E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Seri hakmarrjesh nga Shqipëria në Greqi: një sagë gjaku dhe kontrata vdekjesh
Lajme

Seri hakmarrjesh nga Shqipëria në Greqi: një sagë gjaku dhe kontrata vdekjesh

 

Shpërthimi që i mori jetën Aleksandër Sadikajt më 11 qershor 2022, konsiderohet nga policia shqiptare si nisja e një vale hakmarrjesh që, brenda dy vitesh, shkaktoi 5 të vrarë dhe 3 të plagosur. Megjithatë, për autoritetet greke, zanafilla e konfliktit daton më herët, duke përfshirë vrasje dhe plagosje në territorin helen.

Sipas hetimeve, përplasjet kanë ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ku grupet kriminale shqiptare kanë përfshirë edhe të pafajshëm. Një prej viktimave ishte Ari Papa, sarandioti i njohur në Greqi për aktivitetin e tij kriminal, i cili mbijetoi disa atentate, për t’u ekzekutuar më në fund në 2021.

Përgjimet nga aplikacionet e koduara SKY dhe Encrochat kanë zbuluar se Sadikaj ishte përfshirë në organizimin e atentatit ndaj Papës, duke e lidhur këtë ngjarje me një plagosje më herët të kushëririt të tij në Shqipëri. Gjithashtu, bisedat në SKY po hedhin dritë mbi përplasjet e dhunshme mes grupeve shqiptare në një hapësirë prej 700 kilometrash nga Tirana në Athinë.

Në operacionin më të fundit grek, bazuar në të dhëna të SKY, u goditën katër grupe kriminale, tre prej të cilave drejtoheshin nga shqiptarë. Nga ky rrjet janë arrestuar 21 persona dhe janë zbuluar mbi 70 raste trafiku droge, ku përfitimet arrinin në 7.2 milionë euro.

Në dosjet hetimore të autoriteteve greke dhe shqiptare, Aleksandër Sadikaj dhe bashkëpunëtorët e tij përshkruhen si pika kyçe në përplasjet e përgjakshme që përfshijnë dy shtete. Ndërsa ende mbeten shumë vrasje të pazbardhura, autoritetet shqiptare dhe greke po bashkëpunojnë për të lidhur ngjarjet që duket se janë pjesë e një konflikti të gjatë dhe të egër mes bandave kriminale shqiptare.

Hakmarrja që u zhvendos në Shqipëri

Përplasjet e përgjakshme, që nisën vite më parë në Greqi, u pasuan me akte të dhunshme edhe në Shqipëri, duke nisur me ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt më 11 qershor 2022. Shpërthimi i makinës së tij pranë Saukut tronditi kryeqytetin, por autorët mbeten të paidentifikuar.

Sadikaj, i përfshirë më parë në konflikte në Greqi për çështje droge, dyshohet se ishte viktimë e hakmarrjes. Hetimet e familjarëve dhe autoriteteve përfshinë pista që lidhnin biznesmenin Edmond Papa, të ekzekutuar më 16 dhjetor 2022, si pjesë e zinxhirit të dhunës.

Kjo hakmarrje e përshkallëzuar, që përfshin larje hesapesh dhe akuza të ndërsjella, mbetet një dëshmi e dobësisë së drejtësisë shqiptare për të zbardhur dhe ndalur një cikël dhune mafioze.

Dosja e Prokurorisë

Nga verifikimi i pamjeve filmike, i profileve të Facebook të Albi Velo, Adriatik apo i njohur ndryshe si Andrea Kalemi dhe pas këqyrje e sistemit TIMS, rezulton se shtetasit Albano Velo, Andrea Kalemi, Andre Bode kanë lidhje të ngushta shoqërore mes tyre. Po kështu edhe me Aleksandër Sadikajn, i vrarë më 11 qershor 2022 në afërsi të Saukut. Shtetasi Andrea Kalemi është djali i dajës së Sadikajt, i cili dy ditë para se të vritej, ka qëndruar në hotel “Blue Sky”, në Lagjen nr.1 në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës dhe vëllait të tij, Kristo Qirici. Nga të dhënat operative që disponon Policia, rezulton se familjarët e viktimës, Aleksandër Sadikajt dhe lidhjet e tij shoqërore kanë pasur dyshime se vrasja është organizuar në qytetin e Sarandës dhe vazhdimisht janë interesuar e angazhuar privatisht për të mësuar detaje, me qëllim dhe hakmarrjen për vrasjen e personit të tyre të afërt.

Personat që kanë realizuar vrasjen, duket se kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e tij dhe ishin në dijeni të faktit se ai atë ditë do të kthehej në Tiranë. Papa kishte shkuar të merrte të ëmën, të cilën do ta dërgonte në spital për të kryer disa vizita mjekësore.

Familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje. Por pas vrasjes së tij, më 16 dhjetor dhe pasi nisën të identifikohen autorët e dyshuar, emri i Papës filloi të lidhej edhe më shumë me shpërthimin që i mori jetën Aleksandër Sadikajt.  Në fillim të vitit 2023, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e Edmond Papës. Fillimisht në pranga u vu 30-vjeçari Albano Velo, shoku i ngushtë i Aleksandër Sadikajt. Velo u arrestua natën e ndërrimit të viteve në Aeroportin e Rinasit. Ai po kthehej nga Franca, ku kishte udhëtuar 4 ditë pas vrasjes së Papës. Policia kishte të dhëna se vrasja e Edmond Papës ishte kryer për hakmarrje dhe ishte e organizuar nga disa persona. Hakmarrje, që më pas do të zbulohej se nuk lidhej vetëm me vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Një nga provat e paraqitura në gjyq ishin kamerat e sigurisë të sekuestruara në zonën ku u ekzekutua Edmond Papa, si dhe një sërë përgjimesh telefonike dhe ambientale.  Oficerët e Policisë kishin sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip “Audi” që dyshohej se ishte përdorur nga autorët para dhe pas krimit.

Kunata e Papës

Nuk kam dijeni se cilët janë autorët. Edmondi lëvizte lirisht dhe nuk na kishte shprehur ndonjë shqetësim. Ai ishte i divorcuar dhe nuk kishte fëmijë. Ishte pronari i një biznesi në Sarandë. As Edmondi dhe as bashkëshorti im Kristo, nuk kishin konflikte me ndonjë person.

Dëshmitarët okularë, që kanë qenë klientë në lokalin ku ndodhi ngjarja, kanë deklaruar se personi që qëlloi me armë ishte në moshë të re, me trup mesatar, pak i mbushur. Ai kishte kapuç me ngjyrë blu të errët të vendosur në kokë, në duar kishte doreza dhe mbante një pistoletë.  Sipas Prokurorisë, Albano Velo, djali i një punonjësi Policie, ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Papës.

Në rolin e ekzekutorit, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Andre Bode, 45 vjeç, me origjinë nga Berati. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se autorët e ngjarjes e kanë ndjekur viktimën edhe disa ditë përpara ngjarjes. Kjo është konstatuar nga këqyrja e kamerave të sigurisë në rrugën ku ndodhi ngjarja. Në pamje duke makina e vëllait të viktimës dhe pasi parkohet, janë parë të kalojnë makina tip “Audi”, me targë italiane dhe makina tip “Benz” me targa shqiptare.

Sipas pamjeve, rezulton se të njëjtët persona në mjete takohen sërish pas Presidencës, disa minuta më vonë, pasi është larguar makina e vëllait të viktimës.

Dosja e Prokurorisë

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova dhe fakte se shtetasit Albano Dilaver Velo dhe Andre Fatos Bode kanë bashkëpunuar. Ata kanë ndjekur Edmond Papën për disa ditë me radhë dhe dyshohet se më 16 dhjetor kanë kryer vrasjen e tij.

Më 8 janar 2024, Prokuroria dorëzoi në Gjykatë kërkesën për gjykim, në ngarkim të Albano Velos, i arrestuar pak kohë pas krimit dhe Edvin Bode që fillimisht u hetua në mungesë, por u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s në Memaliaj më 28 gusht. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Bode është i dyshuari kryesor si ekzekutor i Edmond Papës, e provuar kjo sipas organit të akuzës edhe nga pamjet filmike dhe nga qelizat telefonike. Gjatë operacionit të koduar “Plani”, u arrestua edhe Julian Kalemi, i cili strehonte në banesë 45-vjeçarin Andre (Edvin) Bode.

Gjithashtu, forcat speciale RENEA arrestuan edhe Adriatik (Andrea) Kalemin, djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, në banesën e të cilit u gjet një arsenal armësh zjarri dhe një shumë prej rreth 45 mijë eurosh. Më shumë gjasë, Andrea Kalemi, po përgatiste hakmarrjen ndaj vrasjes ende të pa zbardhur të të atit dhe plagosjes së xhaxhait të tij mbrëmjen e 20 korrikut 2024. Kalemi u ka shpëtuar dy sulmeve me armë në Greqi.

Mbrëmjen e 9 gushtit të vitit 2023, Adriatik Kalemi plagoset rëndë në një atentat mafioz të organizuar në ishullin Paksos të Greqisë, ku ai kishte shkuar me familjen për të kaluar pushimet. Autori i atentatit lëvizte me një skaf që më pas rezultoi se ishte nisur nga Italia dhe kishte mbërritur aty. Ai ka qëlluar të paktën 14 herë në drejtim të lokalit ku Kalemi ishte ulur për të darkuar bashkë me gruan e 3 fëmijët. Kalemi u qëllua me 10 plumba dhe u plagos rëndë duke u transportuar me urgjencë në spitalin e Janinës.

Ai rezultonte të kishte kaluar për pushime në territorin grek në datën 5 gusht, nga pika kufitare e Kakavijës, me bashkëshorten dhe 3 fëmijët. Informacioni se ai ndodhej në territorin grek, duket se ishte shpërndarë me shpejtësi dhe autorët kanë pasur 4 ditë kohë për të përgatitur atentatin.

Pushuesit në ishull dëgjuan të shtënat dhe gjetën të gjakosur 51-vjeçarin. Policia greke dyshon se bëhet fjalë për një atentat për larje hesapesh dhe se atentatori mendohet se ishte një shqiptar erdhi nga Italia për të kryer atentatin. Në vendin e ngjarjes u gjetën 14 gëzhoja. Me dosjen hetimore u njohën edhe autoritetet shqiptare, që përveçse e kishin në verifikim për vrasjen e Edmond Papës, duke qenë se ishte kushëriri i Aleksandër Sadikajt, e kishin të skeduar edhe për krime të tjera.

Në vitin 2001 ai rezulton se është arrestuar nga forcat speciale RENEA. Kalemi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge në atë kohë, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishin vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi, duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë, i cili u dërgua në spital. Në vitin 2022 Kalemit iu vra me shpërthim eksplozivi kushëriri, Aleksandër Sadikaj.

Atentati mafioz në ishullin grek, të cilit për fat të mirë ai i shpëtoi, vijon të mbetet pa autor. Por nga ana tjetër, pasi u kurua nga plagën të spitalin e Janinës, Adriatik Kalemi u vu në pranga dhe u dërgua në burgun e Koridhalosë, pasi kishte një proces të hapur ndaj tij në Greqi. Aty ndodhi edhe sulmi i dytë që synonte eliminimin e tij.

Teksa ishte në pritje të lirimin nga burgu në Greqi, Adriatik Kalemi u tentua të vritej edhe një herë tjetër, më 15 dhjetor të vitit 2023. Një i burgosur tjetër, me kombësi egjiptiane, e sulmoi atë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë e në gjoks. Dyshimet se bëhet fjalë për një sherr të zakonshëm mes të dënuarve në burgun e Koridhalosë u shuan shpejt sapo u mësua identiteti i autorit. Ai rezultoi se nuk kishte asnjë njohje të mëparshme me Kalemin, as jashtë dhe as brenda burgut. Për më tepër, ai ishte transferuar aty vetëm pak orë para ngjarjes. Sipas të gjitha të dhënave ai kishte ardhur me porosi për të vrarë Adriatik Kalemin. Me vete kishte një thikë dhe një celular, që ende nuk dihet se si dhe me ndihmën e kujt i ka futur brenda burgut.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe është transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28-vjeçarin egjiptian, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Atij më pas iu sekuestrua thika dhe një celular që ishte thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë para se Adriatik Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast. Hetuesit atje e lidhën edhe këtë ngjarje me atentatin e gushtit në ishullin Paksos dhe kanë dyshime se është porositur nga të njëjtët persona. Megjithatë edhe në këtë rast nuk ka asnjë autor konkret të dyshuar.

Edhe i vëllai u bë objekt i një atentati pak kohë më vonë. Në orët e vona të datës 12 janar 2024, Policia e Tiranës shpërndau një mesazh, përmes të cilit njoftonte se një person ishte plagosur në këmbe dhe ndodhej në spital jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja që fillimisht u raportua si një plagosje nga ato të rëndomtat, më vonë rezultoi të ishte një atentat mafioz, por që fatmirësisht objektivi kishte arritur të shpëtonte. E për më tepër, emri i viktimës e bëri këtë ngjarje të dukej edhe më e rëndë nga çfarë ishte raportuar më parë. I plagosur në atentat kishte mbetur Zamir Kalemi 40 vjeç. Ai është vëllai i Adriatik Kalimit, që po ashtu u tentua të eliminohet dy herë në Greqi e njëkohësisht kushëriri i Aleksandër Sadikajt.

Zamir Kalemi u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, por mundi të shpëtojë edhe pse u godit nga 4 plumba. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”. Kalemi lëvizte me një automjet “Smart” kur u qëllua me breshëri kallashnikovi. Pas ngjarjes atentatorët kanë vijuar rrugën në drejtim të Bërzhitës, ku më pas i kanë vënë flakën makinës tip “Nissan”. Brenda mjetit të djegur u gjet edhe arma që dyshohet se është përdorur në krim. Policia tha se nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY 66 50, rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 shkurt 2023.

Njoftimi i Policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes. Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin. Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi.

Dy ditë pas ngjarjes i plagosuri dha dëshminë e tij për oficerët e grupit hetimor.  Por ai ka mohuar të ketë pasur konflikte dhe në të njëjtën kohë nuk kishte dijeni se kush mund të jenë autorët. Madje, ai ka treguar se e ka pasur të pamundur të identifikojë ndonjë prej tyre për shkak se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe ata janë larguar. Kalemi ka treguar edhe itinerarin që ka përshkruar të premten. Ai ka thënë se në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë duke u kthyer nga një lokal ku ishte me miqtë e tij, por u sulmua teksa po shkonte në shtëpi.

Në një sagë atentatesh për hakmarrje, vrasjesh e plagosjesh, të gjithë kanë pasigurinë për fundin e saj. Të vdekurit i marrin me vete përgjigjet, ndërsa të gjallët, ata që u shpëtojnë atentateve, as që e marrin mundimin të japin përgjigje. Të gjithë thonë s’kemi konflikte, edhe pse tashmë është realitet se dikush kërkon me çdo kush eliminimin e tyre. Këmbëngulja është e dukshme, që nga dy sulmet në Greqi ndaj Adriatik Kalemit dhe plagosja në Tiranë e vëllait të tij. Vrasësit duket se s’kanë ndërmend të dorëzohen e as të plagosurit të binden për të bashkëpunuar. Ata shohin vetëgjyqësinë si zgjidhje, të vetëdijshëm që për shumë ngjarje të tilla plumbat nuk kanë falur as të pafajshmit. Nga ana tjetër, autoritetet përgjegjëse, që dinë konfliktet, kanë indiciet e nevojshme për organizatorët, por nuk kanë gjetur ende prova, duket se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar.

Dhe hakmarrja nuk u ndal me kaq. Një ngjarje shumë e rëndë, për më tepër e paralajmëruar ndodhi mesnatën e 20 korrikut 2024 në Memaliaj. Babai i Andrea e Zamir Kalemit, që u kishin shpëtuar 3 atentateve, u vra atë mbrëmje, ku u plagos rëndë edhe xhaxhai i tyre Artur Kalemi, 57 vjeç. Shënjestër e atentatit ishte 74-vjeçari Shyqyri Kalemi, babai vëllezërve Kalemi, njëkohësisht edhe daja i Aleksandër Sadikajt. Ai nuk i mbijetoi dot 6 plumbave të kallashnikovit. Po ashtu, kanë humbur jetën kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në lokalin në pronësi të Artur Kalemit. Dy vëllezërit Kalemi, Arturi dhe Shyqyriu kanë qenë të ulur në të njëjtën tavolinë, në momentin që ka nisur breshëria e automatikut. Plumbat i morën jetën në vend, 74-vjeçarit dhe dy personave të rastësishëm që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Autorët, që mendohet të kenë qenë tre persona, janë afruar pranë ambienteve të lokalit me automjetin e tyre dhe menjëherë kanë hapur zjarr duke lenë pas tre viktima, ndërsa janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Pas kontrolleve nga ana e policisë është konstatuar se në fshatin Bejaj te Mallakastrës është gjetur një mjet duke u djegur që mendohet të jete i autoreve të ngjarjes. Brenda saj janë gjetur edhe tre kallashnikovë. Ndërsa krimi trefishtë ende nuk është zbardhur. Të gjitha veprimet hetimore flisnin për një atentat të urdhëruar nga Greqia.

Për të gjitha këto ngjarje të ndodhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, vetëm dy persona janë në burg. Policia tha se zbardhi ngjarjen e dytë, pa zbardhur ende të parën edhe pse motivin e lidhi me të. Për ngjarjen e fundit hetimet vazhdojnë. Por paralelisht me Policinë e Prokurorinë që po hetojnë, edhe ata që organizuan atentatet me gjasë nuk kanë ndërmend të ndalen.

Faktet flasin vetë. Pesë të vrarë e tre që u tentuan të vriten për pak kohë. Ardriatik Kalemi, vëllai i tij Zamiri, por edhe xhaxhai i tyre Arturi, sot jetojnë sepse kanë pasur fatin në anën e tyre. Plumbat u falën jetën, por u lanë pas frikën për të jetuar të qetë. Të paktën për aq kohë sa të zbulohet se kush urdhëroi  dhe kush financoi eliminimin e tyre.

Ngjarjet që u zbardhën nga autoritetet greke, falë zbërthimit të platformës SKY në Greqi, e bëjnë edhe më të rëndë bilancin e kësaj “lufte” që sipas të gjitha hetimeve që po kryhen tashmë në shtetin helen, paska nisur prej disa vitesh atje.

Pazaret e prishura të drogës atje, po shkaktojnë viktima nga të dy krahët e kufirit. Madje tashmë ka hapur një sagë hakmarrje edhe në rrethin e tyre familjar. E përveç tyre, po u merr jetën edhe personave të pafajshëm. Por zhvillimet e fundit në Greqi, duket se po hapin pista të reja edhe për autoritet shqiptare. Por nga ana tjetër, mund të nxisin edhe hasmëri të reja, për krime që me gjasë deri ditën që u publikuan mesazhet në SKY pak kush mund t’i ketë ditur. Të paktën në Shqipëri. Konflikte, përplasje me armë, plagosje e vrasje që kanë ndodhur për prishjen e pazareve në Greqi, po sjellin larjen e hesapeve sa në Tiranë sa në Memaliaj. E për ngjarje të tilla, njihet vetëm fillimi, por për fundin e zinxhirit të hakmarrjes askush nuk ka siguri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.