E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Korrent me presh!  Naftë me bajga!
Sot

Korrent me presh! Naftë me bajga!

Artan Fuga

(Një projeksion në të ardhmen e afërt)

Dje pata rastin të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar shkencor që trajtonte çështjen e atij që quhet “gaz jeshil”.

Gazi jeshil është në gjuhën shkencore, sikurse u trajtua gjerësisht atje, energjia që prodhohet prej plehut organik të prodhuar nga kafshët në bujqësi dhe që mund të përdoret si gaz për t’u ngrohur, për të furnizuar mjetet e lëvizshme, etj. Eshtë një nga ato energji të pastra të rinovueshme që paskan të ardhme përpara. Madje u provuara se edhe gazrat e bagëtive mund të përdoren…

Duke dëgjuar me kujdes nisa të imagjinoja se sikur të zbatohej te ne, kjo mund të zgjidhte problemin e rritjes të çmimit të karburanteve që lubia që quhet komitet, inspektoriat, a komisariat, a nuk e di se çfarë i lëviz çmimet në funksion të gjendjes të opozitës.

Sa herë opozita duket se mobilzon forca dhe godet, dy a tre ditë përpara çmimet e karburanteve bien, sapo opozita merr ndonjë goditje, çmimet ngrihen!

Unë jam gati ta provoj këtë me ndërvartësinë mes kurbës të ngjarjeve politike dhe lëvizjes të çmimeve të karburanteve për një periudhë njëvjeçare!

Pra po mendoja se mundet që të ulen çmimet e karburanteve nga ky komisioni a komiteti a komisariati i karburanteve duke futur në përdorim bajgat e kafshëve bujqësore, përse edhe jo edhe të pordhëve shtazore. Për këto të fundit është pak më vështirë sepse kërkon një teknologji më të lartë. Kjo sepse pas prapanicës të cdo kali a gomari duhet të vendoset një aparat i lidhur me zyrat qendrore që gazrat t’i transformojnë në energji mekanike, elektrike, etj.

Kurse për bajgat është më e lehtë sepse mblidhen nga toka.

Imagjinoni çdo bajgë lope, gomari, derri, çdo kakërdhi deleje, a dhije, mund të mblidhet dhe të përpunohet në djegësat e bashkive kryesore për të prodhuar nxehtësi.

Madje mendoj që ne mund ta çojmë më përpara idenë ekologjike. Mund të mbledhim edhe kakërdhi miu, glasa pule, me rendiment shumë të lartë energjitik, pordhë ujqish, dhelprash, pra të fusim në proces edhe kafshët e egra që kaq me shumicë kemi në pyje dhe qytete, si çakej, kunadhe, dhelpra, gjarpërinj, kunadhe, riqebulla, etj.

Imagjinoni sesa kilovat dritë mund të japë një bajgë e madhe ariu, ndofta sa mijëra glasa harabelash!

Madje ideja mund të shkojë edhe më tej duke përdorur edhe jashtëqitje njerëzore.

Do të vijë koha që jo vetëm çdo familje të ketë panelin e vet diellor, sepse kjo po përhapet, por edhe që nevojtorja, ose haleja e çdo shtëpie të jetë e lidhur me kontatorin e banesës, pra të kthehet nevojtorja në një si hidrocentral për prodhim të energjisë elektrike me forcat e veta të çdo familjeje.

Sa kohë që çdo familje ka nevojtoren e vet, kjo do jetë Skavica e çdo familjeje. Cdo familje skavicën e vet!

S’ka vickla! Skavica!

Kujt i tepërojnë sepse me to tashmë ka furnizuar frigoriferin, lavatricen, televizorin e vet, mund t’i shesë pordhë komshiut, lagjes, qytetit të vet, ose edhe institucioneve të ndryshme qendrore ose lokale, madje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve!

Një mal me bajgë do të kemi si rezultat!

Imagjinoni që veturat të gjitha të lidhura me priza me wc tona për t’u furnizuar me energji elektrike. Dikush që duhet të marrë veturën për të shkuar në plazh, nxit fëmijët të hanë dhe të frekuentojnë sa më parë wc sepse ndryshe nuk ka karburant!

Bëje të keqen babi, se me kaq sa ke bërë, babi ngelet rrugës, as te kilometri 3 i rrugës anësore të autostradës nuk shkon dot, lëre për kthimin!

Më duhet jashtëqitja jote për të shkuar të bëj mësimin!

Po ashtu, sado duket si shaka, por është shkencë e vërtetë, kanë nisur prej kohës edhe prodhim karburantesh nga bimët. Pra, ne mund t’ja fusim komisariatit të çmimeve të naftës, me presh, kastraveca, me domate të prishura duke prodhuar energji alternativa.

Kështu do kemi : ferma e naftës me presh, kooperativa bujqësore e benzinës pa etanol prodhuar me trangull, korrent me lesh dhije, benzinë super me kakardhi miu shtatzënë, etj.

Mos kujtoni se është mosbindje civile, është ekonomia jonë në vitet e ardhëshme!

Pa do hapen vende pune! Zyrat e punës do të na shpërndajnë trasta që në mënyrë selektive të mbledhin në qesen portokalli pordhë, kurse në qesen ngjyrë gurkali kakërdhi!

Do të dalim maleve e fushave për të mbledhur bajga e kakërdhi! Punësim masiv.

Pastaj do krijohet edhe tregu financiar i bajgave, aksionet dhe bursa e pordhëve, huatë prej kakërdhie. Si të mos mjaftonte kjo, me siguri do të kishim edhe marrëdhëniet e shkëmbimit në natyrë!

Një aparat celular sa tre trasta me bajga!
Tre qese me glasa për të korruptuar deputetin për një vend pune për çunin e dajës!
44 qese me bajga lope, të përzjera me glasa dhe pa kakrdhi, bio, për të korruptuar ndonjë nëpunës të huaj!

E kështu me rradhë!

Duhet menduar, duhet bërë një kërkim shkencor nga institucionet e specializuara!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.