Paga e mjekut të familjes 80 000 lekë ndërkohë shoferët e x institucioneve shtetërore 150 000 lekë

PËR PAGAT

1.Rroga e mjekut të familjes rezulton mesatarisht rreth 80 000 lekë ndërkohë shoferët e x institucioneve shtetërore (apo enteve/personave juridik publik) paguhen deri në 150 000 lekë. Nëse ka ndonjë vend tjetër ku ndodh kjo ju lutem na e thoni…
2. Këshilltarët e bashkive rezulton se paguhen 2 herë më shumë se mësuesit e shkollave tona. Çështje prioritetesh. Nga sa duket dijësimi i fëmijëve tanë vlen më pak se këshillimi i politikanëve tanë.
3. CEO-t dhe inxhinierët e kompanive të nxjerrjes së naftës paguhen deri në 6.5 milion lekë në muaj (të reja) ndërkohë që kompanitë deklarohen me humbje duke mos i paguar shtetit detyrime (sa dhe si do duhej) dhe naftëtarët i paguajmë ne me ndihmë ekonomike. Unikal në botë. Nxjerrim naftë dhe futemi në borxh për të paguar rrogat e naftëtarëve. Po ndalem te ky sektor pasi edhe pse menaxhimi është privat, bëhet fjalë për burimet natyrore të vendit që janë pasuri publike.
4. Nga rreth 637 000 të punësuar (sipas listës), mbi 300 000 prej tyre e kanë rrogën vetëm 30 000 lekë (ata pa nipt). Vend i varfër deri në skamje. Kjo është ajo që duhet të na shqetësoj së shumti.
5. Rrogat e privatit nuk mund t’i gjykoj askush. Problem duhet të jetë paraja në të zezë dhe jo rrogat e deklaruara. E vetmja gjë që mund të bëhet është kontrolli mbi burimet e parave të privatit. Nëse burimet janë të ligjshme rrogat t’i hanë gëzuar!

E fundit: Le të mos bëjmë sikur nuk i dinim. Të gjithë e dinë se këtu abuzohet me paratë dhe pasuritë publike. Ja e morëm vesh edhe përmes publikimit. Çfarë ndodhi? Asgjë! Pse? Sepse direkt apo indirekt e kemi miratuar këtë që ndodh. Përkundrazi, ju turrëm njëri-tjetrit. Gjyq publik. Gjyqet publike kurrë nuk kanë përfundim të mirë. Pas kësaj rrjedhje informacioni fituan veçse bandat që tashmë kanë material më shumë dhe politika e cila e përçau dhe më shumë shoqërinë./ Adriatik Lapaj

 

Publikuar nga Publik Media