Durrës/40-vjeçari arrestohet për dy makina të vjedhura dhe 10 mijë dollarë
Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje.
40-vjeçari Dritan Balla, ishte autor i disa vjedhjeve automjetesh si edhe banesash në Durrës. Nga operacioni i realizuar, janë sekuestruar edhe dy automjetet e vjedhura nga ky shtetas.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Custom”.
Si rezultat, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit D. B., 40 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për disa vjedhje të ndodhura gjatë muajit mars.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas dyshohet se:• më datë 18.03.2025, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit G. R., në lagjen nr. 7, Durrës;• më datë 19.03.2025, në lagjen nr. 13, Plazh, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetases B. Z.;
• më datë 20.03.2025, në Shijak, duke përdorur njërin nga automjetet e vjedhura, ka vjedhur një shumë prej 10 000 dollarësh brenda në automjetin e shtetasit A. H.;• më datë 12.03.2025, në bashkëpunim me shtetasin A. I., 44 vjeç (i arrestuar më parë nga Policia), ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme në banesën e shtetasit I. M.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan dy automjetet e vjedhura nga shtetasi D. B.Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”,njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



