Redi Molla dhe Agron Malaj, skemë korrupsioni dhe pastrim parash, dy hotele me 5 yje në Durrës dhe Dhërmi me para korrupsioni.
Pas disa hetimeve të fundit, SPAK ka rënë në gjurmët e disa aferave financiare të Redi Mollës, ish drejtor të UKT, si dhe të Agron Malajt, kryetar i Bashkisë Mat, praktikisht beu i Matit, por nuk dihet nëse SPAK ka arritur deri tek dy hotele luksoze që Malaj dhe Molla kanë ngritur me paratë e zeza të korrupsionit.
Agron Malaj, Safet Gjici dhe Erzen Breçani, kanë monopolin e tenderave korruptivë dhe klientelistë në fushën e sigurisë fizike në Shqipëri.
Tre kompanitë GLOBAL SECURITY, EUROGJICI-SECURITY dhe BREÇANI – R.O.S.P, i kanë kaluar në emrat e vëllezërve Fatos Malaj, Lavdrim Gjici dhe Fatbardh Breçani.
Në disa raste, Gjici dhe Malaj i kanë dhënë tenderë njëri-tjetrit, duke ndarë më pas paratë dhe investuar në pasuri të paluajtshme.
Agron Malaj, Safet Gjici dhe Erzen Breçani, në shumicën e tenderave të mëdhenj hyjnë bashkë. Deri më tani treshja kanë marrë mbi 150 milionë euro tenderë klientelistë dhe korruptivë, me pazar në tavolinë dhe me oferta gati sa fondi limit, ndonëse Gjici dhe Breçani janë në burg për punë të tjera.
Me paratë e korrupsionit me tenderë, Agron Malaj ka ngritur hotelin më luksoz në Dhërmi, një investim miliona euro.
Bëhet fjalë për hotelin luksoz La Brisa, të cilin Agron Malaj e ka kamufluar në emrin e të vëllait Fatos Malaj.
SPAK po heton disa afera korruptive të beut të Matit, Agron Malaj, i cili nga qitës me pagesë i Sali Berishës kundër socialistëve në 21 Janar 2011, Rilindja e bëri njeriun më të pasur të Matit, duke vjedhur pasuritë dhe paratë publike.
Nuk dihet nëse SPAK ka arritur deri tek hotel La Brisa në Dhërmi. Ky hotel duhet të sekuestrohet me disa pyetje të thjeshta:
Si u sigurua prona? Kush dhe si e dha lejen? Sa miliona euro kushton hoteli? Cili është burimi i parave? Janë para të ligjshme, për të cilat janë paguar taksa apo janë para korrupsioni?
SPAK dhe BKH duhet të veprojnë shpejt para se hoteli mund të tjetërsohet dhe paratë të fluturojnë në offshore.
Po Redi Molla çfarë lidhje ka me Agron Malajn?
‘Pamfleti’ ka evidenca konkrete për një skemë të frikshme korrupsioni mes Redi Mollës dhe Agron Malajt.
Nga viti 2016 deri në vitin 2020, Redi Molla si drejtor i UKT-së i ka kaluar miliona euro Agron Malajt, përmes tenderëve klientelistë, të fituara nga kompania GLOBAL SECURITY, të cilën Agron Malaj e ka kaluar me letra në emrin e vëllait të tij, Fatos Malaj.
Paratë më pas janë ndarë. Me paratë e kësaj skeme korrupsioni, Redi Molla po ndërton një hotel me 5 yje në mes të shëtitores së Vollgës në Durrës.
Bëhet fjalë për hotelin ‘Crowne Plaza Durrës’, projektuar me 140 dhoma, një restorant, bar dhe sallë pritjeje, ambiente e salla takimesh, duke përfshirë një Spa, palestër dhe pishinë të brendshme.
Hoteli, produkt flagrant i veprimtarisë kriminale në fushën e korrupsionit dhe pastrimit të parave, do të hapet këtë vit.
Investimi arrin një vlerë dhjetëra milionë euro. Redi Molla ka futur vetëm 200 mijë euro para të deklaruara, edhe këto pa burim të ligjshëm.
Për t’i shpëtuar gjurmimit të SPAK-ut, Redi Molla ka futur në lojë një familjar të tij, me të cilin ka blerë 24% të aksioneve të kompanisë “Mediterranean Investment Group” që do ndërtojë hotelin.
Molla fshihet pas kompanisë Restur, me nipt M02102507A, themeluar në vitin 2020, me kapital 100 mijë lekë, në emrin e babait të tij, Selim Molla.
Më pas, Redi Molla i jep babait të tij 200 mijë euro, duke blerë 24 % të aksioneve në kompaninë “Mediterranean Investment Group” që po ndërton hotelin.
I ndjeri Selim Molla ka ndërruar jetë disa muaj më parë, por Redi Molla, nga frika e SPAK-ut, nuk e ka kaluar ende kompaninë Restur në emrin e tij. Madje edhe aksionerët e tjerë dyshohet se janë mbulesë e Redi Mollës.
Po ku i gjeti miliona euro Redi Molla për të ndërtuar hotelin? Kësaj pyetje pritet t’i japë përgjigje SPAK-u.
Aktualisht, ky kantier ndërtimi në Durrës ku po ngrihet hoteli, është një skenë krimi, ku pastrohen paratë e pista. Vijon…/Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



