E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si nisi sherri për një femër, kush është i plagosuri me të shkuar kriminale
Lajme

Si nisi sherri për një femër, kush është i plagosuri me të shkuar kriminale

Dy të plagosur, një i arrestuar dhe një i shpallur në kërkim. Ky është bilanci i një përplasjeje me armë zjarri gjatë natës së të martës në zonën e Mamurrasit.

Konflikti që dyshohet se nisi për ngacmimin e një vajze përfundoi në përplasje me armë zjarri mes dy grupeve.

NGJARJA

Ka qenë ora rreth 01:45 minuta e natës kur është regjistruar konflikti me armë zjarri, detajet e vërteta të të cilit ende nuk dihen. Si pasojë e përplasjes me armë zjarri, Policia tha se kanë mbetur të plagosur shtetasit Gentian Diva, 40 vjeç, banues në Mamurras dhe Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës. Ata po udhëtonin në një automjet tip “Honday”, kur u qëlluan nga kushërinjtë Kastriot dhe Armando Lleshaj. Sulmit të dy kushërinjve LLeshaj i është përgjigjur me armë nipi i Gentian Divës, 19-vjeçari Andi Diva, i cili e shoqëronte atë në automjet.

Konflikti mësohet se nisi në qendër të Mamurrasit, ndërsa shkëmbimi i zjarrit nga dy makinat ka vijuar për rreth 1 km në rrugën që lidh Mamurrasin me autostradën. Makina e dy të plagosurve përfundoi në një kanal në anë të rrugës, ndërsa gjurmët e përplasjes ishin të dukshme edhe disa orë më pas. “Rreth orës 01:45, në Mamurras, pas një konflikti, shtetasit Andi Diva dhe Kastriot Lleshaj, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip ‘Honday’ duke plagosur shtetasit Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës, Gentian Diva, 40 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhen nën kujdesin mjekësor”, sqaroi Policia lokale.

Pas të shtënave me armë zjarri, Policia e Lezhës sqaroi se forcat e rendit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, kanë bërë identifikimin e autorëve dhe arrestimin e njërit prej tyre. “Specialistët e Hetimit të Krimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Andi Diva, 19 vjeç, banues në Mamurras, si dhe u bë shpallja në kërkim dhe vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit Kastriot Lleshaj, 50 vjeç, banues në Mamurras”, thuhet më tej. Gjatë kontrollit që forcat e rendit ushtruan në banesën e autorit të arrestuar, shtetasit Andi Diva, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, me krehër dhe 20 fishekë. Gentian Diva dhe Alban Skonja janë dërguar në Spitalin e Traumës dhe ndodhen nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, Kastriot dhe Armando Lleshaj, arritën t’u shpëtojnë prangave, ndërsa Policia ka shpallur në kërkim vetëm njërin prej tyre. Burime nga Policia lokale bënë me dije se vazhdojnë kërkimet dhe kontrollet për kapjen e këtyre personave.

KONFLIKTI

Nga veprimet e para hetimore rezulton se konflikti ka nisur sepse dy kushërinjtë që janë në kërkim kanë ngacmuar një vajzë që ishte me dy personat që mbetën të plagosur, Gentian Diva dhe Alban Skonja. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Kurbinit, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje.

I plagosuri në Mamurras u përfshi në vrasjen e një shoferi për grabitje

Një nga të plagosurit nga përplasja me armë zjarri në Mamurras është me të shkuar të theksuar kriminale. Gentian Diva rezulton se më 9 prill të vitit 2000, së bashku me dy persona të tjerë, ka grabitur me armë zjarri me pasojë vdekjen e shoferit të një kamioni, i cili udhëtonte në atë kohë drejt Kukësit. Ngjarja ka ndodhur më 9 prill të atij viti dhe Diva u dënua me 25 vite burg, duke dalë nga qelitë kohët e fundit. Dy vjet pas arrestimit, ai u arratis nga burgu, por u arrestua sërish. Gentian Diva është i vëllai u Enver Divës, i arrestuar si i implikuar në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, ngjarje e ndodhur në muajin prill të vitit 2020 në Durrës. Ai u arrestua më 17 qershor të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit “Vazhdimi”. Policia ra në gjurmët e tyre, pas dëshmisë së dhënë nga i penduari Klevis Alla, i cili ka deklaruar se porosia për vrasjen e vëllezërve ishte bërë nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela, përkundrejt një shume të madhe parash.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.