Derrkuci që hëngri inceneratorin e Tiranës
Sytki Spici
Në një nga deklaratat më të ndjera në histori, Erion Veliaj na zbuloi recetën e suksesit të tij: kursimi me derrkuc! Po, po, një derrkuc i vogël plastik, ai që dikur përdorej për të mbledhur monedha për akullore, tani është kthyer në simbol të mirëqenies, udhëtimeve dhe luksit… për disa. Çelësi i suksesit nuk është më puna, transparenca, apo mirëmenaxhimi i fondeve publike — është derrkuci magjik që thith gjithçka dhe shndërrohet në pushime ekzotike.
Nëse e kërkon hetimi, edhe celularin tënd ta merr gjykata, zoti Rama
Por ky nuk është thjesht një derrkuc çfarëdo. Ky derrkuc është një kampion olimpik i gëlltitjes së fondeve publike, një kalorës i pamposhtur i parave të buxhetit të shtetit. Ai e nisi modest, duke ngrënë ndonjë qindarkë nga ndihma ekonomike, ndonjë tender të vogël për ndriçim festiv, e deri te kafshata më e madhe: inceneratori i Tiranës. Një incenerator që, çuditërisht, nuk duket askund, por ama ka marrë më shumë para sesa derrkuci mund të tresë në një jetë të tërë.
Dikush mund të pyesë: “Ku janë inceneratorët?” Oh, mos u shqetësoni! Ata janë në të njëjtin vend ku shkojnë edhe qindarkat tona të kursyera — në botën magjike të premtimeve, ku gjithçka transformohet në tym, pluhur dhe raporte auditi të pabotuara. Një botë ku derrkuci është mbret dhe ne jemi thjesht donatorë të përjetshëm të monedhave të humbura.
Nga pushime në Maldive, darka me pjata të stolisura me flori, e deri te tenderat për pastrimin e ajrit në Tiranë, derrkuci ka qenë gjithmonë aty, duke bërë magjinë e tij. Dikur hante monedha të vogla, tani ai përtyp pa u lodhur milionat që s’i kemi parë as në ëndrra.
Dhe ndërsa ne blejmë bukën me monedha të kursyera, derrkuci i Tiranës mban një dietë të veçantë: euro të buta dhe dollarë të freskët, me garniturë koncesionesh afatgjata. Madje, fjala në qytet thotë se ai nuk kënaqet më me vakte të vogla. Jo, derrkuci është rritur, tani kërkon resort luksoz, investime strategjike dhe, pse jo, ndonjë incenerator të ri për desert.
Pra, mësimi është i qartë: nëse keni një derrkuc, ushqejeni mirë! Ai mund të mos ju bëjë të pasur, por të paktën do t’ju kujtojë se në këtë qytet ka gjithmonë dikë që di të bëjë pushime më të mira se ju… me paratë tuaja.
Dhe sa për inceneratorin? Ai është si derrkuci: një mister i përjetshëm. Në fund, tymi shkon lart, paratë poshtë, dhe derrkuci rri i qetë, duke gërhitur lumturisht mbi thesarin e tij publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



