Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Regjistruam kallëzimin e nëntë në SPAK për Edi Ramën
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, krahas betejës për Rindërtimin e Teatrit Aty dhe Ashtu Si Ishte, vazhdon më fort se kurrë betejën ligjore.
Në këtë kuadër, më datë 16 nëntor, Aleanca shkon për herë të nëntë para strukturave të SPAK, me një kallëzim që ka si subjekte kryeministrin Rama, Kryebashkiakun Veliaj, Nën Kryebashkiakun Mazniku, kryetaren e Komisionit të Ekonomisë dhe Financat, të gjithë anëtarët e këtij komisioni dhe çdo person tjetër i paidentifikuar nga Aleanca, që pas hetimit nga SPAK del i implikuar në vendimin korruptiv të Komisionit marë më datë 13 nëntor 2020.
Sipas kallëzimit të paraqitur nga Aleanca, ka dyshime të arsyeshme dhe është argumentuar se vendimi për miratimin e huasë nè shumën 36 milion Euro, bazuar vetëm në një kërkesë të Bashkisë Tiranë, me objekt për ndërtimin e Teatrit të Ri, pa asnjë dokument bashkëshoqërues dhe pa asnjë analizë financiare dhe ligjore nga ky komision, jo vetëm është antikushtetues por është vendim thellësisht korruptiv, për interesa klienteliste dhe nën ndikimin e paligjshëm të kryeministrit dhe kryebashkiakut në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, evidentohet ligjërisht se, miratimi i një shtesë në Buxhet pa miratuar paraprakisht këtë të fundit me kushtin se kjo hua, do kthehej nga Bashkia Tiranë, pas miratimit tè huasë nga institucionet financiare ndërkombëtare në favor të kësaj të fundit, është në shkelje të rëndë të dispozitave ligjore në fuqi dhe me pasoja të rënda në Buxhetin e Shtetit, në një kohë që vendimi për miratimin e huasë nga institucionet financiare ndërkombëtare është vetëm në dorë e këtyre të fundit.
Në vijim të kësaj beteje, më datë 18 nëntor Aleanca i është drejtuar me një kërkesë Institucionit të Presidentit, me objekt: Mos miratimin e dekretit për ligjin “Për buxhetin e vitit 2021”, si një ligj antikushtetues, korruptiv dhe klientelist.
Po kështu, në të njëjtë ditë, Aleanca depoziton pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit kërkesën për auditim të gjithë procedurën e kërkesës nga Bashkia Tiranë deri në miratimin nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financat të shumës shtesë tè huasë prej 36 milion Euro, që nisur edhe nga shuma e parashikuar në Ligjin Special ka një rritje me + 6 milion Euro, me objekt fillimin e punimeve për ndërtimin të Teatrit të Ri.
Sipas aktivistes dhe juristes Adriana Kalaja, po ndiqen të gjithë rrugët ligjore dhe jo vetëm, me qëllim mos lejimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri si një projekt korruptiv, që nga informimi i të gjithë institucioneve financiare ndërkombëtare për rriskun që ka mos kthimi i shumës dhënë hua deri në kërkesën që pritet të bëhet nga disa eurodeputetë për nisjen e një hetimi ndërkombëtar, bazuar në kërkesën e Aleancës.
Shohim se situata ka shkuar afër fazës finale dhe se ditët në vijim do shohim si do rrjedhin ngjarjet.
Nga ajo që konstatojmë në gjithë këtë protestë unike është se, Aleanca beson fort se Teatri do RINGRIHET Aty dhe Ashtu Si Ishte dhe se, Teatrin do ta ç’dëmtojnë financiarisht ata që e shembën barbarisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



