Prindërit insistojnë për mësim normal, letër institucioneve: Siguroni kushtet e duhura, po shkelet…
Përmes një letre drejtuar ministreve të Arsimit dhe Shëndetësisë dhe ku vënë në dijeni Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe avokaten e popullit, komuniteti i prindërve të shkollave të arsimit parauniversitar kërkon sigurimin e kushteve për zhvillimin e mësimit me orë të plota 45-minutëshe.
KËRKESA
Vendimi i papritur për të zhvilluar mësim me turne me qëllim respektimin e protokollit anti-COVID ka zgjuar revoltën e prindërve. Të bindur që me vaksinimin, me hir apo pa hir, të shumicës së stafit pedagogjik, shkollat do t’i riktheheshin normalitetit, ata u zhgënjyen së tepërmi pak ditë më parë kur u njohën përmes grupeve të “Whatsapp”-it me turnet e fëmijëve të tyre. Kjo, për shkak të masave, që duhet të zbatohen njëjtë si vitin e kaluar, kur vaksina ishte ende në fazë eksperimentale dhe nuk kishte asnjë mjet tjetër veç mbrojtjes individuale e higjienës. Kushtet e reja nuk sollën asnjë përmirësim më mënyrën e zhvillimit të mësimit. Përkundrazi.
Fill pas mësimit plotësues, që nuk u ndoq nga të gjithë nxënësit, pasi u la në dëshirën e nxënësve, viti i ri shkollor solli në vëmendje problematikat e vjetra. Mësim me orë të shkurtuara në klasa me gjysmën e kapacitetit. Praktikisht, shkollat që dikur ishin me një turn u kthyen me nga dy turne, ndërsa ato me dy të tilla u derivuan në tri apo katër turne me mësim deri në orët e vona të pasdites. Duke qenë se një pakicë shkollash që mbajnë shumicën e nxënësve në rang vendi i përkasin Tiranës, komuniteti i prindërve të shkollave të arsimit parauniversitar në Tiranë është organizuar në një nismë për t’i thënë jo mësimit me turne.
“Ne, komuniteti i prindërve të nxënësve të arsimit parauniversitar dëshmojmë se pas dy viteve shkollore të zhvilluara në situatë pandemie, fëmijët tanë hasin probleme dhe mangësi në njohuritë e tyre, të cilat ne ia atribuojmë formave jo efektive të mësimdhënies. Të vetëdijshëm për situatën që po kalon vendi, por të shqetësuar për fatin e fëmijëve tanë, e konsiderojmë si kusht të panegociueshëm zhvillimin e programit lëndor mësimor të plotë me orë 45-minutëshe gjatë vitit shkollor 2021 – 2022”, thuhet në letrën drejtuar institucioneve vendimmarrëse, duke iu kujtuar se po shkelet e drejta themelore kushtetuese për arsim, ligji për arsimin parauniversitar dhe barazinë në arsim, duke diskriminuar një kategori fëmijësh dhe favorizuar të tjerë. “Bazuar në të drejtën që ligji dhe Kushtetuta na njeh, si qytetarë, taksapagues dhe prindër, kërkojmë sigurimin e kushteve infrastrukturore për zhvillimin e programit lëndor (mësimit) me orare të plota (45 minuta) për të gjithë nxënësit në shkollat e arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet të letrën që kërkon përgjigje brenda pesë ditëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



