Grabitet kambisti në Sarandë, u sulmua në ashensor

Personi në foto është 70-vjeçari Ibrahim Didani, kambisti i moshuar i cili u grabit sot në mbrëmje nga tre persona në Sarandë.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar, ndërkohë që kambisti po ngjitej për në banesë përmes ashensorit.

Ai është sulmuar nga tre persona, dy djem dhe një vajzë, të cilat pasi e kanë goditur kanë mundur t’i marrin shumën 5 milionë lekë të vjetra.

Korrespondenti ynë mëson se kambisti ka marrë goditje në pjesë të ndryshme të trupit. 70-vjeçari është dërguar drejt spitalit ku po merr ndihmën e parë mjekësore.

Ibrahim Didani

Ndërkaq Policia e Sarandës dhe FNSH kanë nisur operacionin për kapjen e autorëve të grabitjes me dhunë. Burime bëjnë me dije se kambisti Didani është shprehur se autori kryesor i goditjes ka qenë një djalë rreth 25 vjeç me flokë të prera shkurt.

Ndërkohë dëshmitarë okularë i thanë gazetarit  se nga pallati i Didanit dolën duke vrapuar dy djem dhe një vajzë të cilët u larguan me vrap drejt rrugës së Portit Detar në Sarandë. Pritet këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave pranë vendit të ngjarjes.

Publikuar nga Publik Media