E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lidhja Veliaj-Xoxa me Gentjan Sulën e “Kodrës së Diellit”
Lajme

Lidhja Veliaj-Xoxa me Gentjan Sulën e “Kodrës së Diellit”

SPAK ka zbardhur lidhjet mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe një prej biznesmenëve më të njohur në vend, Gentjan Sula, pronari i kompanisë Agi Kons dhe i zonës rezidenciale “Kodra e Diellit”, ku jetojnë politikanë dhe biznesmenë.

Sipas hetimeve, njohja mes Veliajt dhe Sulës daton që prej vitit 2004, kur të dy kanë udhëtuar me charter jashtë vendit. Udhëtimi i 13 gushtit 2004 nuk ka qenë i vetmi për ta, pasi Veliaj dhe Sula kanë udhëtuar sërish në vitin 2016 me charter dhe në 2017 nga Rinasi drejt Stambollit me linjën ajrore Turkish Airlines.

Nga të dhënat e siguruara prej SPAK-ut, kompania Agi Kons ka përfituar gjithsej 10 tendera. Në këmbim, biznesmeni Gentjan Sula dyshohet se ka dhuruar një vilë në kompleksin Marea në Qerret për çiftin Veliaj-Xoxa.

Megjithëse Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj kanë mohuar se vila është në pronësinë e tyre, hetimet kanë zbuluar të kundërtën. Sipas prokurorëve, jo vetëm që celularët e tyre janë loguar për një kohë të gjatë në atë zonë, por edhe persona të afërt me ta i kanë tradhtuar me dëshmitë e tyre.

Armand Manahasa, shoferi personal i Xoxës, ka dëshmuar se ka shoqëruar bashkëshorten e kryebashkiakut në një vilë brenda kompleksit Marea në Qerret.

Maksim Greva, administratori i resortit, ka pohuar se Ajola Xoxa shkonte shpesh në resort.

Driant Zeneli, ish-drejtor ekzekutiv i qendrës Harabel, ka pranuar se Ajola Xoxa zotëronte një vilë në kompleksin Marea.

Bazuar në këto prova, SPAK ka konfirmuar se vila në fjalë është në pronësi të çiftit Veliaj-Xoxa. Aktualisht, Ajola Xoxa ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa Erion Veliaj është në burg. Ata dyshohen për krijimin e një skeme korruptive dhe pastrim parash.

Hetimet tregojnë se Veliaj u ka dhënë leje ndërtimi dhe tendera pesë biznesmenëve të besuar, mes tyre Gentjan Sula dhe Shkëlqim Fusha, të cilët më pas financonin aktivitetet e kompanive të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.