Ajas Sulejmani që përplasi familjen në Tiranë mohon akuzat dhe kundërshton gjobën
Nuk isha i pirë e as i droguar, por po çoja vajzën në spital!
Ndërkohë që Tirana u trondit nga aksidenti i trefishtë që u shkaktua nga Ajas Sulejmani në rrugën e Kavajës, Policia ka pikasur edhe persona të tjerë që drejtonin mjetin nën efektet e alkoolit dhe të drogave.
Pa u sqaruar ende rrethanat e atij aksidenti të rëndë, për të cilin Policia ende nuk ka dhënë një konkluzion se çfarë ka ndodhur vërtet, orëve të vona të së dielës, forcat e rendit kanë pikasur një grua dhe një djalë të dehur dhe nën efektet e drogës, që drejtonin automjetet në Tiranë.
Edhe pse në rrugë është hedhur makina inteligjente që shquan gabimet dhe shkeljet e përdoruesve të rrugës, edhe pse në tri ditë u shënuan dy aksidente me pasoja të frikshme, sërish drejtuesit e mjeteve nuk ndahen dot nga përdorimi i alkoolit dhe i substancave narkotike, duke bërë që Policia të vërë në pranga një sërë personash problematikë të identifikuar orëve të fundit në kontrollet e vazhdueshme.
DËSHMIA E SULEJMANIT
Personi që shkaktoi aksidentin e frikshëm, teksa hyri me të kuqe dhe përplasi çiftin bashkë me foshnjën e tyre, është vënë në pranga. Ndër të tjera, Policia i ka akorduar një gjobë mbi 1 milion lekë të vjetër dhe i ka hequr patentën për 2 vjet.
Në gjobën e bërë publike nga Policia e Tiranës vërehet edhe nënshkrimi i autorit të asaj çmendurie, i cili shkruan në fletën e ndëshkimit: Nuk jam dakord!
Ai është marrë në pyetje nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore, ku ka mohuar se ka qenë nën efekte droge apo alkooli, por po nxitonte pasi kishte vajzën 5 vjeçe të sëmurë dhe donte ta çonte në spital. Mësohet se ai i ka thënë Policisë se ika të lija vajzën në spital dhe nuk u largova nga vendi i ngjarjes.
Në fakt, Ajas Sulejmani u kap në një spital privat nga ana e Policisë, ku ai dëshmoi: “Kalova në anën tjetër të rrugës së Kavajës, mora një njeriun tim me makinë që të më çonte me vajzën në spital”.
Në fakt ende nuk dihet se çfarë ka dëshmuar personi që ishte në mjet me Sulejmanin dhe po ashtu Policia nuk bën me dije nëse në momentin e arrestimit të tij në spitalin privat, ai e kishte të bijën me vete, siç edhe pretendon.
GJENDJA E TË PLAGOSURVE
Në fakt, dëshmitarët që ishin në vendin e ngjarjes nuk kanë shquar ndonjë fëmijë në automjetin luksoz që përplasi familjen Konomi, të cilët vijojnë të jenë në spital në gjendje të rëndë.
Për fat, vajza e tyre, tremuajshe, ka lënë spitalin dje dhe është marrë nga familjarët, ndërkohë që të dy të plagosurit vijojnë të jenë në terapi intensive për shkak të traumave të mëdha fizike që kanë pësuar. Ditën e djeshme, mjekët e spitalit të Traumës kanë nxjerrë të dhënat e para në lidhje me gjendjen e tyre, ku mësohet se Arjani është më shumë i dëmtuar, ndërsa bashkëshortja e tij, Vilma, ka shembje të brendshme më shumë se sa plagë.
Sulejmani pritet të dalë ditën e sotme para gjykatës për t’u njohur me masën e arrestit për një sërë akuzash të ngritura nga ana e Policisë dhe e prokurorisë, ndonëse ende nuk është bërë asnjë ekspertim i mjetit apo i shpejtësisë së madhe me të cilën ai po udhëtonte. Po ashtu, Policia e Tiranës ende nuk ka treguar të dhëna mbi shoqërimin e tij tri javë më parë, ndonëse ka vënë në dispozicion pamjet e atij shoqërimi në ambientet e Policisë.
Sipas të dhënave, bëhet me dije se Sulejmani u shoqërua për drogë, por pa cilësuar se për çfarë droge bëhej fjalë, nëse ishte shoqëruar si përdorues, shpërndarës apo për trafikant. Po ashtu, Policia bëri me dije se atij iu kishte bllokuar patenta, e në fakt Ajas Sulejmani nuk ishte pa patentë në momentin e aksidentit të rëndë.
Por do të jetë prokuroria që do të verifikojë të gjitha shkeljet që janë bërë në rastin e Sulejmanit, 39- vjeçarit të kërkuar ndërkombëtarisht dhe të shoqëruar edhe pak javë më parë në Tiranë dhe të lënë të lirë më pas.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



