Meta kthen për rishqyrtim ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri
Të mërkurën, kryeministri Edi Rama shpalli se ka vendosur që të dërgojë si drejtuese të Avokaturës së Shtetes, avokaten e tij personale. Ajo do zëvendësojë aty Artur Metanin, i cili nga ky post, mori drejtimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, që sipas drejtësisë së re, është posti më i lartë.
Zgjedhja e tij ishte një goditje e fortë për besimin te drejtësia e re, jo vetëm sepse ai është vëllai i ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni.
Por Metani, sipas denoncimeve të opozitës, nuk plotësonte kriteret për të garuar. Për më tepër, ai u katapultua i pari në listë falë një votimi të denoncuar nga agjencia BIRN, ku një anëtare e KED, Fatjona Memçaj ndryshoi balancat, duke votuar maksimalisht për Metanin, që ishte jo më pak se shefi i burrit të saj.
Sërish të mërkurën, presidenti Ilir Meta ktheu mbrapsht në Kuvend për rishqyrtim ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Mes arsyeve që jep Meta, renditet edhe fuqizmi i frikshëm i Metanit, që do të kthehej në këtë mënyrë në kamxhik të qeverisë ndaj drejtësisë.
Sipas ndryshimeve të bëra nga mazhoranca, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të bëjë edhe verifikimin e pasurisë dhe figurës. Kjo, sipas Metës, është një shkelje e hapur e Kushtetutës pai detyrat e tij janë verifikimi i ankesave, hetimi me nismë i shkeljeve dhe fillimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Pra në asnjë moment, sipas normës kushtetuese, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk i është dhënë tagri për të kryer verifikimin e pasurisë. Verifikimi i pasurisë dhe figurës, për magjistratët në detyrë, është zgjidhur me ligjin e posaçëm për rivlerësimin kalimtar, në zbatim të parashikimeve kushtetuese,” argumenton presidenti.
“Parashikimi i një procedure të tillë dhe dhënia e kompetencës Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është gjë tjetër veçse shndërrimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, nga një masë e jashtëzakonshme dhe e përkohshme, në një mjet të përhershëm, që rrezikon në mënyrë flagrante pavarësinë e gjyqtarëve dhe parimin e palëvizshmërisë në detyrë të tyre, shmangien e magjistratëve nga detyra gjer në kapjen politike të sistemit nga forca që kontrollon procesin, pra që ka emëruar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë”.
Jo vetëm kaq, por me ndryshimet e reja të Ramës, Metani do merrte edhe fuqinë për të pezulluar magjistratët nga detyra. Madje mund ta bëjë këtë edhe pa marrë një vendim për procedim disiplinor dhe pa kryer as edhe një hetim të mirëfilltë.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk ka kompetencën të bëjë kërkesë për pezullimin e magjistratit nga detyra, siç parashikohet në pikën 1, të nenit 152 të propozuar për t`u riformuluar. Ky parashkim, cenon rëndë jo vetëm dispozitat kushtetuese të sipërcituara, por edhe parimet kushtetuese për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, sanksionuar në nenet 7, 42, dhe 145 të Kushtetutës,” argumenton presidenca.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



