Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi e bindi Sokol Mjacajn të dorëzohet
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ndodhet aktualisht në Burgun e Peqinit për ngjarjen e rëndë që ndodhi ku mbeti i vrarë Arben Lleshi dhe i plagosur Ilir Xhakja.
Manja ndodhet në burgun e sigurisë së lartë për të parë situatën nga afër. Dyshohet se arma u fut në burgun e sigurisë së lartë nëpërmjet një droni.
Dyshohet se Mjacaj është paguar nga persona jashtë burgut për të kryer krimin e rëndë.
Ndërkohë, raportohet se me Sokol Mjacajn ka negociuar kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili e bindi që të dorëzohet.

Nga të dhënat e para mësohet se Mjacaj ka dalë në të njëjtin orar në ajrim me Arben Lleshin dhe Ilir Xhakja, të tre të dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarje të rënda kriminale (vrasje).
Lleshi është qëlluar nga Mjacaj, ndërsa ka humbur jetën brenda pak minutash, teksa është transportuar drejt spitalit. Ndërsa nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur në këmbë Ilir Xhakja, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Tashmë Mjacaj është izoluar dhe pritet të merret në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa hetimet po kryhen nga Prokuroria e Elbasanit.
Nuk dihet koha se kur është futur arma në ambientet e burgut të sigurisë së lartë, dhe as motivet që çuan në përplasjen mes të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Një nga pistat që grupi hetimor është përqëndruar është ajo e hakmarrjes. Dyshohet se vrasja e Lleshit mund të jetë një krim i porositur si rezultat i përplasjes mes grupeve apo organizatave kriminale.