“Defender Europe 21”/ Meta: Forcat tona të Armatosura kanë treguar profesionalizëm dhe gatishmëri
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë “Dita e Hapur në Tiranë”, që u zhvillua në kuadër të stërvitjes së përbashkët të NATO-s, “Defender Europe 21”.

Duke iu drejtuar dhe përshëndetur autoritetet e larta ushtarake dhe civile, shqiptare dhe të huaja të pranishëm, komandantëve dhe trupave ushtarake pjesëmarrësve në stërvitjen shumëkombëshe, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë të jemi sot së bashku në këtë Shesh, që mban emrin e Shenjtores së madhe shqiptare ”Nënë Tereza”, për të demonstruar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të stërvitjes më të madhe me trupa organizuar dhe zhvilluar ndonjë herë në vendin tonë dhe Ballkan, në shërbim ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.
Operacionet trajnuese në det, ajër dhe tokë kanë qënë të suksesshme dhe kanë realizuar të gjithë objektivat e planifikuara deri më tani duke spikatur veçanërisht në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë midis trupave.
Vlerësoj lart nismën, organizimin dhe zhvillimin e kësaj stërvitjeje të rëndësishme në vendin tonë. Mbështetja dhe shkëmbimi i eksperiencës mes Forcave tona të Armatosura dhe forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera aleate dhe mike do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen.
Jam i lumtur që pushteti lokal dhe popullsia e zonave të përfshira brenda rajoneve të zhvillimit të stërvitjeve kanë shpalosur dhe një herë mikpritjen dhe bujarinë tonë tradicionale.
Kam bindje e besim të plotë se dhe pjesa e mbetur e finalizimit të kësaj stërvitjeje të madhe me trupa do të vazhdojë të jetë e suksesshme me angazhim të plotë të të gjithë aktorëve në arritjen e objektivave të përbashkëta.
Shpreh falënderimet më të përzemërta për kontributin dhe mbështetjen e SHBA dhe vendeve tjera aleate dhe partnere që zgjodhën vendin tonë si vend pritës, për organizimin dhe zhvillimin e kësaj stërvitje tepër të rëndësishme.
Si vend anëtar i NATO-s, ne ndjehemi të vlerësuar për këtë fakt. Sikundër kam theksuar dhe në hapje të kësaj stërvitjeje, NATO është aleanca më e madhe e lirisë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj është unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni ynë europian.
Përgëzoj Forcat tona të Armatosura për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar dhe i inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale për të qenë gjithmonë të gatshëm dhe në përgjigje të situatave dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe të angazhimeve në kuadër të NATO-s”, – u shpreh Presidenti Meta.
Më pas, Kreu i Shtetit së bashku me personalitetet e tjera të pranishme në këtë aktivitet, ndoqi demonstrimet e kryera nga trupat ushtarake të pranishëm në “Ditën e Hapur në Tiranë”, vizitoi stendat informuese dhe mjetet ushtarake të vendosura në Sheshin “Nënë Tereza”, si dhe bashkëbisedoi me burrat dhe gratë në uniformë, pjesëmarrëse në Stërvitjen e përbashkët “Defender Europe 21”.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim thotë se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah Shqipërisë për një vend demokratike dhe më të fortë.

Ajo thotë se do të jenë përkrah vendit për detyra të vështira por që sipas saj, nuk janë të pamundura.
“Presidenti Meta, kryeministër Edi Rama, të dashur miq çfarë dite e bukur për të ekspozuar ushtritë tona në stërvitjen “Defender 21”. Është një moment historik për aleancën e NATO-s dhe demonstrimi e një suksesi ushtarak.
Në javët e fundit ushtarë nga shumë vende janë stërvitur së bashku në Shqipëri, aftësitë tona në mënyrë që aleatët e NATO-s të mund të kryejnë çdo mision në tokë dhe në ajër. Defender 21 ka hedhur bazat për një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet e ardhshme. Gjëja e parë që shoh që më bën të lumtur janë shqiptarët dhe amerikanët që punojnë me njëri tjetrit.
Ushtarët tanë me uniformë ndihen njësoj si ne diplomatët të veshur me kostume. Vlerësojmë mikpritjen dhe janë krenarë që SHBA e quajnë Shqipërinë një mik dhe aleatë. Ne vijmë nga ato përvoja që Shqipëria është një aleate e fortë. Ushtarët amerikanë do të kthehen në Shqipëri për të forcuar partneritete. Defender 21 pasqyron angazhimet. E vlerësojmë që të gjithë ju e dini që ndodhemi në një moment historik.
Jemi të bashkuar se kjo marrëdhënie mes amerikanëve dhe shqiptarëve duhet të vlerësohet mbi çdo gjë tjetër. Ne qëndrojmë me ju sot me solidaritet të fortë për një Shqipëri demokratikë të pavarur dhe të fortë. Do vazhdojmë të qëndrojmë me ju teksa merrni detyra të vështira që nuk janë të pamundura. Nëse është dikush që mund të sfidojë vështirësitë ky është populli shqiptar. Skëndërbeu është simbol uniteti, qëndrueshmërie dhe vizioni, Jemi krenarë që jeni me ne si aleatë këtu sot”, u shpreh Kim në një fjalë të mbajtur në një stërvitje ushtarake në Sheshin “Nënë Tereza”.
Kryeministri Edi Rama thotë se ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve midis dy vendeve.

Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti në sheshin “Nënë Tereza”, të Forcave TË ARMATOSURA në kuadër të stërvitjes së përbashkët me trupat amerikane, “Defender Europe 21”.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Miq dhe të ftuar, është një nder i veçantë dhe një privilegj për mua që sot në emër të qeverisë të shpreh mirënjohjen për Ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje. Dëshiroj që përveç mirënjohjes për të gjithë ata me uniform që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë me përkushtimin dhe sakrificat e tyre të shpreh mirënjohje edhe për familjet e tyre.
Familje që sakrifikojnë çdo ditë që janë të parat që preken nga emocione për shkak të përfshirjes së familjarëve të tyre në FA. Sot dua të falenderoj të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje domethënëse nga SHBA dhe të gjithë vendet e tjera. I bëj një falenderim Kim, e cila me përkushtimin e saj i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetje të kërkesave dhe nevojave, në drejtësi dhe mbrojtje. Besimi që SHBA kanë treguar në vijim te ky partneritet dhe aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje që jo rastësisht është stërvitja më e madhe dhe me përfshirjen më domethënëse.
Nënvizoj që ndërkohë që kjo shfaqje e bukur për t’u dhënë mundësi qytetarëve të vijnë të vizitojnë këtë arsenal nuk do ishte e tillë nëse nuk do kishte qenë mbështetja e SHBA për rritjen e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare. Kam besim se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të FA duke krijuar kështu një hapësirë tërheqëse për ta materializuar thirrjen për të rinjtë që duhet ta shohin adresën e FA si mundësi të artë për formimin edhe pas shkollimit”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



