Çfarë duhet të bëjë PD?
PS
2013 – 713.407
2017 – 764.750
2021 – 768.250
PD
2013 – 528.373
2017 – 456.413
2021 – 622.265
Kjo është përballja mes PD dhe PS në tre zgjedhjet parlamentare të fundit. Ndryshe nga PD që ka pësuar luhatje të ndjeshme, PS ka mbetur pothuaj në të njëjtat nivele. Ka ato 700 mijë vota që mori kur iu besua rrotacioni politik (2013), kur PD ishte në ditën më të keqe të saj (2017) dhe kur hodhi miliarda euro për të blerë vota (2021).
Nga këto të dhëna del qartë se shqiptari me dinjitet e ka braktisur PS. Nga tre muaj fushatë elektorale kam parë se në zyrat, takimet dhe mitingjet tona, përveç demokratëve merrnin pjesë edhe njerëz jopolitik. Gjithëkush që ka ngritur një veprimtari private dhe ia del të ushqehet vetë, ka patur të zhvilluar instiktin e rrotacionit politik. Pra, ka besuar dhe votuar PD. Kjo për faktin e vetëm se modeli i Shqipërisë sipas Edi Ramës u pa në tetë vite drejtim. Jo 3, por edhe 13 mandate ti japesh, nuk ka për të ndryshuar asgjë, përkundrazi vetëm do përkeqësohet. Raportet e institucioneve ndërkombëtare në lidhje me kriminalitetin, korrupsionin, klimën për biznes, median e lirë dhe të drejtat tjera private, kanë ardhur vetëm duke u rënduar. Imagjino edhe katër vite tjera!!!
Nuk duhet harruar edhe fakti se nga 500 mijë emigrant të larguar gjatë mandatit të dytë, në pjesën dërrmuese të tyre janë vota potencialisht të djathta. Një hendek i madh që u kompensua me vota elektorati gri që e solli PD në të njëjtat nivele. Ishte megaoperacioni i blerjes dhe tjetërsimit të votës, bashkë me formulën zgjedhore, që bëri të mundur të prodhohen 74 mandate. Në thelb, PS është braktisur nga shqiptarët dhe ato që e votuan janë skllevër të rrogës mujore apo të halleve tjera social-ekonomike. Pra, nuk ka qenë një zgjedhje e lirë por e imponuar.
Çfarë duhet të bëjë PD?
Ajo duhet ti kthehet rrugës institucionale. Duhet të qëndrojë e fortë dhe të vazhdojë luftën me sektin e Rilindjes që ka kapur PS. Partia Demokratike duhet të përcjellë besimin te çdo shqiptar, votues ose jo të saj, se është e vetmja garanci përballë sistemit erdoganist të Edi Ramës. Përballja duhet të jetë shumëplanëshe, sa institucionale aq edhe pranë qytetarit. Mbi të gjitha, për çdo rast ajo duhet të shpalosë modelin e saj që duhet të dallojë qartë me atë qeverisës.
Unë jam i bindur se PD gëzon mbështetje edhe më të gjerë se 622.265 njerëz. Problemi i vetëm dhe që mbetet mision i saj është; çlirimi i votuesve nga komplekset dhe marrja peng nga zgjidhja emergjente që u bën partia-shtet gjatë fushatës. PD duhet të kthehet në derën e madhe që troket çdo shqiptar. Në derën ku denoncon dhe falë aksionit opozitar të saj të arrihet zgjidhja e hallit të qytetarit. Me pak fjalë, të bëjë që qytetari të gjejë zgjidhjen te PD dhe jo te qeveria. Unë jam i bindur se këto katër vjet (nëse do arrijë ti mbyllë) do qeveriset për inerci. PS është e lodhur, nuk ka program dhe i janë shteruar idetë. U pa qartë gjatë fushatës ku nuk ishte në gjëndje të artikulonte qoftë dhe një zotim. Përveç kësaj, mes saj dhe votuesit nuk ekziston më mardhënia e të drejtave dhe detyrimeve. Rrogtarëve u jep bukë çdo muaj ndërsa atyre që ua bleu votën nuk u detyrohet më asgjë, detyrimi mbaron në momentin kur bëhet shkëmbimi i mallit dhe për sa kohë vota u lexua pro qeverisë gjithçka mbaroi natën e 26 prillit. Pikërisht, ky është momenti kur PD del në lojë. Ajo duhet të shfrytëzojë çdo të çarë mes qytetarit dhe qeverisë. PD duhet të jetë shtëpia e çdo të braktisuri ku arroganca shtetërore e ka lënë në mes të katër rrugëve. PD duhet të lidhet edhe me shumë me qytetarin. Strukturat vendore duhet të dalin jashtë kornizave partiake dhe të bëjnë të mundur afrimin e çdo personi, tej bindjeve apo përkatësive politike. Ka ardhur koha që PD të jetë e çdokujt që refuzon modelin e Edi Ramës. Prandaj, PD duhet të jetë në Parlament dhe të besohet e mbështetet më shumë se kurrë. Një PD e fortë është garanci që zvogëlon arrogancën e qeverisë së dalë nga votat e tjetërsuar. Nëse me 25 prill gabuam, të gjithë në forma të ndryshme, është koha për reflektim, besim dhe veprim. Partia Demokratike është aty për të gjithë ne!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



