E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet raporti/ Universiteti i Tiranës pa standarde, në fund të listës.
Lajme

Zbulohet raporti/ Universiteti i Tiranës pa standarde, në fund të listës.

Akreditim me kusht, nga 1 deri në 5 vite për të gjitha universitetet publike e private në vend. Është ky vendimi përfundimtar që do të dalë sot nga mbledhja e Bordit të Akreditimit.

Por, në fakt, gjithçka është vendosur më herët, pas analizës së raporteve që kanë hartuar ekspertët e agjencisë britanike “Quality Assurance Agency” dhe ata vendas, pjesë e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, pas një periudhe 6-mujore.

RAPORTI PARAPRAK

Në mbledhjen joformale të zhvilluar një ditë më parë është vendosur akreditimi me kusht për disa universitete, duke përmbyllur kështu procesin e vlerësimit për akreditimin e të gjitha IAL-ve në vend. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit pasqyrohet edhe kohëzgjatja e periudhës së vlefshmërisë.

Ajo çfarë bie lehtësisht në sy është Universiteti i Tiranës, më i vjetri dhe më i madhi, i cili ndodhet në fund të listës, duke u vlerësuar minimalisht, krahasuar me universitetet e tjera. Nga pesë standardet e marra në shqyrtim, tre prej tyre përmbushen thelbësisht, ndërsa dy të tjera pjesërisht.

Kjo ka bërë që Bordi i Akreditimit të përpilojë një listë të gjatë me rekomandime, duke i lënë një vit kohë për t’i përmbushur ato. Me standarde pak më të mira se ato të UT-së rezultojnë tri universitete në rrethe: ai i Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Universiteti Politeknik dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan qëndrojnë diku në mes, duke përmbushur plotësisht dhe thelbësisht të pesë standardet për t’u akredituar për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Politekniku kanë 4 vite kohë për të përmbushur kushtet e vendosura nga ekspertët.

Në majë të piramidës qëndron universiteti më i ri, ai i Mjekësisë, i cili është vlerësuar maksimalisht për katër tregues dhe thelbësisht mirë për një standard. Kjo u siguron atyre “qetësinë” për pesë vitet në vijim, nga gjashtë të mundshmet që mund të akreditoheshin.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga MAS në dhjetor të 2016-s, agjencia britanike “Quality Assurance Agency” ka bërë kontrollin e kritereve të ligjshmërisë së të gjitha institucioneve të arsimit të lartë.

Qëllimi kryesor i Vlerësimit Institucional është të vlerësojë se në çfarë mase IALtë arrijnë standardet e cilësisë ku mbështetet vendimi i akreditimit. Raportet e vlerësimit shërbejnë jo vetëm për universitetet, por edhe për studentët që i besojnë atij.

Këto raporte të detajuara pritet t’i shkojnë në tryezë ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila nga ana e saj në bazë të tyre vendos nëse një institucion akreditohet ose jo.

REZULTATI PER AKREDITIMIN INSTITUCIONAL

Universiteti i Mjekësisë 5 vite

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan 3 vite

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës 4 vite

Universiteti Bujqësor i Tiranës 4 vite

Universiteti Politeknik i Tiranës 3 vite

Universiteti “Fan. S. Noli”, Korçë 4 vite

Universiteti i Tiranës 1 vit

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2 vite

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë 2 vite

Universiteti “Eqerem Çabej”, Gjirokastër 2 vite

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.