Çmimi i energjisë elektrike u ul! “Fuqishëm”, siç do thoshte ndonjë militant që sapo ka marrë fletën e udhëzimeve nga selia.
1 lek! Po, e lexuat mirë, plot 1 lek! As më pak, as më shumë. Ky është momenti kur duhet të fillojmë t’i themi fëmijëve: “Mos e hidhni atë një lekshin, se mund të paguajmë një orë televizor me të!”
Viti Elektoral dhe Mrekullitë e Tij
Me thënë të drejtën, prisja diçka më “bujare” për një vit elektoral. Diçka që të na mbushte sytë e zemrat. Diçka që të thoshim: “O burrë, s’paska fund bujaria!” Po jo, duket se edhe gjestet e mëdha janë kursyer këtë herë.
Apo mos vallë na ruajnë ndonjë tjetër “surprizë” për muajin mars? Po e shoh skenën në konferencën e sotme të kryeministrit dhe ministres:
•Kryeministri: “Në vitin 2025 ne e ulim energjinë me 1 lek, dhe kjo është një fitore për qytetarët shqiptarë.”
•Ministrja: “Një lek sot, një Shqipëri më e ndritur nesër!”
Tregu global, kujdes shqiptarët!
Do mendonit se një ulje kaq e madhe reflekton ndonjë lëvizje të madhe në tregun ndërkombëtar të energjisë. Jo, të dashur lexues, kjo është meritë 100% shqiptare! Jemi aq të zotë sa me 1 lek ulje do ndryshojmë të gjithë ekonominë tonë.
Reagimi i qytetarëve :
•“Më mirë s’ka ku shkon,” tha një qytetar që sapo kishte lënë cigaren dhe do të mbledhë 1 leksha për të paguar energjinë.
•“Më ka prekur ky veprim, është emocionues,” tha një tjetër, që ndoshta kishte konsumuar ndonjë pije të tepruar.
Aman, mos ua hiqni edhe atë Lek!
E mira është që ky 1 lek të ruhet! Mos ua hiqni kalamajve, lëreni si “investim të ardhshëm”! Ka rrezik që pas zgjedhjeve ta ngremë prapë.
Sepse siç e dimë mirë të gjithë: kur të mbarojnë votat, do të mbarojë edhe kjo bujari me përmasat e një revolucioni të heshtur ekonomik.
Një tallje trapi në shkallë kombëtare, por s’kemi çfarë bëjmë. Jetojmë në vendin ku edhe kur të japin, e bëjnë për t’u tallur!