Policia e Shtetit përjashton nga uniformat blu dy efektivët që u kërkonin para qytetarëve!
Në një reagim zyrtar, bëhet me dije se janë përjashtuar efektivët Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetim rreth kësaj çështje.
Gjithashtu, policia ka nisur hetimet për shkelje disiplinore ndaj ndaj specialistit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, A. K., si dhe ndaj shefit të Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr. 6, Komisar V. I. pasi dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.
Njoftimi i policisë:
Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike, në emisionin investigativ “STOP”, ku u shfaqën dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në shpërdorim të plotë të detyrës dhe në shkelje të hapur të etikës dhe të komunikimit, duke i marrë një shumë parash, me anë të akteve korruptive, drejtuesit të një automjeti që kishte ndaluar në anë të rrugës, në Kashar, sqarojmë opinonin publik se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë përjashtimin përfundimtar nga radhët e Policisë së Shtetit, të dy punonjësve të Patrullës së Përgjithshme, inspektorëve Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin e thelluar disiplinor, për shkelje të rëndë disiplinore, ndaj specialistit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, Nënkomisar A. K., si dhe ndaj shefit të Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr. 6, Komisar V. I.
Njëkohësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal në lidhje me këtë rast.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderon drejtuesit e emisionit “STOP” dhe inkurajon median dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të korrupsionit, të abuzimit me detyrën apo shkelje të kodit të etikës dhe sjelljes me qytetarët, duke iu garantuar se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit që të largojë nga radhët e Policisë së Shtetit, punonjës të tillë që njollosin emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit.
Disa efektivë policie në zonën e Kamzës është denoncuar pasi ai ndalonte qytetarë të ndryshëm që udhëtonin me makinë, ku i kërkonte para ose në të kundërt do t’i çonte në komisariat.

Në rastin e parë, një prej denoncuesve shprehet se policia e ka ndaluar teksa udhëtonte me të dashurën teksa i janë afruar efektivët.
Sipas tij, efektivët i kanë marrë para, ose në të kundërt do t’i dërgonin në komisariat për veprime të turpshme.
Denoncuesi: Përshëndetje emisioni “Stop”! Jam një qytetar nga Tirana. Dua të ndaj një shqetësim me ju! Në zonën e Kasharit, në orën 9 a 10 të darkës, nuk e mbaj mend ekzaktësisht, kam qenë me të dashurën. Kam ndaluar aty, për të diskutuar një problem me shoqen time. Ju sugjeroj, që të shikoni policët, pasi janë shumë të korruptuar, vijnë e të marrin lekë pa arsye!
Denoncuesi: Po diskutoja dicka me të dashurën. Hapa krahun që të flisnim meqë ishim edhe në timon, hapa krahun aty, kur pas ca minutash na erdhën nja dy efektivë policie, na kërkuan dokumentet, ok, shumë bukur, ua dhamë. Jo po, çfarë doni këtu? Do t’ju shoqërojmë në komisariat. Çfarë e ke këtë gocën ti? Çfarë po bën ti me këtë gocën? Po, hiç, çfarë po bëjmë, i thashë. Ashtu patëm një gjë për të diskutuar dhe po diskutojmë. Jo, do t’ju çoj në komisariat. Po hë, o shef, i thashë, se është turp të na çosh në komisariat, pa asgjë, pa kështu… E nejse, tha. Mendoje vetë, tha. Kisha ca lekë në xhep aty, s’e mbaj mend se sa 40 a 35 mijë lekë, s’e mbaj mend mirë tani, aq sa kisha ua dhashë. E mirë, tha, mos hajdeni më këtu, tha, se bëhen veprime të turpshme. Madje, erdhën me makinë private. Kanë qenë më makinë private, zbritën aty e filluan me të gjithë me radhë, që ishin aty. Ne s’lëvizëm nga vendi, sepse mendonim, se nuk po bënim gjë.
Po ky nuk është rasti i vetëm. Një tjetër qytetare denoncoi të njëjtën situatë.
Denoncuesja: Ne kemi qenë në një zonë të Tiranës me të dashurin, duke diskutuar për diçka dhe në një moment na afrohen efektivët e policisë. Sipas tyre, biseda, që ne po bënim në atë moment në mjetin tonë, ishte një sjellje e pahijshme në një ambient publik. Ne dëshiruam që ta diskutonim dhe ta sqaronim, pasi, fundja, unë jam një vajzë dhe po ta merrte vesh familja ime do kishte një situatë tjetër. Efektivët kërkuan ryshfet. Sigurisht, që morën dhe unë nga kjo u habita, pasi supozohej, se në fakt nuk ishte një sjellje e pahijshme. Ne ishim brenda në mjet duke diskutuar, si çdokush tjetër, që mund të diskutojë jashtë, në ambient rruge ose në makinë.
Agjentët e emisionit “Stop”, nisur nga këto denoncime, zbarkuan në terren, në një prej zonave të përmendura në denoncim, pranë “Casa Italia”, mes Astirit dhe Kasharit.
Efektivi i policisë: Mirëmbrëma! Si jeni?
Qytetari: Si jeni? Mirë?
Efektivi i policisë: Si kaluat?
Qytetari: Mirë! Si kaluat ju?
Efektivi i policisë: Ku rrini? Ku banoni?
Qytetari: Këtu në Tiranë!
Efektivi i policisë: Ule pak xhamin! Ku banoni?
Qytetari: Në Tiranë!
Efektivi i policisë: Po zonja?
Qytetari: Tiranë!
Efektivi i policisë: Na jepni ndonjë dokument identifikimi! Uli pak xhamat mbrapa! Çfarë po prisni këtu?
Qytetari: Po rrimë!
Efektivi i policisë: Na jepni ndonjë dokument identifikimi.
Qytetari: Patentë?
Pa asnjë prove, këta efektivë akuzuan dy të rinjtë që thjesht po qëndronin në mjetin e parkuar. Policët u morën 20 mijë lekë “për kafe”, në të kundërt do t’i shoqëronin në komisariat, të akuzuar për vepra të turpshme.
Efektivi i policisë: Ec përpara…!
Qytetari: Ku do më çosh?
Efektivi i policisë: Në komisariat për verifikim!
Qytetari: Po shoqe e kam, çfarë e kam?
Efektivi i policisë: Çfarë ke ndonjë gjë të paligjshme brenda?
Qytetari: Po hajde, kontrolloje, po pati gjë…!
Efektivi i policisë: Pyes!
Qytetari: Po nuk kam gjë, o shefi!
Efektivi i policisë: Po hë, mos u nxito tani! Është turp. Është turp. Është turp, o vëlla. Të mbaj deri në 11 në komisariat, të vijë të të marrë familja!
Qytetari: Po më pe në këtë vend, ose në ndonjë vend tjetër jashtë… se qenka problem i madh.
Efektivi i policisë: Na sill ndonjë kafe dhe ik!
Qytetari: Të të jap ndonjë njëzetëshe, se nuk kam shumë!
Efektivi i policisë: Ik! Lëviz, që këtej, se do vijë shërbimi tjetër dhe…


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



