E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Maqedonia e Veriut ka më shumë investime të huaja nga BE?
Lajme

Pse Maqedonia e Veriut ka më shumë investime të huaja nga BE?

Shqipëria nga fundi në rajon

Deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve të huaja direkte nga vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri arriti në gati 6 miliardë euro, duke përfshirë investimet totale të realizuara ndër vite nga shtete të ndryshme të BE-së. Këto të dhëna janë publikuar nga baza e të dhënave e Eurostat. Gjatë vitit 2023, investimet e huaja nga vendet e BE-së në Shqipëri ishin 457 milionë euro.

Nëse krahasojmë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në garën për investime të huaja, tabloja ngjan me një garë maratonash ku njëri ka vrapuar me atlete profesionale dhe tjetri me sandale plazhi.

Maqedonia e Veriut ka ndjekur një strategji të qartë: taksa të ulëta, zona të lira ekonomike dhe një administratë që, ndryshe nga fqinjët, e ka kuptuar se investitorëve nuk u pëlqen burokracia. Për më tepër, ajo reklamoi si një avantazh edhe Portin e Durrësit, duke bërë që të duket sikur Shqipëria po “shiste” portin e saj pa përfituar shumë vetë.

Së fundmi, kompani të mëdha si Johnson Controls kanë hapur fabrika në Maqedoni dhe jo në Shqipëri. Pse? Sepse atje të ofrojnë kafe, një tapet të kuq dhe ndoshta edhe një këngë maqedonase kur hyn në zyrat e administratës për të nisur një biznes. Në Shqipëri? Shanset janë të mbetesh në radhë me dosjen në dorë dhe të dëgjosh përgjigjen klasike: “Eja nesër”.

Shqipëria: Potencial i madh, probleme të mëdha

Shqipëria, ndërkohë, është si ai nxënësi që ka talent, por nuk e shfrytëzon dot. Ne kemi një pozicion strategjik, portin në Durrës dhe një klimë që tërheq turistët. Por, kur vjen puna tek investimet, gjërat ndërlikohen.

Investitorët ankohen për burokracinë, mungesën e infrastrukturës dhe korrupsionin. Disa madje tregojnë histori ku kanë tentuar të hapin biznes në Shqipëri, por më pas kanë zgjedhur Maqedoninë.

Pse kryeson Maqedonia?

Ja disa nga arsyet pse Maqedonia është më përpara:

1.Sistemi Fiskal i Thjeshtuar: Maqedonia ka një taksë të sheshtë prej 10%, që e bën atë të duket si parajsë fiskale krahasuar me Shqipërinë.

2.Zona të Lira Ekonomike: Investitorët marrin përfitime tatimore dhe infrastrukturore që në Shqipëri mbeten ende në letër.

3.Administrata Më Efikase: Në Maqedoni, lejet dhe licencat janë më të shpejta. Në Shqipëri, proceset shpesh vonohen aq shumë sa investitorët humbin interesin.

Ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi kanë tërhequr po ashtu shumë investime. Serbia, falë marrëveshjeve me BE-në dhe marrëdhënieve të saj të mira me Kinën dhe Rusinë, është kthyer në një magnet për investitorët. Mali i Zi ka fokusuar përpjekjet në turizëm dhe energji.

Maqedonia e Veriut ka kuptuar se tërheqja e investimeve të huaja nuk është një garë prestigji, por një betejë strategjike. Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e saj, të thjeshtojë procedurat, të luftojë korrupsionin dhe të shfrytëzojë avantazhet që ka. Në të kundërt, do të vazhdojmë të jemi spektatorë në garën e rajonit për zhvillim ekonomik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.