E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mandati i vetingut/ Flet Damian Gjiknuri: Kërkesë e ndërkombëtarëve! Përzierja e SPAK-ut me vetingun e politikanëve do ta bënte joefikase këtë strukturë për shkak të ngarkesës
Lajme

Mandati i vetingut/ Flet Damian Gjiknuri: Kërkesë e ndërkombëtarëve! Përzierja e SPAK-ut me vetingun e politikanëve do ta bënte joefikase këtë strukturë për shkak të ngarkesës

Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, shprehet se ishin ndërkombëtarët që kërkuan zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Gjiknuri i kujton Partisë Demokratike se votimi i kësaj kërkese është një detaj teknik në zbatim të Reformës në Drejtësi.

Propozimin e PD-së për veting të politikanëve, Gjiknuri e cilëson konfuz, që tenton të mbivendosë kompetencat e institucioneve që kontrollojnë politikanët, ndërsa sheh rrezik për t’u politizuar përfshirjen e SPAK-ut në këtë proces.

Gjykata Kushtetuese legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit 2019. A jemi përsëri në shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit, mosdekretimi i zgjedhjeve të pjesshme në ato bashki që drejtohen pa kryetar të zgjedhur? Ka pasur argumente Presidenti që ta mbante të ngrirë këtë detyrim kushtetues?

Gjiknuri: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte në fakt konfirmim i qëndrimit të drejtë që mbajti Partia Socialiste dhe maxhoranca duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur me votë në datën e dekretuar të zgjedhjeve. Ashtu sikurse konstatoi edhe Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë, e drejta e qytetarëve për t’u shprehur me votë nuk mund të varet nga kapriçot e forcave politike, qofshin ato në maxhorancë apo opozitë. Zgjedhja e një force politike apo një grupi forcash politike për të mos u bërë pjesë e garës elektorale nuk kushtëzon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Partia Socialiste ndihet sot krenare që nuk u tërhoq përballë presionit dhe shantazhit të bërë nga partitë e opozitës duke e respektuar 30 qershorin. Qëndrimi i Presidentit dhe zhdekretimi i datës së zgjedhjeve ishte dukshëm në kundërshtim me Kushtetutën, një manovër e rrezikshme, por sikurse dhe ndodhi, juridikisht nuk kishte asnjë vlerë.

Presidenti do duhet të kishte dekretuar zgjedhjet e pjesshme vendore që në momentin kur është vënë në dijeni zyrtarisht për krijimin e vakancave në bashkitë respektive pas 30 qershorit. Qëndrimi absurd i Presidentit krijoi një situatë sui generis ku në Bashkinë e Shkodrës vazhdon të qëndrojë në detyrë një kryetare së cilës i ka mbaruar mandati që në vitin 2019, ndërsa në bashki të tjera drejtimi vazhdon me kryetarë të komanduar. Kjo lloj situate do duhet të merrte fund me deklarimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit. Në fakt, Presidenti duket se vazhdon qëndrimin e tij aspak në përputhje me ligjin, duke mos firmosur dekretin për zgjedhjet e pjesshme lokale. Nuk mund të ketë sot asnjë argument apo pretendim mbi të cilin të pengohet respektimi i detyrimit për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme duke zhbllokuar ngërçin e krijuar në këto bashki. Partia Socialiste është e gatshme që me shpalljen e datës për zgjedhjet e pjesshme, të përfshihet në fushatën elektorale dhe të dalë fituese.

Duket se nxitimi i PS-së për të futur në procedurë parlamentare zgjatjen e organeve të vetingut mund të çojë në mosarritjen e kuorumit prej 94 votash për ta miratuar atë, duke ia kaluar këtë kompetencë KLGJ-së dhe KLP-së. A ka garanci ky proces kur ONM nuk mbetet më pjesë e procesit të vetingut dhe kur janë ende rreth 40% e prokurorëve dhe gjyqtarëve për t’u vlerësuar?

Gjiknuri: Ju e dini se Partia Socialiste ka qenë promotore, mbështetëse dhe nxitëse e Reformës në sistemin e Drejtësisë. Sot jemi përpara një situate ku në fillim të vitit të ardhshëm përfundon mandati i organeve të vetingut dhe siç ju e konstatoni, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ende pa kaluar në sitën e këtij kontrolli të imtësishëm. Nuk ka një nxitim të Partisë Socialiste për ta futur në procedurë parlamentare zgjatjen e organeve të vetingut, por ka një kërkesë të partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë investuar para dhe energji për mbarëvajtjen e procesit të Reformës në Drejtësi. Që kjo reformë të quhet e kryer me sukses duhet që të përfundojë plotësisht procesi i vetingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Ligji ka parashikuar edhe procedurën e zhbllokimit, duke ua lënë të drejtën e vazhdimit të procesit të vetingut organeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Por, siç edhe është konstatuar nga partnerët ndërkombëtarë, është e preferueshme që edhe gjyqtarët dhe prokurorët e mbetur t’i nënshtrohen procesit të vetingut në të njëjtin standard me ata që tashmë e kanë kaluar. Një element ky i cili do të ndikonte pozitivisht në rritjen e besueshmërisë së këtij procesi dhe përmbylljen e tij me sukses. Për të mundësuar këtë, duhet që Parlamenti të miratojë shtyrjen e mandatit të organeve të vetingut. Partia Socialiste i është përgjigjur menjëherë pozitivisht kësaj kërkese të partnerëve duke ofruar mbështetjen e saj, ndërsa ka kërkuar publikisht bashkëpunimin e opozitës. Duhet kuptuar që shtyrja e mandatit të organeve të vetingut nuk është një lëshim që opozita i bën maxhorancës, por një detaj teknik në vijimësi e zbatim të marrëveshjes së arritur prej vitesh mes palëve për Reformën në Drejtësi. Nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje të re dhe as një pakt ku njëra palë i merr diçka palës tjetër. Është një detyrim që të dyja palët kemi ndaj qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mundësuar përfundimin e Reformës në Drejtësi. Shtyrja e mandatit të organeve të vetingut kërkon një shumicë të cilësuar votash, të cilat maxhoranca nuk i ka. Ne natyrisht nuk kemi në dorë votat dhe as qëndrimin e opozitës, por presim prej saj të ngrihet në lartësinë e duhur të detyrës, duke mos penguar këtë reformë dhe as kushtëzuar votat me asnjë kërkesë tjetër.

A do duhej një analizë e punës së organeve të vetingut në këto 5 vjet dhe marrja e garancive se KLGJ dhe KLP do të mundet ta përmbushë këtë mision?

Gjiknuri: Natyrisht, procesi mund dhe do duhet të kishte ecur më shpejt. Analiza e punës së organeve të vetingut është e nevojshme për të kuptuar problematikat që janë hasur. Kjo analizë mund të shërbejë për ta bërë më efektive punën e këtyre strukturave për periudhën në vazhdim. Por analiza në vetvete nuk duhet kuptuar si një parakusht për vendimmarrjen për të zgjatur afatin e organeve të vetingut. Janë dy procese të cilat mund të ecin paralelisht me njëra-tjetrën. Në këtë formë arrihet të kuptohet problematika e hasur që ka shkaktuar zvarritjet tej parashikueshmërisë fillestare, por edhe nuk bllokohet ecuria e mëtejshme e procesit.

PD ka propozuar sërish veting në politike përmes SPAKut. Kur vetingu ka përfshirë të gjitha fushat, madje dhe gjendjen motorike të automjeteve, përse PS e sheh me skepticizëm, kur dimë se perceptimi i publikut është shume negativ ndaj politikës?

Gjiknuri: Perceptimi i publikut ndaj politikës në fakt më së shumti është produkt i vetë mënyrës se si është zhvilluar debati politik në Shqipëri. Partia Demokratike ka një peshë të madhe faji në këtë drejtim për shkak të retorikës agresive dhe akuzave absurde pa fakte e prova që ka lëshuar gjithmonë ndaj kundërshtarëve si një mënyrë për të përfituar politikisht duke baltosur. Edhe ky propozim i ribërë së fundi është pikërisht në ndihmë të përkeqësimit të perceptimit të qytetarëve ndaj politikës. Them ribërë pasi nuk është diçka e re në fakt, pasi Partia Demokratike e ka artikuluar këtë edhe më herët. Duket sikur sa herë janë në vështirësi për të legjitimuar veten brenda opozitës, lëshojnë tullumbace të tilla. Me synimin për të hequr vëmendjen e qytetarëve ndaj zhvillimeve brenda Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur të rinxjerrë nga sirtari propozimin për vetingun në politikë. Është natyrisht një propozim konfuz që bën lëmsh kompetencat e institucioneve duke i mbivendosur.

Shqipëria e ka të gjithë bazën ligjore, institucionet dhe strukturat për të verifikuar çdo aspekt ekonomik, moral apo etik të një politikani. Ju kujtoj se të gjithë politikanët i nënshtrohen periodikisht hetimit të imtësishëm nga ILDKPKI të pasurisë, deklarimeve, të ardhurave, shpenzimeve dhe konfliktit të interesit. Çdo transaksion i kryer nga persona të ekspozuar politikisht u nënshtrohet ligjërisht procedurave të hetimit nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Shqipëria ka gjithashtu në fuqi një ligj të ashpër Antimafia që gjithashtu ka sferën e veprimit të gjerë për çdo lidhje të pretenduar të politikanëve me krimin e organizuar apo korrupsionin. Prej vitesh është në fuqi tashmë një ndër ligjet më agresive, ai i dekriminalizimit. Në këto kushte, mendoj se është e panevojshme që të rëndosh SPAK-un me veting të politikanëve kur ky proces ligjërisht bëhet prej këtyre institucioneve, ndërsa moralisht e politikisht bëhet nga votuesit. Përzierja e SPAK-ut me vetingun e politikanëve përveçse do ta bënte jo efikase këtë strukturë për shkak të ngarkesës, rrezikon ta politizojë atë duke minuar kështu besimin e publikut në organet e reja të drejtësisë.

Ju kujtoj se Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë mbi këtë propozim të bërë nga Partia Demokratike në vitin 2018 ka konstatuar se politikanët ndryshojnë nga gjyqtarët, pasi të parët u nënshtrohen zgjedhjeve minimalisht çdo katër vjet, ndërsa gjyqtarët zgjidhen përjetë dhe japin llogari brenda pushtetit të tyre. Gjithsesi, Partia Socialiste mbetet e hapur për t’u ulur me opozitën në tryezë për të diskutuar edhe mbi çdo ide që synon përmirësimin e bazës ligjore ekzistuese e që garanton rritjen e efektivitetit të punës së institucioneve që përgjigjen për pastërtinë dhe integritetin e politikanëve.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi herësin me listat e kandidatëve për deputete për të qenë fitues, duke e hapur listën. Ju si bashkëkryetar i komisionit për reflektimet në Kodin Zgjedhor, të mos e quajmë më reformë, pas çdo zgjedhjeve, çfarë qëndrimi do të mbani ndaj këtij vendimi; do të jetë një listë krejtësisht e hapur me filtrime të kandidatëve nga subjektet apo do të kërkohet të garantohet një përqindje e listës e paprekshme?

Gjiknuri: Gjykata Kushtetuese në fakt nuk e ka rrëzuar mekanizmin e herësit në llogaritjen e votave preferenciale dhe shpërndarjen e mandateve. Gjykata vëren se ligjvënësi, në sistemin proporcional me konkurrim rajonal, ka parashikuar herësin si mekanizimin baraspeshues midis rolit të partisë politike në procesin zgjedhor në raport me ndikimin e votimit të drejtpërdrejtë parapëlqyes. Ashtu siç është evidentuar, partitë politike kanë një rol të rëndësishëm duke ndikuar në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje, bazuar në një konkurrim të lirë, si shfaqje e natyrës pluraliste të shoqërisë demokratike dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit, ndërsa nga ana tjetër, zgjedhësit, me votimin parapëlqyes, ndikojnë në demokratizimin e partive politike. Në këtë pikëpamje, vlerëson gjykata, herësi shërben për të pasur stabilitet në të gjitha zonat zgjedhore, mundësi për demokratizimin e partive politike, stabilizim të jetës politike gjatë shpërndarjes së mandateve, pa lënë mënjanë respektimin e parimit të barazisë gjinore.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se ligjvënësi, në parashikimin e masës së herësit, si mekanizëm për shpërndarjen e mandateve, ka justifikuar interesin publik. Ajo çka thotë gjykata në vendimin e saj është se në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, mekanizmi i herësit e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur. Sipas gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës duke përmbushur kriterin e proporcionalitetit. Mënyra e përcaktimit të herësit dhe vlera e tij tashmë do duhet të jetë pjesë e diskutimit mes palëve në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Natyrisht, i kemi të gjitha mundësitë që gjatë këtij diskutimi të konsultohemi edhe me ekspertizën e huaj për të dalë me një zgjidhje sa më të kënaqshme e në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në PS do të analizohej një raport mbi zgjedhjet e 25 prillit. Ka një përgjegjësi partia apo individë të caktuar për mbi 83 mijë vota të pavlefshme, që mund të jepnin për PS të paktën 4 mandate më shumë?

Gjiknuri: Në mbledhjen e datës 15 tetor 2021, kryesia e Partisë Socialiste miratoi metodologjinë e përgatitjes së analizave për rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. Gjithashtu, kryesia miratoi edhe kalendarin e zhvillimit të këtyre analizave në strukturat e partisë në të gjithë territorin. Prej disa javësh po zhvillohen mbledhjet e Këshillave Socialiste në çdo njësi administrative, bashki dhe nivel qarku. Në këtë proces janë të pranishëm drejtuesi politik i qarkut, kryetari i bashkisë, deputeti i zonës dhe kryetari i partisë. Sipas kalendarit të miratuar, procesi i analizës pritet të përfundojë në 30 nëntor. Me përfundimin e analizës për zgjedhjet për çdo njësi administrative, do të zhvillohen mbledhjet zgjedhore në organizatat socialiste.

Proces që duhet të përmbyllet brenda datës 20 dhjetor. Datë që përkon edhe me afatin për përgatitjen dhe dorëzimin në kryesinë e partisë të raportit të analizës për zgjedhjet e përgjithshme në nivel qarku. Bazuar mbi konkluzionet konkrete të analizës, Partia Socialiste do t’i nënshtrohet procesit të riorganizimit elektoral me synim korrigjimin e mangësive të konstatuara, maksimalizimin e rezultatit në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare të 2025-ës. Në funksion të këtij riorganizimi, me autorizim nga kryesia e partisë, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, kam ngritur grupin e punës për ndryshime në Statusin e partisë.

Ju keni marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ju është lënë një periudhë 100-ditore për të raportuar gjendjen e PS-së dhe ndërhyrjet që duhen bërë. Si është gjendja organizative në terren, çfarë thjeshtimesh statutore priten? Do të heqë dorë PS nga patronazhistët?

Gjiknuri: E veçanta e Partisë Socialiste është se edhe kur fiton zgjedhjet i nënshtrohet analizës së rezultatit për të përmirësuar veten. Ky është çelësi që na bën të jemi gjithnjë të suksesshëm dhe asnjëherë të vetëkënaqur. Përfundimi i vitit do të na japë një panoramë shumë të qartë të analizës së rezultatit zgjedhor në të 12 qarqet e vendit. Ristrukturimi elektoral i partisë do të realizohet në funksion të rezultateve të kësaj analize. Duke qenë se ajo ende nuk është përmbyllur, është herët të flasim për detaje konkrete. Gjithsesi, për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj, më lejoni t’ju konfirmoj se patronazhistët janë struktura të cilat përdoren nga të gjitha partitë edhe në vende të zhvilluara dhe që synojnë maksimalizimin e rezultatit elektoral duke vepruar në përputhje të plotë me ligjet e vendit. Kjo strukturë përgjithësisht ka pasur një funksionim të kënaqshëm dhe jam i sigurt se do të përmirësohet në vijim duke qenë një prej shtyllave elektorale të Partisë Socialiste.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.