Pse hipokrizia e “bashkimit” të PD mbaron nesër në Kuvendin Kombëtar?!

Myslim  Murrizi

Hipokrizia e “bashkimit” të grupit parlamentar mbaron nesër, në Kuvendin Kombëtar të asaj opozite që në 14 maj mori 507 mijë vota.

Nëse në Kuvend nesër do të jenë të gjithë deputetët që janë deklaruar si një grup, kjo është fillimi i një bashkimi formal.

Nëse nesër në Kuvend nuk do të jenë të pranishëm, atëherë kjo lojë e pështirë për pazar të ndyrë politik merr fund njëherë e mirë dhe nuk ka pse na dërdëllisni për “beteja” të përbashkëta dhe nuk i hyn në punë asnjë demokrati apo opozitari “lufta” juaj teatrale me karrige të përmbysura në Parlament, për të siguruar një karrige të qelbur për by…. tuaj në zgjedhjet e 2025.

Dhe nëse ju do jeni në listë si përfaqësues të atyre DEMOKRATËVE OPOZITARË që nesër kanë Kuvendin, por ju nuk e njihni, atëherë humbja drastike e kësaj opozite në 2025 do të jetë katastrofike dhe përgjegjësia historike për këtë shkatërrim total të opozitës do të jetë e kujtdo që mendon se mund të tallet me demokratët dhe opozitaret pa fund, për hatër të interesave të një grushti njerëzish pa moral, pa karakter, pa dinjitet, pa peshë elektorale dhe pa shtyllë kurrizore që për dy vite kanë lëvizur si hallatet e dashit sa andej këtej, pa destinacion.

Për çfarë “bashkimi” mund të na thoni kur këta nuk njohin asnjë forum të subjektit politik që nesër mbledh Kuvendin????

Për çfarë “bashkimi” bëhet fjalë kur ky grup nuk merr pjesë në asnjë takim që ky subjekt politik mban në çdo rreth e çdo degë dhe nuk merr pjesë në asnjë forum të këtij subjekti, ku këta deputetë kanë të drejtë të jenë sipas statutit???

E çfarë kauze konkrete apo çfarë nisme reale opozitare po mbroni në Parlament me karriget përmbys që ngjall besim, optimizëm, frymë, kurajo dhe shpresë për Qytetarët OPOZITARË?????

Nuk jemi të gjithë servilë të pështirë që të duartrokasim teatrin bajat të të bërit të fortin në Parlament për t’i hyrë në qejf liderit që tu ketë në konsideratë për listat e 2025.

Nëse i mendoni te gjithë opozitarët kaq kollaj të manipulueshëm nga ky teatri juaj bajat, atëherë shihni se keni çarë sadokartin dhe keni rrjedhje të konsiderueshme vaji, ju vetë që mendoni dhe ëndërroni se jeni “faktorë” real te opozitës, por vetëm atje ku ndiheni ju rehat.

Opozita juaj false dhe me vendndodhje gjeografike statike nuk i duhet askujt veç atyre që mendojnë si ju ose kanë interesa të momentin të njëllojta me ju.

Edhe sjellja në “grup” parlamentar për çështje të ndryshme sipas oreksit apo interesi siç ishte rasti i dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të ligjit për emigrantët afrikan që do sjellë Italia, apo votimet e ndryshme për persona të pëlqyer nga PS si rastet e Autoritetit të Dosjeve, anëtarëve të KKRTSH etj, ka treguar se jeni bërë në fakt si këmbët e dhisë dhe nuk keni asnjë lidhje me qenien grup.

Ky Parlament ka edhe 1 vit kohë ku mund tu shërbehet kauzave që u interesojnë qytetarëve dhe opozitarëve.

Beteja e vetme për të cilën ja vlen të bashkoheni të bardhë e të zi, të kuq rozë e blu, është prishja e pazarit te prillit 2008 që vrau sovranitetin e votës së shqiptarëve dhe bëri që deputetët të jenë vemje dhe servilë të pështirë të kryetarëve të partive.

Prishja e atij pazari që vrau garën dhe meritokracinë, vrau karrierën dhe kontributin, solli deputetë vemje dhe ringjalli diktatorët në çdo subjekt politik që emëronin lëpirësa deputetë dhe ja erdhëm në këtë gjendje ku deputetët janë thjesht klloun dhe manikin që lëvizin, lehin dhe zihen thjesht për të kënaqur padrinot e radhës.

Çfarë mund të presin dhe çfarë mund të realizoni tjetër gjë gjatë vitit 2024 në interes të Qytetarëve dhe Opozitarëve Shqiptare nëse nuk keni kurajon minimale për të prishur këtë lak ne fytin e demokracisë????

Jeni në të drejtën tuaj të luani çdo lojë për interesat e juaj, por na e kurseni se po e bëni këtë “sakrificë” për opozitën dhe opozitarët.

Talluni me njëri-tjetrin se mirëkuptoheni dhe shoh që nuk e keni fare problem çfarë keni sharë, ofenduar e degjeneruar njëri-tjetrin, por jo të gjithë jemi njëlloj palaço.

Deri në 2025 nuk besoj që do të ngelën shumë “spektatorë” të teatrit tuaj të pështirë dhe shumë gjëra surprizë do ndodhin që ky teatër i ndyrë zor se do të ketë më as aktorë për të luajtur e as spektatorë për tu duartrokitur.

Në shkurt 2019 kur deklarova që PD dhe opozita do ta vuajë gjatë këtë lajthitje kolektive të djegies së mandateve, më quajtët të shitur, tradhtarë, të blerë etj.

Koha tregoi që kisha pasur të drejtë.

Tani po them qe ky teatër i këtij lloj “bashkimi” fals merr fund nesër dhe nuk mundet askush të na shesë sukses imagjinare, mbajeni mend dhe do shohim zhvillime që ndoshta lojtaret e këtij teatri as i kanë menduar as i kanë parashikuar.

Askush nuk mund të mashtrojë pafundësisht të tjerët pse mund të mashtrojë veten nga qejfi apo nga halli.

Publikuar nga Publik Media