Anila Denaj i jep prapë Yzedin Bozhajt 500 milionë
I mbani mend skenat e dhimbshme të shumë fermerëve shqiptarë të cilët detyroheshin të hidhnin përtokë prodhimet e tyre në rrugë për shkak se grumbulluesit ua blejnë me çmime qeshrake? E pra, Anila Denaj, ministrja aktuale e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend që të ulët e të mendojë një strategji se si ta zgjidhë këtë problem, duket se e ka mendjen diku tjetër.

Anila Denaj jep përshtypjen se është më e interesuar të gostisë lart e poshtë oligarkët e tenderave sesa të zgjidhë hallet e fermerëve dhe buqëve shqiptarë. Kështu, zonja në fjalë, nëpërmjet institucioneve të saj në varësi, ka gostitur me rreth 500 milionë lekë të tjera Yzedin Bozhaj të kompanisë “Shendelli”.
Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, Anila Denaj i 2.5 miliardë nëpërmjet një tenderi ne Durrës dy firmave në pronësi të Yzedin Bozhaj dhe Eral Myftaraj. Tenderi është dhënë nëpërmjet një institucioni në varësi të ministrisë, përkatësisht nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-01898-04-18-2024 dhe me objekt “Rehabilitim i ushqyesit të rezervuarit të Bllacës dhe rehabilitim i rezervuarit të Bllacës (burimi ujor)”. Fondi limit për këtë procedurë është llogaritur në vlerën 220,832,937 lekë të reja pa TVSH ose gati 2.6 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse kontrollojmë dokumentacionin e kësaj procedure, do të shikojmë se të paktën 4 firma të tjera kanë dhënë oferta me vlerë më të ulët sesa fituesit, madje me diferenca që shkojnë deri në gati 1.6 miliardë lekë të vjetra.

Shihet qartë se diferenca është shumë e madhe. Megjithatë fituesit janë shpallur “Shendelli” e Yzedin Bozhaj dhe “METEO” e Eral Myftaraj për shifrën 211,829,499 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër rezulton të jetë ndërkohë sa 96% e fondit limit, duke shtuar dyshimet se fituesit kanë qenë të paracaktuar që në fillim.

Ndërsa kësaj here duket se e ka radhën Fieri. Bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Fier, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me numër reference REF-07579-05-31-2024.

Kjo procedurë ka si objekt “Mur mbajtës në kolektorin Roskovec-Hoxhare, Fier” me një fond limit në vlerën 41,714,635 lekë të reja pa TVSH ose gati 500 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëse shikojmë dokumentat e tenderit, do të vëmë re se kanë marrë pjesë vetëm dy firma dhe nga këto fituese është shpallur ajo që ka dhënë shifrën më të lartë.

Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë “Shendelli” në pronësi të Yzedin Bozhaj. Kjo firmë ka fituar me ofertën në vlerën 40,424,822 lekë të reja pa TVSH ose rreth 500 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Vlen të përmendet se oferta e firmës tjetër është mbi 100 milionë lekë të vjetra më e ulët se firma e Bozhajt. Gjithashtu shikohet se vlera fituese është sa 97% e fondit limit të tenderit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



