Del foto e biznesmenit të vrarë në Laç
Pas ekzekutimit të 37-vjeçarit Bujar Hasani mbrëmjen e së shtunës në ambientin e jashtëm të një hoteli në autostradën Mamurras-Lezhë, në Spitalin e Traumës ndërroi jetë edhe i plagosuri Paulin Gjergji.
53-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra ndërsa në rrethana ende të paqarta mbeti i plagosur edhe një 21-vjeçar. Bujar Hasani i njohur edhe me mbiemrin Lika ishte një person i skeduar më parë nga policia si mik i afërt i Ervis Martinajt.
Së bashku me këtë të fundit Hasani ka qenë i pranishëm edhe në vrasjen e Enton Nikajt në vitin 2015 në zonën e Linzës. Për zbardhjen e motiveve të ngjarjes janë angazhuar edhe specialistë nga krimet e rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
Ndërkohë, pranë një hoteli në rrugën e Dibrës mbrëmjen e së shtunës shpërtheu një sasi tritoli duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Biznesi është në pronësi të babait të Ervin Matës, edhe ky një emër i njohur pasi në vitin 2018 u përfshi në një përplasje të armatosur në bllok me grupin e Martinajt.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se tritoli është hedhur nga një makinë në lëvizje, ndërsa po hetohet edhe nëse kjo ngjarje ka lidhje me ekzekutimin në Kurbin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




