Pista e vrasjes/ Viktima kishte shuma të konsiderueshme parash.
Një ditë pas arrestimit për ekzekutimin e ish-ushtarakut, Altin Alikaj, autori i dyshuar i krimit, mohon që të jetë ai vrasësi i 46-vjeçarit.
Shazi Ahmetaj, nga fshati Kolonjë e Lushnjës, megjithatë pranon njohjen me viktimën, duke deklaruar se e kishte shok. Pas deklarimeve të para në Policinë e Vlorës, i riu nga Lushnja mësohet, sipas burimeve, të ketë shfaqur dëshmi kontradiktore përpara hetuesve. Ai ka jetuar në të njëjtën shtëpi me viktimën, për të cilin 23- vjeçari ka pranuar se ishte në dijeni që Alikaj kishte nën zotërim një shumë të konsiderueshme parash.
Ai ka thënë gjithashtu se nuk kishte asnjë motiv për të kryer vrasjen. Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Mateo Kipiku, ka pranuar se ka shoqëruar 23- vjeçarin në drejtim të Lushnjës, duke theksuar se atë ditë i kishte thënë se kishte një problem urgjent dhe se duhej të largohej me një automjet me qira.
PISTAT HETIMORE
Ngjarja kishte ndodhur pak kohë më parë, ndërsa 46- vjeçari u gjet i vdekur në banesë më 19 shkurt nga e ëma, që kishte ardhur posaçërisht nga Greqia për shkak se kishte humbur kontaktet. Një nga pistat ku po hetohet është ajo e lëndëve narkotike, pasi viktima njihej si përdorues dhe autori është me precedent në këtë veprimtari.
Për këtë arsye, pista kryesore mbetet ajo e prishjes se pazareve drogës. Nuk përjashtohet as fakti që viktima mund t’i ketë pasur borxh autorit, çka ka çuar në përplasje mes tyre.
Si ish-ushtaraku, ashtu edhe 23- vjeçari njiheshin midis tyre dhe qëndronin bashkë. Gjithashtu, i arrestuari e njihte mirë edhe zonën ku ndodhi krimi, çka mund të ketë hartuar një plan të detajuar të vrasjes.
Një pistë tjetër që nuk përjashtohet nga hetuesit është edhe ajo e grabitjes, pasi Alikaj kohët e fundit kishte një shumë të konsiderueshme parash.
VRASJA
Të dy personat dyshohet se kanë qenë bashkë në banesë dhe, pasi kanë konsumuar lëndë narkotike, autori e ka qëlluar me plumb në kokë. Dyshohet që me pas i ka marrë lekët dhe është larguar nga vendngjarja.
Prej disa kohësh autori, sipas burimeve, ka qëndruar në banesën e viktimës.
Alikaj jetonte i vetëm në banesën e prindërve të tij në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës, pasi e ëma jetonte në Greqi. Shazi Ahmetaj u arrestua gjatë së shtunës në kuadër të operacionit të koduar “Ndëshkimi”, ndërsa Policia sqaron se është person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
Në pranga përfundoi edhe 30-vjeçari Mateo Kipiku, për “Përkrahjen e autorit të krimit”.
“Shtetasi Sh. A. dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit A. A., i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi M.K. dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij. Në momentin e ndalimit, shtetasit Sh. A. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 40.5 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë”, sqaroi Policia. Vazhdojnë veprimet hetimore për të përcaktuar motivet e këtij krimi të rëndë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



