Me ç’ farë karte morale do t’i thërrisni njerëzit në protestë Lulzim Basha?!
Nga Elona Caslli / Nuk dua të merrem me historikun e protestave që keni organizuar para 25 prillit dhe me gjithçka tjetër, pasi pjesa opozitare ku bëj pjesë dhe unë ju pranoi bashkë me to teksa ju mbështeti para 25 prillit.
Për sa kohë pranon dhe mbështet dikë me të gjitha dritëhijet para një beteje nuk është as e hijshme dhe as shenjë karakteri t’ia përmendësh dritëhijet pas humbjes, apo pas fitores së betejës.
Ndaj unë në raport me ju e shtrij gjykimin pas datës 25 prill.
Ka pesë muaj që e gjithë pjesa opozitare e kësaj shoqërie pret fjalën ” protestë” të dalë nga goja juaj dhe kur them pjesë opozitare nuk nënkuptoj veçse anëtarësinë e Partisë Demokratike, por edhe atë pjesë të shoqërisë shqiptare që bëri kompromis me figurën tuaj për të rrëzuar Edi Ramën dhe rezultatet treguan se i vetmi kompromis që prodhonte mandate ishte kompromisi me opozitēn.
Çdo kompromis tjetër prodhonte veçse vota të djegura që nuk përfaqësoheshin kund.
Për pesë muaj kjo pjesë e shoqërisë, nuk pa gjë tjetër veçse një heshtje vrastare dhe asgjë tjetër.
Tani më thoni me cilin argument i ftoni opozitarët në shesh?!
Për cilën arsye duhet t’i përgjigjen shqiptarët protestës suaj?!
Për vullnetin e tjetërsuar më 25 prill për të cilin u hesht për pesë muaj?!
Për mandatin e tretë të pranuar të Edi Ramës?!
Për zyrtarizimin përfundimtar të Partisë Shtet?!
Para dy javësh teksa kthehesha në shtëpi, një zotëri rreth të shtatëdhjetave më ndaloi në rrugë. Nuk e njihja. Më ndaloi dhe më tha- Ti je Caslli?!
Po- iu përgjigja. Të njoha veç nga syzet dhe të lexoj rregullisht dhe të respektoj fort.- vazhdoi ai.
Dua të të bëj një pyetje Caslli- tha ai.
Të gjitha qëndrimet e Opozitës pas 25 prillit më çojnë veçse tek një pyetje- Mos ndoshta votuam Ramën me dorën tonë?!
Post Scriptum- Këtë përgjigje duhet ta jepni ju Lulzim Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



