kishin shpërthyer nëpër portale e gazeta të ndryshme, ku pretendohej se administratori i kompanisë Genklaudis sha, ishte larguar qëllimisht për t’iu shmangur përballjeve ligjore.
Ne mund t’ju konfirmojmë që në njërën nga magazinat tona fiskale të shitjes me shumicë, që ndodhet në Vrinë, Durrës, është ushtuar një kontroll para dy ditësh, ku ka pasur një ndërprerje të aktivitetit vetëm për disa orë, me pretendimin se kasat e shitjes ishin të vendosura në regjim manual, pavarësisht se ne posedojmë certifikatën e kalibrimit të regjimit automatik, e lëshuar sipas ligjeve në fuqi nga firma certifikuese e fiskalizimeve A.E Distribution shpk në vitin 2012!
Mbas verifikimeve nga organet kompetente, u bë zhbllokimi i këtij stacioni shitjeje dhe aktiviteti ka vazhduar normalisht. Pra, kompania jonë nuk ka kryer asnjë shkelje apo kundravajtje penale as në aspektin evaziv apo të të ashtuquajturës ‘Fshehje e të ardhurave apo të pasurisë’.
Gjithashtu ju komunikojmë me përgjegjësi të plotë morale dhe korporative që aktiviteti i firmës tonë vazhdon pa ndërprerje në të gjithë Shqipërinë.
Kompania Genklaudis sha është një ndër 10 tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri, me mbi 83 stacione shitjetje në të gjithë vendin dhe me mbi 500 punonjës, e gatshme për të vënë në dispozicion çdo dokumentacion kundrejt çdo institucionin shtetëror dhe ligjor dhe të përgjigjet deri në shkallën më të lartë të drejtësisë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



