Alibeaj për tensionet në mbledhjen e ‘Zgjedhores’: Mazhoranca e ka pritur këtë teatër, janë komod me Kodin aktual
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për media, është shprehur se skenat që pamë sot kanë dashur t’i shmangë.
Alibeaj tha se Kuvendi dhe Komisionet nuk janë për të treguar muskujt, por për të ngritur zërin për qytetarët.
Sa i takon Zgjedhores, ai tha se si pala e Rithemelimit ashtu dhe mazhoranca nuk e duan këtë reformë
“E nis me një kërkim ndjese për incidentin që ndodhi. Janë skena që ne kemi dashur t’i shmangim, kemi qenë me qëndrimin që Parlamenti dhe Komisionit mos të shndërrohen në salla ku maten muskujt.
Ndjesë dua t’i drejtoj dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, të cilët erdhën për të marrë pjesë.
Ajo që ndodhi sot nuk është gjë tjetër veçse teatri i radhës të atyre që nuk e duan reformën zgjedhore. Parlamenti duhet të jetë vendi ku flitet dhe ngrihen interesat e qytetarëve.
Pala e mazhorancës e ka pritur të shndërrohet në atë mënyrë, atë teatër të shëmtuar parlamenti, me qëllimin e qartë dhe të saktë, mos e bëjë reformën zgjedhore, siç u shpreh dhe bashkëkryetari, që është komod me këtë kod zgjedhor”, tha Alibeaj.
“Përballjen e kemi me shqiptarët. Të shkojmë atje dhe të na tregojnë nëse na duan apo jo. Por kjo bëhet vetëm me listat e hapura. Kush nuk pranon këtë lloj sistemi dhe që bën ato shfaqje të shëmtuara, një teatër të përbashkët. Pasi bëjnë teatrin, puthen dhe përqafohen” tha Alibeaj.
Ai foli po ashtu edhe për mos dakordësinë për mbajtjen e mbledhjes online të premten, duke shtuar se është i gatshëm që mbledhja të mbahet sot dhe të dëgjohet zëri i 5 shoqatave të shoqërisë civile që kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në mbledhje.
“Nuk ka dakordësi, ka pasur një kërkesë për ta shtyrë. Ne kemi qenë të gatshëm për ta zhvilluar online. Ne jemi gati ta mbajmë sot. Të degjojmë zërin e shoqërisë civile. Ishin 5 organizata që shprehën dëshirën për të ardhur.
Ajo që shifni atje është vetëm një teatër, i atyre që nuk duan Reformën Zgjedhore. Kanë frikë nga vota e shqiptarëve, brenda dhe jashtë. Kanë frikë nga votimi elektronik dhe kanë frikë nga Shqipëria një zonë.
Kemi qenë gati që më 15 nëntor me paketën tonë, që adresonte rekomandimet e OSBE/ODIHR.
PD është në mbështetje të interesit publik dhe do të jetë gjithmonë” u shpreh ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



