A do ta zgjidhte krizën në PD dorëheqja e Lulzim Bashës?
Shumë akuza e mallkime janë hedhur ndaj Lulzim Bashës këto kohë. Por, përcaktimin më të ftohtë dhe të helmatisur për të, e ka artikuluar Edi Rama.
“Njeriu që nuk kërkon të ketë asgjë më shumë se ç’ka”.
Po vërtet, a kërkon Lulzim Basha të vijë një ditë në pushtet dhe të bëhet kryeministër apo vetëmjaftohet me të qenit formalisht “kryetar i opozitës?”
Partia Demokratike arriti një nga rezultatet e saj më të dobëta në histori në zgjedhjet e 6 marsit. Ajo doli forcë e tretë në 5 nga 6 bashkitë ku garohej dhe rezultati i përgjithshëm vërtitet diku tek 15%.
Këto nuk ishin zgjedhje kombëtare, por të pjesshme, megjithatë rreth 600 mijë shqiptarë ishin thirrur të votonin. Nga këta, rreth 200 mijë iu përgjigjën apelit gjë që mund të duket shifër e vogël. Por, nëse supozojmë se 200 mijë të tjerë janë emigrantë dhe 200 mijë refuzuan të votojnë, atëherë shifra faktike e pjesëmarrjes vërtitet diku 50%. (duke qenë se nga 200 mijë emigrantët, supozohet se gjysma do votonin e gjysma do rrinin në shtëpi duke e çuar numrin e votuesve 300 mijë)
Pra, nuk është një kampion i vogël votuesish dhe shifra 15% e votave për PD-në është shqetësuese. Po të llogarisësh pastaj që bashkitë ku votohej ishin të gjitha pothuajse “Shkumbin e lart”, pjesë ku PD ndihet më e fortë se në jug, atëherë situata është dramatike.
Një pjesë e mirë e demokratëve po kërkojnë sot largimin e Lulzim Bashës. A do ta zgjidhte krizën në këtë parti, largimi i kryetarit? Le të supozojmë disa situata dhe skenarë, për të kuptuar më mirë efektet që do të kishtë një dorëheqje eventuale e Bashës si kryetar i PD.

Varianti i parë, është që Lulzim Basha të dorëhiqet duke hapur një garë të brendshme për kryetar të PD, pa pjesëmarjen e “Komisionit të Rithemelimit”, por duke kontrolluar procesin. Pra, që PD-ja zyrtare të nxirrte një kryetar që përsëri do të ishte në kurs përplasjeje me Berishën, duke qenë se ky i fundit ka pranuar se synon karrigen e kryetarit të partisë.
Një pasardhës i Lulzim Bashës (i bekuar nga vetë Lulzim Basha) pa pjesëmarrjen e “berishistëve” do të ishte një lloj vijimësie e kursit të Partisë Demokratike. Basha është ende i fortë në PD-në e tij dhe në këtë mënyrë ai do ta delegonte votën tek kandidati i preferuar nga vetë ai. Për momentin Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku duken si njerëzit më të afërt me Bashën. Në një proces hipotetik ku do garohej ende “nën hijen e Bashës” këta të dy do të ishin kandidaturat kryesore për drejtimin e PD. Partia do të mbetej ende e përçarë tashmë dyfish dhe do të ishte në antagonizëm e para me “berishistët” e dyta me atë pjesë brenda PD që do largimin real të Bashës (Duma, Salianji, Xhaferaj) dhe jo thjesht “një hap pas” të tij.
Varianti i dytë, është që Lulzim Basha të dorëhiqej nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe të linte garën e pasardhësit të merrte një rrugë natyrale pa ndërhyrje. Kjo do të përvijonte një garë të ashpër mes kandidatëve për pasardhës të Bashës në PD. Siç dihet, situata edhe vetë brenda kryesisë dhe grupit parlamentar nuk është nga më të mirat. Duke qenë se shoqëria në përgjithësi funksionin mbi bazën e tarafit dhe klanit, edhe PD s’mund t’i shpëtonte këtij fenomeni. Edhe aty janë përvijuar grupimet. Fjala vjen, nuk mund të themi se marrëdhënia e Dumës, Bardhit, Tabakut e Enkelejd Alibeajt me njëri-tjetrin është nga më të mirat. Largimi i menjëhershëm i Bashës do të sillte boshllëkun kur kandidatët për pasardhës do të vijonin me të njëjtën egërsi të sulmonin njëri-tjetrin dhe të mos pranonin autoritetin e askujt mbi krye. Kjo do të sillte një situatë kaotike në parti që do të kishte si shkak ambiciet karrieriste të “kandidatëve për fronin.
Varianti i tretë, është që Lulzim Basha të largohet nga drejtimi i PD-së në marrëveshje me “Komisionin e Rithemelimit” që të largohej edhe Berisha. Kjo do të sillte një “largim të butë” të tij sepse do të perceptohej si barazim mes palëve në PD. Por, ky variant duket i vështirë “de fakto”, sepse Basha nuk ka asnjë mundësi tani që me 15% e tij t’i imponohet apo t’i vendosë kushte shumicës prej 25% të Berishës. Fitorja e Shkodrës ia ka rritur pikët politike Berishës, i cili “dorëzimin” nuk e ka opsion. Ndaj duket e pamundur që ai të pranojë “të ikë nga politika” vetëm sepse këtë ia kërkon Lulzim Basha. Por, edhe nëse ky skenar do të realizohej, pra largimi i njëhershëm i Basha-Berishës, sërish PD-ja do të kalonte në një proces të vështirë formimi të lidershipit të ri. Në PD ka shumë figura që pretendojnë “fronin” dhe askush deri më tani, nuk duket i gatshëm të rreshtohet pas tjetrit. Eshtë e vështirë të imagjinohet se Duma do të rreshtohej pas Tomor Alizotit ose Albana Vokshi pas Gazmend Bardhit ose Alibeaj pas Oerd Bylykbashit. Çarja e PD-së do kërkojë kohë, shumë kohë, të mbyllet.
Varianti i katërt dhe më i mundshëm është që Lulzim Basha të mos dorëhiqet, por të mbajë me çdo kusht partinë. Ai ka dhënë sinjale se synon të bëjë pikërisht këtë gjë. Në këtë rast, në prag të zgjedhjeve të 2023, Basha mund t’i propozojë zyrtarisht Berishës daljen në koalicion me kandidatë të përbashkët. De fakto, do të kishim të bënim me një fraksionizim të PD-së ku 2 palët, Basha dhe Berisha përcaktojnë 65 kandidatët e koalicionit, dhe përfaqësohen fjala vjen njëri me 25 dhe tjetri me 40 kandidatë.
Ky skenar do “ta shpëtonte” Bashën nga presioni për dorëheqje dhe në rast humbjeje të pritshme, do ta shpërndante përgjegjësinë jo vetëm tek ai, por edhe tek Berisha. Ky do të ishte skenari ideal për Lulzim Bashën, sepse në çdo rast, koha punon për të dhe jo për Berishën. Por, zor se kreu i “Foltores” do ta pranojë këtë pakt të ofruar nga Basha. Sali Berisha tani është në “revansh” duke qenë se ka arritur të marrë dyfishin e votave të PD-së zyrtare të Bashës dhe duke qenë se “pro” tij është rreshtuar një politikan që prodhon vota si Ilir Meta.
Në çdo skenar, humbja e rradhës së opozitës në zgjedhjet e 2023 duket e pashmangshme. Gjithsesi, ajo ka një mundësi teorike që e bashkuar të bëhet e konkurrueshme në zgjedhjet parlamentare 2025. Sa më gjatë të vijojë kursin e përplasjes së brendshme, aq më shumë do t’i largojë ditët e mundësisë së rikthimit në pushtet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



