E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Morava Resort”/ Kush e mori ryshfetin 100 mijë euro?! Noterja Çela në Apel, Qori në SPAK, KPK dhe ILD
Lajme

“Morava Resort”/ Kush e mori ryshfetin 100 mijë euro?! Noterja Çela në Apel, Qori në SPAK, KPK dhe ILD

 

Organizata kriminale për tjetërsimin e “Morava Resort” në Korçë, pjesëtarë të së cilës janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë, ka filluar të çmontohet. Dy anëtarët e kësaj “bande” do të përballen me institucionet e reja të drejtësisë.

Anëtari më i ri, Bedri Qori, i cili mori një vendim skandaloz për pushimin e gjyqit ndaj Margena Çelës, është dërguar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai është kallëzuar penalisht në SPAK me akuzën e shpërdorimit të rëndë të detyrës apo edhe me dyshimin e një marrje ryshfeti të majmë. Në këtë mënyrë, duke u përfshirë edhe BKH-ja (FBI-ja shqiptare), do të hetohen ish-zyrtarët e shkarkuar, të cilët po kthehen në grupe kriminale në gjyqësorin shqiptar.

Gazeta Shqip ka mësuar nga burime konfidenciale se për dhënien e vendimit të Qorit, apo për disa akte të tjera, është paguar një shumë prej 100 mijë eurosh. Dhe, me këtë shumë, kjo bandë po tenton që të “fshijë” provat nga organet e prokurorisë apo të gjykatave.

Por, nëse Qori dyshohet se mund të jetë korruptuar, a do të korruptohen tashmë edhe prokurorët e SPAK?

Vendimi skandaloz i Qorit është dërguar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjyqtari Qori ende nuk e ka kaluar Vetingun dhe pritet që të paraqitet në KPK pas disa javësh. Dhe, krahas SPAK, KPK-ja do të verifikojë vendimmarrjen e tij apo edhe lidhjet me botën e krimit apo me persona me precedentë kriminalë.

Vendimmarrja e tij është skandaloze, ndoshta për të bërë nderët e fundit apo fitimet e fundit në detyrë. E kaluara e tij, me vendime të dyshimta, ka sjellë që Qori të veprojë me të ashtuquajturën KÇK. Por, KÇK-ja tashmë është pjesë e SPAK dhe KPK-së, të cilat pritet që të zbardhin të gjithë këtë mega aferë.

Nga ana tjetër, edhe anëtarët e bandës do të përballen me institucionet e reja të drejtësisë, apo çështjet e tyre pritet ti marrin prokurorët dhe gjyqtarët me integritet. Ata të cilët kanë kaluar Vetingun dhe “s’kanë njolla”.

Vendimi i Qorit, që pushoi gjyqin për noteren Margena Çela, është apeluar. Por, nëse Qorin e “korruptuan” këta personazhe, a do të tentohet të korruptohet edhe Apeli? Provat janë në dosje dhe kushdo që ka sy dhe veshë shikon dhe dëgjon provat dhe palët.

Për kujtesë të cilido, këta ish-zyrtarë të lartë, në bashkëpunim me Arben Relin, kanë mashtruar dhe falsifikuar dokumente për tjetërsimin e “Morava Resort” në Korçë, duke i ndryshuar edhe emrin në “Montrelux”.

Por, krahas kallëzimeve të reja, në Prokurorinë e Korçës dhe në Prokurorinë e Tiranës janë disa procedime penale të hapura për ndërtim pa leje, vepër penale që dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

Në Korçë po hetohet dosja 664, për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Ndërtim pa leje”, Prerje e paligjshme pyjesh”. Të gjitha ndërtimet janë bërë për arsye përfitimi, akuza të cilat kapin burg mbi 10 vite burg./ Shqip

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.