Bamir Topi dhe Ngjela i bashkohen PD-së së Bashës
Dy figura të rëndësishme të së djathtës, ish Presidenti Bamir Topi dhe ish ministri i Drejtësisë Spartak Ngjela i janë bashkuar Partisë Demokratike zyrtare me në krye Lulzim Bashën, e njohur edhe si PD-ja pro amerikane.
Bamir Topi dhe avokati Spartak Ngjela kanë marrë pjesë sot në konferencën e organizuar nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, të quajtur ‘Harku opozitar Euro-Atlantik’.
Ish-presidenti Bamir Topi, gjatë fjalës së tij në tryezën e dialogut të thirrur nga kreu i PD-së Lulzim Basha, konsensusin e arritur ditët e fundit mes mazhorancës dhe opozitës, e ka krahasuar me atë të vitit 2008.
Topi tha janë po të dy protagonistët e 2008, Edi Rama dhe Sali Berisha, ndërsa për këtë të fundit tha se i rëndojnë akuza pa fund gjatë qeverisjes së tij.
Sipas tij, parlamenti e ka ulur ndjeshëm cilësinë e punës dhe sa the ka ardhur koha që pesimizmi të shpërthehet. PD-ja duhet të hapë një rrugë te re, shtoi ish-presidenti.
“Kemi parti politike që tashmë nuk konsiderohem parti politike, por kazerma politike, ku nuk funksionon rregulli. Kemi një parlament që e ka ulur ndjeshëm cilësinë e tij, qoftë në përfaqësim dhe qoftë në mision. Ka rënë nën thundrën e kryeministrit. Sot secili është në gjendje të bëjë një bilanc të asaj situate. Padyshim njeriu shqetësohet, sot kemi një pamje tjetër. Pas 16 vitesh kemi të dy protagonistët e 2008 dhe të dy janë në hall, ish-kryeministri mbi të cilin rëndojnë skandale pafund gjatë qeverisjes së tij. Sulmi kryesor është te institucioni i zgjedhjeve prandaj kjo tavolinë është e rëndësishme për t’u përqendruar te presioni publik. Mendoj se në parlament ka ardhur koha të fliten të vërtetat e mëdha. Kuvendi ka nevojë të dëgjojë gjëra të vërteta. Detyra e PD është të hapë një rrugë tjetër, jo e një rruge e atyre njerëzve që s’kanë lidhje me demokracinë. Boll kemi shkuar në pesimizëm, duhet shpërthyer. Duhet shpërthyer fillimisht brenda partive pastaj në shoqëri. Duhet që Kodi Zgjedhor të sjellë zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Topi.
Ndërsa Spartak Ngjela u shpreh se “Tryeza e sotme e PD ishte e suksesshme, tani duhet bashkimi i të djathtës. Bashkimi të bëhet me platformë dhe me program. Ligji zgjedhor e zgjidh problemin, unë kërkova maxhoritar të pastër. PD duhet të bëjë atë që rekomandon SHBA. PD e ka në favor bashkimin, sepse Berisha është arrestuar dhe nuk është në funksion. Nëse Sali Berisha do të dënohet, më pas mund të mos jetë më deputet dhe nuk ka çfarë të bëjë më. Grupi i Berishës është grupi i korrupsionit. Të gjitha çarjet që bëri Berisha kanë qenë të mos kishte goditje, por se sërish u arrestua. 60 përqind e grupit të Berishës janë të korruptuar dhe kërcënojnë SPAK-un. Lulzim Basha e përjashtoi Berishën, sepse ia kërkuan ndërkombëtarët. PD ka dy degë dhe duhet të bashkohen në një Kongres. Sali Berisha nuk duhet të jetë, sepse është shpallur non grata. Rruga e vetme është krijimi i PD-së normale, që të fitojë zgjedhjet më 2025. Nëse hyjnë me lidershipin e Kongresin në zgjedhje, unë them se fitojmë. Sot Lulzim Basha mblodhi disa parti të djathta të vogla. Politika është interes në thelb. Këtu janë mbledhur njerëz, që e dinë se me Sali Berishën nuk fitojnë zgjedhjet, sepse lideri është non grata. Nëse Basha e vijon bashkimin, do kemi risi djathtas“.
Kjo lëvizje duket se ka shqetësuar dhe mërzitur PD-në tjetër, atë të Rithemelimit, e quajtur ndryshe linja nongrata.
Kryetari i grupit të PD, Gazmend Bardhi, tha sot se “Vetëm hark nuk pashë, pashë vetëm një shigjetë tjetër. Pra, pashë një shigjetë teke dhe disa bishta, nuk kam ndërmend të komentoj, cilido është i lirë të bëjë çdo gjë. E vetmja lutje që kam pasur është që t’i rikthehet opozitës, nuk mund të organizosh protesta kundër opozitës”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



