‘BBC’: Shqipëria refuzoi të bëhet si Ruanda!

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri si Kryeministër, Sir Keir Starmer deklaroi se Britania e Madhe është në bisedime me disa vende për krijimin e “kampeve të kthimit” jashtë vendit, për azilkërkuesit të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil në Britani.

Sipas Starmer, këta individë do të dërgohen jashtë vendit për përpunim, pasi t’u jetë refuzuar përfundimisht kërkesa dhe pa të drejtë ankese të mëtejshme.

Megjithatë, Shqipëria nuk është në listën e vendeve pjesëmarrëse. Kryeministri Edi Rama e përjashtoi qartë çdo përfshirje të Shqipërisë në këtë projekt, duke e cilësuar marrëveshjen e ngjashme me Italinë si një rast të veçantë për shkak të “marrëdhënieve të veçanta mes dy vendeve”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë, Starmer konfirmoi se është në bisedime me disa vende për këtë çështje, por nuk përmendi emra.

“Jemi në bisedime me disa vende për ngritjen e qendrave të kthimit, që i konsideroj një risi shumë të rëndësishme”, tha Starmer. Sipas BBC-së, këto vende janë kryesisht në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnjën, por jo Shqipërinë.

Dallimi i kësaj nisme me planin e mëparshëm të qeverisë konservatore për Ruandën, që u anulua nga Starmer, është se këtu bëhet fjalë vetëm për ata që kanë marrë refuzim përfundimtar.

Opozita konservatore e konsideroi refuzimin e Ramës si një poshtërim për Starmer. Chris Philp, sekretari i hijeve për çështjet e brendshme, u shpreh se vizita ishte “një fiasko totale”, pasi Shqipëria e përjashtoi qartazi mundësinë e ngritjes së kampeve britanike në territorin e saj.

Në të njëjtën kohë, Starmer njoftoi masa të reja për bashkëpunim me Shqipërinë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, përfshirë:

Zgjerimi i Task Forcës së Përbashkët për Migracionin në Maqedoninë e Veriut.

Një program i ri për ri-integrimin e të rinjve shqiptarë në shoqëri dhe në tregun e punës.

Investim prej 1 milion paundësh për përmirësimin e kapaciteteve shqiptare në fushën e forensikës dhe teknologjisë biometrike.

Ndërtimi i një programi të ri për ndarjen e të dhënave të ADN-së për kapjen e kriminelëve shqiptarë të kërkuar në Britani.

Përdorimi i dronëve të financuar nga Britania për ndihmën në operacionet kundër trafikantëve në korridorin ballkanik.

Starmer akuzoi qeverinë e kaluar britanike për humbjen e kontrollit mbi kufijtë dhe theksoi vendosmërinë për rikthimin e kontrollit me anë të goditjes së rrjeteve kriminale që trafikonin njerëz drejt Britanisë./ “BBC”

Publikuar nga Publik Media