Fajin për inceneratorët e ka Saliu, jo Rama dhe Veliaj
Afera e shekullit, ajo e inceneratorëve, për të cilën shpenzohen rreth 1 miliard euro, ka çuar në pranga shumë zyrtarë e ish-zyrtarë. Po, gjithmonë është pyetja e madhe: a është përgjegjës Erion Veliaj? A mos ndoshta edhe Edi Rama?
Mirëpo, sipas një logjike brilante, që na e servirin prokurorë të SPAK-ut dhe disa politikanë, fajtor për të gjitha është as më pak e as më shumë, por Sali Berisha. Si? Nuk po e kuptoni? As unë nuk e kuptoj, por kjo është thelbi i fabulës.
Nëse ndonjë ditë do të shpiket një makineri e çmendur, e cila do t’i japë qindra milionë euro dikujt për asgjë, padyshim fajin do ta ketë Sali Berisha.
Shumëkush do të pyeste: po Edi Rama? Ai është si gjithmonë i pafajshëm.
Po Erion Veliaj? Këtë e dimë të gjithë: ai është një djali i mirë, që bën punët e përditshme të qytetit duke pastruar edhe k*kën e Tiranës.
Ai thjesht dorëzoi një kërkesë të pafajshme për një incenerator, siç do bënte çdo kryebashkiak i përkushtuar. E çfarë nëse ai proces kaloi nga një koncesion i diskutueshëm e dyshues? E çfarë nëse ai firmosi në emër të Qarkut dhe këshillave bashkiakë rë Tiranës, Shijakut, Durrësit e Kavajés?! Kjo nuk ka lidhje me të. Ai ishte thjesht i lumtur që i ra të firmoste një dokument të shkruar nga të tjerët. A ka faj këtu? Në asnjë mënyrë!
Dhe kur paraja kaloi nga qeveria te llogaritë e Bashkisë Tiranë për inceneratorin që nuk ekziston, ishte vetëm një aksident financiar i rastësishëm. Të gjithë jemi të pafajshëm në një farë mase, apo jo? Është krim shumë inteligjent dhe nuk ka birë nëne ta shbirilojë!
Por më në fund vjen çudia më e madhe nga të gjitha: SPAK-u bën një hetim të drejtë, pa “prekur” askënd. “Unë thjesht dorëzova një kërkesë” – thotë Veliaj. “Ne jemi të ndershëm e të pastër” – thotë Rama. Dhe faji mbetet gjithmonë te Saliu. Ai është simboli i së keqes, i të gjitha gabimeve që kanë ndodhur, që ndodhin dhe që do të ndodhin ndonjëherë në këtë vend. Ndaj e kemi vendosur ta mbajmë të izoluar në shtëpi
Në këtë botë absurde të politikës shqiptare, Sali Berisha është gjithmonë aty, si një fantazmë që u flet të gjitha prapësitë. Dhe të gjithë të tjerët, nga Edi Rama deri te Erion Veliaj, janë të pafajshëm – ashtu siç është edhe ky vend, që qysh nga mëngjesi deri në darkë mbushet me inceneratorë imagjinarë dhe politikanë të pafajshëm. Ndaj duke mbrojtur inteligjencën tonë e e rithem i bindur se fajin për inceneratorët e kishte, e ka dhe do ta ketë Sali Ram Berisha. Pikë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



