Celibashi anulon tenderin për kutitë e votimit të emigrantëve

 Pazari me Sokol Topçiun e nxjerr zbuluar farsën e KQZ-së

Tenderi 250 milionë lekë për kutitë e votimit u anulua në mënyrë të dyshimtë, pasi në skenë del Sokol Topçiu,  i arrestuari për kontrabandë ilaçesh dhe klient i vjetër i KQZ-së. Çfarë po fshihet pas vendimit të minutës së fundit?

Kur procesi i votimit të emigrantëve po hynte në fazën finale, Ilirjan Celibashi urdhëroi anulimin e një prej tenderëve më të rëndësishëm: blerja e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore për emigrantët. Zyrtarisht, vendimi u arsyetua me “ndryshimin e sasisë së kutive të nevojshme”. Por dokumentet e prokurimit, vendimet e KPP-së dhe profili i njërit prej garuesve kryesorë në tender – Sokol Topçiu, e rrëzojnë këtë pretendim.

Foto: Pamje nga fletët e votimit të emigrantëve të mbërritura në “Feti Borova”


Foto 2: Vendimi i KPP për pranimin e ankesës së Farma Net Albania]

Tenderi dhe anulimi i tij i dyshimtë

Tenderi me objekt “Blerje kuti për materialet zgjedhore dhe kuti votimi” u shpall më 18 shkurt 2025, me një fond limit 19.260.000 lekë pa TVSH, afërsisht 250 milionë lekë me TVSH. Afati për dorëzim ishte përcaktuar data 31 mars 2025 – një afat i pamundur për prodhim dhe transport nga çdo kompani normale, çka e bën procedurën qysh në fillim të dyshimtë dhe të orientuar për favorizim. Foto 3: Dokumenti i tenderit me afatin e dorëzimit

Hija e Sokol Topçiut dhe ndërhyrja e KPP

Në lojë hyn Farma Net Albania, kompania e njohur e Sokol Topçiut – emër i lidhur me afera të shumta në shëndetësi. Me një ankesë pranë KPP-së, ai kërkon rishikim të kritereve. KPP, e drejtuar nga Jonaid Myzyri, pranon kërkesën dhe i urdhëron KQZ-së të bëjë modifikime sipas pretendimeve të Topçiut.

Jo vetëm kaq: Topçiu merr pjesë edhe në një tjetër tender të KQZ për vula dhe etiketa sigurie me vlerë 67 milionë lekë pa TVSH – edhe ky i bllokuar për modifikime në favor të tij.

Foto 4: Vendimi i KPP që urdhëron rishikimin e dokumenteve

Pse u vonua tenderi dhe pse u anulua realisht?

Buxheti për këtë tender është miratuar qysh në vitin 2024. Në aktin normativ thuhet qartë: 250 milionë lekë për votën e emigrantëve. Prokurimi i kutive ishte planifikuar që në 2024 për të garantuar zbatimin në 2025. Por gjithçka u vonua qëllimisht, për të krijuar “urgjencën” e minutës së fundit, ku favorizimi është më i lehtë.

Ndërkohë që tenderi diskutohej në KPP, fletët e votimit të prodhuara në Slloveni mbërritën në Shqipëri, në sallën “Feti Borova”. Por kutitë mungonin. Nëse ishin të disponueshme në magazinat e KQZ-së, pse shpallën tender për to? Nëse jo, pse anuluan tenderin?

Topçiu, klienti “i përhershëm” i KQZ-së dhe skandalet e shkuara

Në vitin 2021, KQZ i jep një tender për bojën e votuesve, ku blihen 12.000 markerë për mbi 6 milionë votues imagjinarë në një vend me më pak se 3 milionë banorë.

Në 2023, i njëjti person fiton tenderin për vulat e zgjedhjeve vendore, me vlerë 720 milionë lekë.

Një ish-i arrestuar për kontrabandë ilaçesh, i kapur në skemën kriminale gjatë pandemisë. Vetëm pak ditë para arrestimit, merr një tender 2 milionë USD nga ministrja Ogerta Manastirliu. Nga ajo ditë, ai u kthye në klient të preferuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe më pas, të vetë KQZ-së së Celibashit.

Kutitë, vetëm pretekst për pazarin e radhës

Anulimi i tenderit nuk ka lidhje me nevojën reale për kuti. Ka lidhje me një skemë favorizimi, devijimi dhe pazari, ku pjesëmarrës janë emra të njohur të abuzimit me fondet publike. Në qendër, një emër: Sokol Topçiu, dhe një dorë që e mban sistemin në vend: Ilirjan Celibashi.

A do të hetojë Prokuroria? Apo KQZ do vazhdojë të blejë materiale zgjedhore nga kontrabandistët e barnave?

Publikuar nga Publik Media