Motra e tyre, Zylfia përlotet kur rrëfen vrasjen e Halilit
Tashmë që lufta në Kosovë kishte përfunduar, strukturat e shtetit kishin objektiv rivendosjen e rendit në Tropojë. Fatmir Haklaj konsiderohej rrezik edhe nga të majtët në pushtet. Duket se rikthimi i tij në polici ishte më tepër për ta ekspozuar përballë kundërshtarëve.
Pas dy atentateve me mina, ai kërcënohet në radion e policisë nga një i afërm i kolonelit Hyka. Ky episod ndodhi në 31 Korrik dhe debati u dëgjua nga shumë efektivë të policisë së Tropojës. Nuk vonoi shumë dhe organizohet një tjetër atentat që për pak sa nuk i asgjësoi Haklajt me një goditje.
Në afërsi të Bajram Currit, në vendin e quajtur Brinja e Cërrnicës, minohet një aks prej gati 800 metrash. Lëndët shpërthyese ishin shpërndarë në 10 vatra zjarri, në një segment rrugor që shtrihej në një shpat të thepisur.
Autorët nuk aktivizojnë minën e parë, por të tretën, për ti futur në grackë Haklajt. Duke menduar se rruga kishte mina të tjera përpara, Hamdiu, Halili, Fatmiri dhe Feriz Kërrnaja kthehen pas, pa e ditur se autorët i kishin marrë të gjitha masat. Në ato çaste, ndodh shpërthimi i vatrës së dytë të eksplozivit që i merr jetën Feriz Kërrnajës dhe Halil Haklajt.
Fatmiri pëson dëmtime të rënda në kokë.
Hamdiu shpëton me gërvishtje të vogla. Në ato momente, ai hap zjarr me mitraloz drejt një kodre përballë nga ku mendonte se ndodheshin personat që aktivizuan minat.
Pas shpërthimeve, drejt vendngjarjes u nis një mjet i policisë me dy efektivë. Njëri prej tyre ishte Fatmir Daka, i njohur si njeri i afërt i Haklajve. Sapo afrohen në vendngjarje, mjeti i policisë përmbyset nga një shpërthim i fuqishëm. Me sa duket, autorët e pritës i kishin marrë masat që Haklajt të mos kishin mundësi të merrnin ndihmë.
I plagosur, Daka ecën në këmbë për 500 metra në drejtim të vendit ku ndodhën dy shpërthimet e para. Ai udhëzohet nga Hamdiu të marrë Land Roverin e blinduar dhe të çojë në spital Halilin që ishte ende gjallë.
Pasi ecën vetëm pak metra ndodh një shpërthim i katërt që i plagos edhe më rëndë.Vëllai i dytë i Haklajve mbërrin i vdekur në spital. Duket se Halili e kishte parandënjë rrezikun që u kanosej si familje. Për këtë, ai kishte kërkuar nga vëllezërit e tjerë të largoheshin jashtë shtetit.Gjashtë minat e tjera të paplasura u çaktivizuan më pas. Nuk dihet nëse autorëve u doli ndonjë problem teknik apo nuk i shpërthyen për të shmangur vdekjen e personave të pafajshëm që shkuan për ndihmë në vendngjarje.“Me vendosjen e minave treguan që nuk kishin guxim ti dilnin Fatmir Haklës ballë për ballë, nuk kishin burrëri ti dilnin e thonin, psh na e ke borxh e ta vrisnin, por minosën 800 metër rrugë ku mund vriteshin plot njerëz tjerë, ku u plagosën disa tjerë”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Pasojat e shpërthimeve kanë lënë gjurmë që nuk janë zhdukur sot e kësaj dite. Këta shkëmbinj, janë shkëputur nga shpati në ngjarjen e 4 Gushtit të vitit 1999.
“Ne, pjesëtarë e tjerë të familjes kemi udhëtuar me Halilin dhe Ferizin me trupat e tyre për Kërrnajë dhe kemi bërë varrimin e tyre, Ylli s’ka marëë pjesë në varrimin e tyre. Pas 2 javësh kam shkuar te Fatmiri, ku qëndrova 30 ditë në spital afër tij. Ai ëdo moment kërkonte Halilin dhe Ferizin”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Fatmiri ishte shndërruar në mit të vërtetë. Ai arriti ti shpëtojë atentatit të tmerrshëm me mina edhe pse u plagos rëndë në kokë. Familja kishte marrë një tjetër goditje të madhe me vdekjen e Halilit.
“Nëna ka qenë shumë e lidhur me Halilin e u thotë mos më thoni që ka vdekur djali. Nëna s’ka mundur ta besojë që Halili kishte vdekur, I kishte ngjarë shumë dhe kanë qenë shumë të lidhur bashkë”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve. Tashmë, Fatmir Haklaj duhet të llogariste edhe hesapet me drejtësinë.
Pas ngjarjes së 4 Gushtit, Prokurorët e Mirditës guxuan të nxjerrin nga sirtarët dosjen e vrasjes së Shaqir Hoxhës. Ai që ishte shndërruar në tmerrin e Tropojës nuk ishte më i paprekshëm. Përballë duhet të llogariste edhe shtetin, jo vetëm kundërshtarët.

Udhëtimi jashtë nuk u krye kurrë. Fatmiri ishte në pritje të fëmijës së parë pasi bashkëshortja e tij ishte shtatzënë. Ai, nuk do ta kishte kurrë fatin të shihte të paktën një herë vajzën.
“Në datën 15 tetor, të vitit 1999 po përgatiteshim të udhëtonim me Fatmirin për Prishtinë ndërsa Fatmiri refuzoi dhe tha: unë nuk operohem derisa fëmija im të lind, e kishte shumë merak që fëmija të lindte dhe nuk pranoi të udhëtojë për Prishtinë”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Pasi doli nga spitali, tashmë Fatmiri kishte nisur lëvizjet të zbulonte autorët e sulmit të 4 gushtit. Ai kishte mësuar nga burime të afërta se në 2 javë më parë, në një fuoristradë të policisë së Kukësit po transportoheshin mina drejt Tropojës. Në mjet ndodheshin edhe dy efektivë të forcave speciale si dhe një personazh që dikur kishte qenë truprojë e Sali Berishës. Këto informacione ishin mjaftueshëm që Fatmiri të drejtonte gishtin drejt kolonelit Jonuz Hyka dhe vëllezërve të tij.
“Përparim Hyka ka qenë një ndër ata, pas marrjes së makinës ka qenë ndër kryesorët që ka vendosur minat në 4 Gusht, 5 korrik dhe 6 maj të ‘99”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Edhe Hamdiu, i cili i shpëtoi atentatit, kishte parë me dylbi një grup prej 9 personash të armatosur në kodrën përballë. Ata ishin të veshur me rroba kamuflazhi ushtarak dhe pas shpërthimeve ishin larguar drejt fshatit Koçanaj.
Kundërpërgjigja nuk do të vononte. Nuk kishte kaluar ende një orë nga shpërthimet e Cërrnicës dhe në qendër të Bajram Currit, ekzekutohet me breshëri Isuf Bashkurti dhe Bislim Hyka, vëllai i Jonuz Hykës.
Për këtë krim të rëndë, në atë kohë u akuzuan si autorë shefi i Rendit Jaho Mulosmani dhe Ylli Haklaj. Disa ditë më pas, u plagos në një atentat Fatmir Meta, ish shef i komisariatit në Tropojë. Ai do të deklaronte në gjykatë për procesin e vrasjes së Azem Hajdarit se “mban në trup plumbat e vrasësve të deputetit”. I dyshuari ishte Jaho Mulosmani.
Konflikti kishte nisur pasi Meta, kishte informuar se natën e vrasjes së Hajdarit, Jaho ndodhej në Tiranë.
Ishte e qartë tashmë se Haklajt kishin përballë efektivë të forcave speciale që në mos janë drejtuar nga lart, u është lënë dorë e lirë të bëjnë ato që kanë bërë. Kjo përforcohej edhe nga fakti se asnjë prej ngjarjeve ku ata ishin goditur nuk ishte zbardhur. Në ngjarjen e 4 gushtit, askush nuk u kujdes për provat materiale të mbetura. Minat e pashpërthyera ishin mundësi për të siguruar gjurmë gishtash.
Shteti duket se kishte zgjedhur si rrugëzgjidhje t’u linte dorë të lirë familjeve të përfshira në konflikt për të asgjësuar njëra-tjetrën. Asnjë prej ngjarjeve nuk zbardhej. Zinxhiri vetëm zgjatej. Komisari i ri i Tropojës Gani Malushi kishte grumbulluar prova të shumta pas atentateve por askush nuk e ndihmonte në instancat drejtuese. Ai kishte dhënë informacion për efektivët e forcave speciale që ishin përfshirë në atentatet me mina, por me ato dosje nuk e di njeri se çfarë u bë.
Fatmir Haklaj, kuptoi se kundërshtarët nuk do të ndaleshin derisa ta eliminonin. Dy muaj pas ngjarjeve të fundit, Jonuz Hyka ndalon në Bajram Curri, për marrë rrugën drejt Tiranës, ku dhe ishte familja e tij. Ai njoftohet nga komisar Malushi se është i pasigurt dhe duhet të largohet.
Më 13 tetor, rreth orës 19:30 minuta Hyka po i drejtohej banesës në lagjen “Partizani” bashkë me dajën e tij Musli Qokaj. Në hyrje të pallatit janë qëlluar me breshëri armësh. Të dy mbetën të vdekur në vend. Thuhej se autorë të krimit ishin Haklajt dhe Mulosmani, njësoj si në vrasjen e Bislim Hykës. Zyrtarisht, ngjarja është ende e pazbardhur.
Dyshimet te rivalët e njohur të Hykës u përforcuan edhe nga një ngjarje që do të ndodhte të nesërmen. Më 14 tetor, babai i Jahos, Sali Mulosmani i cili shërbente si shofer i SHIK-ut në Tropojë udhëtonte nga Bujani në Bajram Curri teksa iu bë atentat me minë të komanduar në distancë. Ai shpëtoi me dëmtime të lehta.
10 ditë më pas, më 25 tetor, Sali Mulosmani u ndalua nga postblloku i forcave speciale te Varrezat e Dëshmorëve. Ai u shoqërua pasi kishte dy kallashnikovë në makinë. Mulosmani deklaroi se ishte i detyruar të lëvizte i armatosur pasi ishte në hasmëri. Disa ditë më pas prokuroria e Tropojës do ta lironte.
/Top Channel/
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



