NË GETON E PORDHËS SË MADHE NË DRIMADHES
Drimadhes është një punë e bukur artistike, më pat thënë një mik shumë vite më parë. Është një pikturë e përsosur. Deti në Drimadhes nuk është det. Është mjaltë. Thjesht është i mrekullueshëm. Një mjaltë që e shijon deri në pikën e fundit. As nuk velesh e as nuk ke të ngopur me të.
Nuk i harrova kurrë këto fjalë. Me kalimin e viteve, edhe pse piktura e çmuar zuri të zbërdhulet pak e nga pak, unë jetoja me kujtimin e saj, stampuar në mendje që nga hera e parë e shkuarjen time në Dhërmi.
Edhe këtë verë, zgjodha një të diel gushti, mbase për t’i dhënë një mësim moral idealizmit tim dhe aspak për të ndikuar në gustot tuaja.
Përshtypjet e mia, janë vetëm të miat.
Prandaj…
Mos prisni t’ju them të bëni gati valixhet e të niseni me lugë në brez.
Mos prisni t’ju them se pas Llogarasë nuk ka malore tjetër e se buzë detit fillon malorja e çmimeve.
Mos prisni t’ju them se çmimet janë aq të kripura, sa uji i detit duket vërtet mjaltë pa hile.
Mos prisni t’ju them se parkimi i makinës është disa herë më i shtrenjtë se në Bllok.
Mos prisni t’ju them se zhvlerësimi i lekut është bërë pa dijeninë e Edi Ramës
Mos prisni t’ju them të ujin mund ta mbushni që në Llogara e të merrni me vete sapun dhe letër higjenike.
Mos prisni t’ju them të blini tapa për veshët dhe të merrni rrogozë me vete.
Mos prisni t’ju them se këtu në verë vendali dhe i sinqertë është vetëm deti.
Mos prisni t’ju them se pak njerëz shkojnë për detin, po për të shitur pordhët e mbetura pa shitur në Bllok.
Po të isha i paturpshëm dhe i pasjellshëm mund t’i thosha të gjitha këto, madje dhe shumë të tjera.
Ama, diçka nuk mundem ta lë pa t’jua thënë:
Në shkofshi këtë verë në Drimadhes, në e gjetshi gjëkundi, në ndonjë kazan mbeturinash, apo të zhgërryer mes pluhurit a plehrave të shumtë, atë “punën e bukur artistike”, atë “pikturën e përsosur”, ashtu të zbërdhylur e të shfytyruar, ju lutem, merreni me vete.
Ai është Drimadhesi i vërtetë.
Gjithçka tjetër është Getoja e Pordhës së Madhe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



