E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SHBA sjell testin e së vërtetës për BKH, standarde të forta si të FBI
Publik News

SHBA sjell testin e së vërtetës për BKH, standarde të forta si të FBI

Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi dje se në mbledhjen e së hënës, 25 nëntor, do të emërohen 8 prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

75394753_10156838985890838_2973446875958476800_o

Ndërkohë, disa orë më vonë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, bëri të ditur se ka dhuruar 5 paketa të kontrollit poligraf, ose siç njihen ndryshe si makinat e së vërtetës. Këto paketa do të përdoren për testimin e kandidatëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, institucion me rëndësi të veçantë në hetime dhe që do të jetë në varësi të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Me emërimin e prokurorëve, KLP-ja bën të ditur se do të hapë edhe garën për drejtues të kësaj Prokurorie.

 

“Do bëhet miratimi i projektakteve për emërimin e 8 (tetë) prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme: Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Shpallja e garës për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Miratimin e metodologjisë për vlerësimin e kandidatëve për drejtues të Prokurorisë së Posaçme”, njoftoi KLP-ja.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme, që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me ngritjen e SPAKut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’i kalojnë gjykatave në rrethe.

“MAKINAT E SË VËRTETËS”

SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jenë struktura të specializuara për hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe funksionarëve të lartë të shtetit. Ligji parashikon se BKH-ja do të jetë në varësi të SPAK-ut, por gjithashtu është një njësi që kryen hetime të pavarura. E krahasuar shpesh nga SHBA-të me FBInë amerikane, duket se anëtarët e saj jo vetëm do trajnohen në Akademinë e FBIsë, por edhe do të testohen paraprakisht me makina të së vërtetës. Ambasada tha dje se këto pajisje do të përdoren nga persona të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të ndihmojnë në ruajtjen më të lartë të integritetit të kandidatëve.

“Këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme. Pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit. Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një programi dhjetëjavor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP). Drejtori i përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC)- organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafëve- iu bashkua drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, njoftoi ambasada e SHBA.

BKH përbëhet nga një drejtues dhe një ekip hetuesish, të cilët do të duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i posaçëm i SPAKut, së bashku me dy prokurorë të posaçëm të tjerë, do të zgjedhin bashkërisht drejtorin e BKH-së.

LISTA E ANETAREVE TE SPAK

Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Edvin Kondili, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Elida Celami (Kaçkini) prokurore në Prokurorinë e Tiranës
Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit
Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.