Shpërdoroi detyrën në dy raste
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon dhe 10 të pandehurit e tjerë duke iu drejtuar GJKKO-së për çeljen e gjykimit. Ish-kryebashkiaku socialist akuzohet për shpërdorim detyre në dy episode. I pari ka të bëjë me një pallat me kate pa leje që u dëmtua nga tërmeti i 2019-ës. Sipas SPAK, Dako e zbardhi lejen e tij në vitin 2014, dy vite pasi dhënë, kur projekti kishte përfunduar së ndërtuari madje të gjitha hyrjet ishin shitur.
SPAK: “Pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm. Në këtë mënyrë, është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.
Fakti i dytë penal është projekti i Promenadës Bregdetare që i kushtoi taksapaguesve dëm rreth 200 milionë lekë. Komisioni i ngritur për tenderin dhe vetë kryebashkiaku në llogaritjet e tyre e çojnë fondin limit me vlerë dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave”. Pavarësisht gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe rekomandimeve përkatëse, zyrtarët e shmangin duke vijuar me pagesat e fryra.
Të pandehur për këto dy apisode janë:
Tabela:
1. Vangjush Dako, me detyrë ish-Kryetar i bashkisë Durrës
2. Adhurim Qehajaj, me detyrë ish-Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës
3. Fiqiri Farruku, administrator i subjektit “Fakle” sh.p.k,
4. Ermal Lama, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës
5. Fatmir Ejupi, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës
6. Adrian Bulku, me detyrë Inxhinier topograf i licencuar, i kontraktuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k,
7. Ferzilet Hajdëri, me detyrë Ing. Ndërtimi e Licencuar, në rolin e kolaudatorës së objektit të ndërtuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k,
8. Adnand Toçila, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës
9. Diana Dedja, me detyrë specialiste në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës
10. Bashkim Salillari, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës
11. Hanza Reka, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës në Bashkinë Durrës
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar pushimin e procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim Meri Priftuli, pasi nga provat e administruara së fundi nga hetimi, u vërtetua se kjo shtetase nuk ka marrë pjesë në kryerjen e ndonjë vepre penale.