Kush është Ermal Uruçi, shqiptari që furnizonte me drogë italianët

Një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim mes Policisë italiane dhe shqiptare, u finalizua dje duke shkatërruar një organizatë që merrej me trafikun e kokainës në Milano, Itali dhe në Shqipëri.
Operacioni i koduar “NEIKEA” është zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali dhe Shqipëri, ku në vendin tonë u zhvillua nga “FAST Albania”, RENEA, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, në koordinim me Interpol Tiranën, IP Romën dhe “UCI Albania”.
Janë arrestuar në Tiranë dhe në Laç, me qëllim ekstradimi në Itali, shtetasit: B. C. alias B. K., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe E. P. alias E. U., 27 vjeç, banues në Laç.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan 12 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Milanos, për shtetas italianë dhe shqiptarë të akuzuar për veprën penale “Organizatë kriminalë, me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.
Grupi italo-shqiptar trafikonte kokainë nga Holanda, që kapte vlerën e afro 10 mijë eurove në ditë.
HETIMI
Hetimi kishte nisur që nga viti 2016 nga Policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga shtetasi italian Luca Guerra, që merrej me shitjen e kokainës në Balsamo/Milano. Shtetasi Luca Guerra është arrestuar më datë 01.04.2016 dhe drejtimin e organizatës kriminale e mori shtetasi Giuseppe Sanfilipo, i cili u arrestua më datë 25.06.2016, pasi ka tentuar të vrasë shtetasin shqiptar Marjan Prendi.
Në kuadër të këtij operacioni, më datë 13.11.2016 është arrestuar në kufirin midis Francës dhe Italisë korrieri shqiptar i drogës, si dhe janë sekuestruar 8.6 kg kokainë. Hetimet bënë të mundur identifikimin e një grupi tjetër kriminal, me përkatësi etnike shqiptare, të kryesuar nga Ermal Uruçi, si furnizues i drogës për italianët.
Gjatë veprimtarisë hetimore u kryen gjithashtu 7 arrestime, duke përfshirë pjesëmarrësit kryesorë në organizatën kriminale italiane dhe sekuestrimin e rreth 10 kg kokainë.
Dy shqiptarët e arrestuar dje në Tiranë e Laç do të ekstradohen drejt shtetit italian. Krahas tyre, në Itali u ekzekutuan edhe 10 urdhërarreste. Operacioni i gjerë antidrogë kundër kontrabandës së kokainës në “Palazzi” të rrethit Sant’Eusebio në Cinisello Balsamo (Milano), bëri të mundur goditjen e rrjetit të trafikut.
Shqiptarët luanin rolin e furnizuesve të kokainës nga Holanda në Itali. Sipas Policisë italiane, organizata kriminale ka treguar se ka një strukturë solide, të organizuar për të promovuar tregtinë e drogës 24 orë në ditë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



