Opozita po vijon mosbindjen civile, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit në Tiranë. Këtë herë, opozita po proteston duke bllokuar 6 akset kryesore rrugore që lidhin vendin. Protestuesit e opozitës kanë bllokuar mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit dhe Milotit. Afati i bllokimit pritet të jetë nga ora 17:00-20:00. Opozita proteston kundër arrestimit të liderëve të saj, Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe kërkon nga mazhoranca të pranojë kërkesën për qeveri teknike.
Forcat e shumta të policisë janë shtuar për të zmrapsur protestuestit, teksa kjo është marrë si provokim nga ana e tyre dhe ka nisur përplasja fizike.
Në protestë të pranishëm mes qytetarëve edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të cilët po shtyjnë kordonin e policisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratik, Falmur Noka u bën thirrje policëve të tërhiqen.
“Banditë të veshur me uniformë policie. Tërhiquni shpejt, largohuni! Nuk meritoni të drejtoheni nga një drejtor që e kanë emëruar bandat.Kë po mbroni narko-shtetin, apo qytetarët?”
Forcat e policisë kanë nisur të lëvizin nga pozicionet e tyre, duke u bërë gati të ndërhyjnë forcërisht për të zhbllokuar rrugët që ka bllokuar opozita.
Te rrethrrotullimi i Kamzës, forcat Shqiponja dhe FNSH janë vënë në formacion, teksa janë afruar shumë afër me turmën.
Kjo ka sjellë dhe përplasje me deputetët, të cilët i akuzojnë efektivët se po provokojnë. Pranë tyre janë afruar deputetët Flamur Noka dhe Albana Vokshi, të cilët kërkojnë të tërhiqen policët.
“I bëj thirrje nipit të Enver Hoxhës, Sulltan Surrelit, i bëj thirrje kreut të organizatës kriminale, të tërheq narko policinë nga provokimi i qytetarëve, në të kundërt sot destinacioni do jetë Surreli. Çdo provokim do ketë një përgjigje, të gjithë drejt Surrelit asnjë rrugë tjetër nuk ka, largoni narko policët, këta banditë“, tha Noka.
“Siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër nëse nuk plotësohet kërkesa për qeveri teknike. Kam një thirrje për ministrin e Brendshëm. Mos të sillet si ministri i fundit i diktaturës. Nuk kemi dalë të bllokojmë qytetarët, por të bllokojmë qeverinë”, tha Lisandër Hoxha.
Më pas pati tensione, pasi qytetarët shynin me forcë efektivët, duke u kërkuar të kthehen atje ku ishin.
Pas Tiranës, tensionet kanë nisur edhe në Elbasan. Policia i është afruar turmës ku dhe ka pasur dhe përplasje. Policia ka kërkuar që qytetarët të lirojnë rrugën dhe kjo ka shkaktuar tensione. Më pas ndërhynë Tomor ALizoti dhe Ivi Kaso, duke i kërkuar policisë të tërhiqet. Por policia arriti ta largojë turmën, duke lirur qarkullimin.