E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KLGJ kundër ministrit të Brendshëm: Respektoni pavarësinë
Publik News

KLGJ kundër ministrit të Brendshëm: Respektoni pavarësinë

Përmes një reagimi zyrtar, Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehet se dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi. KLGJ-ja kërkon që denoncimi i rasteve të bëhet me fakte në organet kompetente.

Në ketë rast, duket se kërkesa është pikërisht për ministrin Çuçi dhe akuzat që ai ka ndaj gjyqtarit të Gjirokastrës Elidon Papzisi, për të cilin dy ditë më parë kërkoi verifikim të vendimeve nga ILD-ja dhe KLGJja, me pretendimin se ka penguar operacionin “Bregdeti Ynë”.

“Me keqardhje konstatohet se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të pavarësisë së gjyqtarëve në ushtrimin e veprimtarisë së tyre për dhënien e drejtësisë”, shprehet KLGJ-ja.

REAGIMI I KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj vendimeve të dhëna nga gjykatat. Gjithashtu, me keqardhje konstatohet se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të pavarësisë së gjyqtarëve në ushtrimin e veprimtarisë së tyre për dhënien e drejtësisë.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendje të opinionit se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton se gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve dhe se ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve sjell më pas përgjegjësi sipas ligjit.

Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje të subjekteve publike ose private. Ky është kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës.

Qëndrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin dhe bien ndesh me qëllimet dhe objektivat e reformës në drejtësi, si dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit.

Gjithashtu, ato ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë, të papranueshme në shtetin e së drejtës, në të cilin mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh bindjen se respektimi i gjyqtarëve dhe i funksionit e dinjitetit të tyre, sjell forcim të shtetit të së drejtës, si dhe rrit transparencën dhe përgjegjësinë e pushtetit gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë vlerat thelbësore të një shteti të së drejtës. Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjelljeje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur, nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit.

AKSIONI I IKMT

Prej 4 ditësh IKMT-ja në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë nisur operacionin “Bregdeti Ynë” që ka si synim shembjen e të gjithë ndërtimeve pa leje, çlirimin e çdo hapësire të zaptuar dhe vënien përpara përgjegjësisë të gjithë shkelësve të ligjit.

Operacioni ka iniciuar në Ksamil dhe Velipojë dhe ndërkohë do të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ditën kur startoi aksioni, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi nisjen në Ksamil e Velipojë të shembjes së ndërtimeve pa leje dhe se operacioni “Bregdeti Ynë” do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar e për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

LETRA E ÇUÇIT NË ILD DHE KLGJ PËR GJYQTARIN: PO PENGON AKSIONIN E IKMT

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dy ditë më parë u nisi letër ILD-së dhe KLGJ-së për gjyqtarin e Administratives së Gjirokastrës, pasi siç shprehet ai me vendimet e tij, po bëhet shkak në pengimin e aksionit të IKMT-së, për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.

Çuçi u është drejtuar me një letër-kërkesë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor për dijeni dhe të ministres së Drejtësisë, ku shpreh shqetësimin në lidhje me disa vendime (sigurim padie) të dhëna nga gjyqtari Elidon Papazisi, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Sipas ministrit, këto vendime janë bërë shkak që të pengohet aksioni i IKMTsë dhe Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit kundër ndërtimeve të paligjshme “Bregdeti ynë”. Në letrën e ministrit të Brendshëm thuhet se, gjatë ditëve të fundit është evidentuar emri i gjyqtarit, i cili kanë dhënë vendime të atilla, që në analizën dhe vlerësimin e strukturave te Ministrisë së Brendshme janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë dhe në thyerje të ligjit.

“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër ka pranuar pjesërisht kërkesën e paditësit për marrjen e masës së sigurimit të padisë pa u thelluar në arsyetimin e saj dhe duke mos i dhënë rëndësinë e duhur kundërvajtjes së ndërtimit pa leje, duke pezulluar në këtë rast prishjen e një ndërtimi të kundërligjshëm”, nënvizohet në letrën e ministrit Çuçi, për një nga vendimet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.